Ndërlidhjet

UNICEF: MBI 250 MIJË FËMIJË NË SHQIPËRI PA MBROJTJEN BAZË DHE DINJITETIN QË E MERITOJNË


Alma Çupi, Tiranë

Mbi 250 mijë fëmijë në Shqipëri ndihen të përjashtuar dhe të harruar. Janë kryesisht fëmijët e familjeve të varfëra, fëmijët që detyrohen të punojnë, fëmijët e trafikuar, fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes dhe fëmijë, të cilëve u mungon kujdesi prindëror.
Raporti më i fundit i UNICEF bën të ditur se 280 mijë fëmijë në Shqipëri jetojnë në familje të varfëra dhe programet ekzistuese të mbrojtjes dhe të kujdesit shoqëror, nuk kane qenë të afta për të siguruar shërbimet sociale të nevojshme për mbrotjen dhe integrimin e fëmijëve të përjashtuar.
Përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Carrie Auer, thotë se qëllimi i raportit nuk është thjeshtë për të pasqyruar arsyet e përjashtimit, harrimit dhe abuzimit, por të tërhiqet vëmendja jonë tek fakti që një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve në Shqipëri, po rriten pa mbrojtjen bazë dhe dinjitetin që ata meritojnë.
"Ne jemi këtu sot për të paraqitur një raport paralel për gjendjen dhe vështirësitë e fëmijëve të harruar dhe të përjashtuar në Shqipëri me gjendjen e fëmijëve në botë. Ky raport tregon se përjashtimi social në Shqipëri është rezultat i varfërisë, qeverisjes së dobët, decentralizimit të ngadalshëm, politikave të pamjaftueshme dhe i implementimit të dobët të ligjit."
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, tha se duhet një reagim kombëtar për të drejtat e fëmijëve, që ata të kenë kujdesin dhe mbrojtjen e vazhdueshme. Presidenti Mosiu premtoi mbështetje jo vetëm institucionale, por edhe personale, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
"Shifrat e treguara për këtë kategori fëmijësh janë shqetësuese dhe si të tilla, zgjidhja e tyre përbën një nga sfidat e mëdha dhe të rëndësishme të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Ndodhem këtu sot për të shprehur të gjithë mbështetjen institucionale dhe personale për mbrojtjen, garantimin dhe realizimin praktik të të drejtave të fëmijëve", tha presidenti Moisiu.
Edhe Ministri i Arsimit Genc Pollo, premtoi politika për arsimimin e fëmijëve të harruar kryesisht romë, egjiptianë dhe fëmijëve pa prindër.
Një pjesë e studimit të UNICEF është bërë edhe për fëmijët romë, ku 28 përqind e fëmijëve romë dhe 38 përqind e fëmijëve egjiptianë, nuk plotësojnë nevojat për ushqim, ndërsa më shumë se gjysma e familjeve të tyre jetojnë në kasolle.
Shifrat e UNICEF flasin për lënie pas dore të fëmijëve në nevojë dhe për ta, sipas drejtuesve të tyre, duhen programe kombëtare, me qëllim që atyre t’u ofrohet ushqim dhe arsimim.

XS
SM
MD
LG