Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN NESËR MERR PJESË NË TAKIMIN E GRUPIT TË KONTAKTIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Agjenda e Prishtinës në procesin negociator nuk mund të ndikohet nga propozimet e ndryshme të Beogradit, ka thënë sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Pas një takimi që Sejdiu zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, ai tha se Prishtina ka agjendën e vet me të cilën mëton ta përfundojë procesin e përcaktimit të Kosovës me arritjen e pavarësisë së saj dhe se kjo agjendë nuk mund të ndikohet nga propozime e ide që mund të vijnë nga Beogradi:
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe qëndrimin tonë ne e mbështetim në standardet ndërkombëtare, në të drejtën e popullit të Kosovës që të jetojë i lirë, sikurse edhe të tjerët dhe që pavarësia është vullnet i përgjithshëm i popullit të Kosovës”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, në interesimin e gazetarëve se sa mund të jenë shqetësuese për UNMIK-un deklaratat e zyrtarëve serbë nga Beogradi se rruga kah pavarësia do të rrezikonte situatën e sigurisë në Kosovë, Jessen Petersen tha se nuk ishte shumë i njoftuar me të tilla deklarata, por sipas tij, shumë kush që deri tash ka pritur një gjendje jo stabile në Kosovë, është zhgënjyer:
“Ajo që unë di është se këtu jam për dy vjet, ku kam parë shumë momente të vështira dhe shumë teste për sigurinë, por të gjithat ato janë tejkaluar pa probleme”, tha Jessen Petersen, duke shtuar se probleme do të ketë vetëm për ata që provokojnë gjendje të tilla.
Në vazhdim Petersen tha se ai nesër do të marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit që do të mbahet në Paris. Në këtë takim, shefi i UNMIK-ut tha se do të raportojë në lidhje me ecurinë e deritashme të negociatave, si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me Kosovën pas statusit dhe aranzhimet që do të bëhen në misionet e ardhshme të BE-së e NATO-s në Kosovë. Jessen Petersen edhe këtë herë tha se bashkësia ndërkombëtare dëshiron që statusi të përcaktohet gjatë këtij viti.
Ai lavdëroi pozicionin që Prishtina ka mbajtur në takimin e fundit në Vjenë lidhur me trashëgiminë kulturore duke shpresuar se para se të kalohet në fazën tjetër të përcaktimit të statusit, çështjet praktike që po shtrohen në Vjenë do të gjejnë zgjidhje të pranueshme për palët në bisedime.



XS
SM
MD
LG