Ndërlidhjet

BANTUL, INDONEZI


Ekipet e shpëtimit edhe gjatë ditës së sotme vazhduan me kërkimet për të mbijetuarit eventualë nga tërmeti, që dje goditi ishullin Java të Indonezisë. Sipas autoriteteve indoneziane, numri i personave që humbën jetën nga pasojat e tërmetit, arriti në 4611. Por theksohet se këto "të dhëna mund të rriten, pasi mendohet se ende ka njerëz nën gërmadha". Zëdhënësi i UNICEF-it, John Budd i tha agjencisë Reuters se afro 20 mijë janë të lënduar ndërsa më tepër se 100 mijë kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Autoritetet mjekësore në Yogyakarta thonë se ka nevojë urgjente për ndihma mjekësore. "Më së shumti në këtë moment janë të nevojshme furnizimet dhe pajisjet mjekësore. Shumë njerëz kanë plagë dhe na duhen barëra", tha doktor Budi në spitalin Sardjito.Tërmeti me intensitet 6.2 shkallë ishte tërmeti i tretë i madh që e goditi Indonezinë në 18 muajt e fundit. Ky vend ndodhet në hapësirën e rajonit të Paqësorit aziatik, që cilësohet si "unazë e zjarrit" për shkak të aktivitetit të madh vullkanik dhe tektonik.
XS
SM
MD
LG