Ndërlidhjet

logo-print

AUTORITETET THONË SE PO MERREN MASA KUNDËR TRAFIKIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Qeveria dhe zyrtarët e policisë thonë se janë duke ndërmarrë masa konkrete kundër trafikimit të femrave në Kosovë.
Por, në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, është kritikuar UNMIK-u dhe institucionet kosovare se kanë dështuar të zbatojnë udhëzimin administrativ që do t’u garantonte grave dhe vajzave të trafikuara të drejtën e menjëhershme për t’u mbrojtur dhe të drejtën për ndihmë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, pranon se trafikimi i femrave kosovare është duke shënuar rritje.
“Ne kemi një tendencë zvogëlimi të femrave në Kosovë, por ç'ka e bën të dallojë këtë nga viti 2001 për shembull, ka filluar të rritet trendi i trafikimit të femrave kosovare brenda përbrenda Kosovës”.
E njohur më parë si vend tranziti i trafikimit të femrave dhe shtytjes së tyre, që të merren me prostitucion, Kosova tani është shndërruar në vend burimi të trafikimit të femrave. Kjo pohohet nga shefi i zyrës së kryeministrisë për qeverisje të mirë, Habit Hajredini.
“Tani kur flasim për origjinën, Kosova nuk është vetëm vend tranzit, por vend që është i origjinës, që flasim për trafikimin e vendorëve dhe kjo tashmë po ndodh dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa konkrete adekuate. Duke parë situatën serioze të tillë, qeveria ka hartuar një plan nacional për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore”.
Ka qenë pikërisht ky plan aksional, për të cilin Amnesty International, ka thënë se ka dështuar të përmbushë rekomandimet e vitit 2004 të kësaj organizate në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave të trafikuara.
Sidoqoftë, Hajredini insiston se qeveria është duke ndërmarrë masa konkrete kundër trafikimit.
“Pothuajse që një vit është bërë punë intensive për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri përmes formave të vetëdijesimit dhe masave konkrete, që ndërmerr policia, gjyqësia dhe prokuroria”.
Sipas Hajredinit trafikimi i femrave është i përhapur pothuajse në të gjitha vendet e Kosovës, por, në disa qytete është më i theksuar.
“Prizreni, Gjilani, Peja, këto janë ato zona si të themi më të ndjeshme këtu në Kosovë, sipas burimeve të policisë dhe akterëve të tjerë në Kosovë”.
Vajzat e trafikuara janë kryesisht të moshës së re. Hajredini thotë se ka raste kur vajzat janë shpëtuar nga policia dhe i janë nënshtruar rehabilitimit, por disa nga to nuk janë kthyer me në shtëpitë e tyre, por kanë qëndruar nëpër qendrat strehuese.



XS
SM
MD
LG