Ndërlidhjet

WESLEY CLARK: KOSOVA DO TË JETË E PAVARUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Brenda disa muajsh Kosova do të jetë e pavarur, tha sot gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë gjatë bombardimeve të aleancëss kundër forcave serbe në pranverën e vitit 1999.
Gjenerali Clark i ka bërë këto komente sot në Prishtinë, gjatë takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe me ekipin negociues të Kosovës, ndërsa më pas u është drejtuar me një fjalim edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Zoti Clark tha se ndihej më i sigurt për të ardhmen e Kosovës tani kur kishte biseduar me udhëheqësit më të lartë të saj:
"Unë u sigurova nga propozimet e fuqishme vizionare dhe pozitive që pala kosovare po i bën për të ndihmuar zgjidhjen e statusit përfundimtar," tha zoti Clark, duke siguruar për mbështetjen e tij të vazhdueshme për këtë proces dhe duke lavdëruar qeverinë e Kosovës në krye me ish-gjeneralin Çeku, siç u shpreh gjenerali Clark.
"Jam i bindur se çështja e statusit do të zgjidhet dhe ndoshta për disa muaj Kosova do të jetë e pavarur dhe do të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga origjina e tyre etnike," tha gjenerali Wesley Clark, pas takimit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Ky i fundit tha se gjenerali Clark është laureat i çmimit të ish-presidentit Rugova për merita për popullin e Kosovës, një çmim ky që solemnisht do të jepet në një rast tjetër:
"Unë vetëm simbolikisht sot i dorëzova një miniaturë të statujës së Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, i cili ka qenë simbolikë dhe mbrojtësi i Evropës në shekullin XV, jo vetëm i popullit shqiptar, ndërsa gjenerali Clark ishte mbrojtës i njerëzit dhe i popullit shqiptar në kohën kur udhëhoqi trupat e NATO-s."
Gjenerali Wesley Clark, i cili ka ardhur në Kosovë për të marrë çmimin “Hasan Prishtina”, të cilin Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e tyre, e jep për personalitetet që kanë merita lidhur me kombin shqiptar, sot ka vizituar edhe varrin e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, me ç’rast tha se i vinte keq që presidenti Rugova nuk ishte gjallë për ta pritur pavarësinë e Kosovës. Gjenerali Clark pasdite viziton kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz të Drenicës, ndërsa sonte në mbrëmje do ta marrë çmimin “Hasan Prishtina”, në një solemnitet që organizohet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.



XS
SM
MD
LG