Ndërlidhjet

MOORE:"VAZHDON SHPËRBËRJA E ISH - JUGOSLLAVISË"


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Mali i Zi ka marrë rrugën e pavarësimit dhe për dallim nga ish republikat e tjera, kësaj rradhe duket se në Beograd nuk ka zemërim shumë të madh. Përse?

PATRICK MOORE
Nuk ka antagonizëm kombëtar real këtu midis serbëve dhe malazezëve, prandaj nuk mund ta krahasojmë situatën fare me atë, le të themi midis serbëve dhe kroatëve, serbëve dhe shqiptarëve apo serbëve dhe boshnjakëve. Mendoj që ndjenja e përgjithshme në Beograd është që diskutimi i vazhdueshëm me malazezët, kryesisht me udhëheqjen pranë kryeministrit Gjukanoviç, ishte bërë thjesht shumë më problematike sesa ç'vlente. Po merrte shumë kohë dhe vëmendje dhe nëse malazezët donin të ndaheshin, ndoshta ishte mirë që kjo të ndodhte dhe t'i vihej një fund gjithë këtyre diskutimeve dhe debateve.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se ka motivuar malazezët të deklarohen në shumicë për pavarësinë?

PATRICK MOORE
Ky është një paradoks i madh dhe paradoksi ka të bëjë me Bashkimin Evropian. Ishte zoti Solana dhe Bashkimi Evropian që istrumentalizuan formimin e këtij shteti të Serbisë dhe Malit të Zi, të këtij shteti më shumë të çuditshëm sesa të veçantë në strukturën e tij, një shtet që kishte dy sisteme të ndryshme doganore, dy monedha të ndryshme, si dhe faktorë të tjerë të çuditshëm. Këtij shteti iu vu nofka "Solania". Është pikërisht BE-ja që duket t'u ketë dhënë shtysën përfundimtare malazezëve, që zhvillimi i tyre, e ardhmja e tyre, anëtarësimi i tyre në BE, mund të arrihen tani më mirë duke u ndarë nga Serbia. Arsyeja për këtë është e thjeshtë - Bashkimi Evropian para disa javëve i dha një notë paralajmërimi Serbisë që bisedimet do të ndërpriten derisa serbët të plotësojnë detyrimet e tyre, sidomos të arrestojnë dhe të dorëzojnë Ratko Mlladiçin. Pra faktikisht Bashkimi Evropian kishte influencuar Serbinë dhe Malin e Zi që të mbeten bashkë dhe tani Bashkimi Evropian krijoi kushtet politike që u dhanë malazezëve argumentin e fundit se pse duhet të ndaheshin nga Serbia dhe kjo ka të bëjë me interesat zhvillimore të Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, çfarë do të thotë pavarësimi i Malit të Zi për Beogradin? Dhe a munden njerëzit e rëndomtë në Serbi, që mbase mund të jenë të alarmuar për izolimin e shtuar të vendit të tyre, të bëhen forcë e ndryshimeve?

PATRICK MOORE
Tani kemi një situatë që serbët kanë mbetur me vetëveten dhe nuk kanë më se kë të fajësojnë përveç vetes për problemet që kanë. Kjo nuk ka shkaktuar ndonjë ndryshim të madh në të kaluarën, përveç ndryshimit të qeverisë që përmbysi Millosheviçin në tetor të vitit 2000. Por e shohim që edhe pse Millosheviçi dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë u rrëzuan nga pushteti, shumë prej strukturave të vjetra mbetën në fuqi dhe në fakt shumë njerëz mendojnë që ndryshimet në tetor të vitit 2000 nuk do të kishin ndodhur, nëse Gjinxhiçi dhe Koshtunica nuk do të kishin bërë disa marrëveshje me disa qendra pushteti, qoftë zyrtarisht, qoftë në biznes, qoftë me nëntokën apo forcat e sigurisë para tetorit. Pra nuk kemi parë ndonjë ndryshim të madh aty në të kaluarën. Sigurisht që njerëzit e rëndomtë mund të ndryshojnë gjërat përmes votimeve. Të gjithë ne ashtu si dhe politikanët serbë menduam se do të kishte zgjedhje në vitin 2005, por ato nuk u mbajtën. Gjithashtu gjysma e vitit 2006 pothuajse ka kaluar dhe nuk kemi parë ende zgjedhje paraprake. Megjithatë herët apo vonë, serbët do të detyrohen t'i mbajnë ato. Dhe ky do të jetë një rast për njerëzit që të ushtrojnë pushtetin e tyre dhe të shprehin pakënaqësinë me çfarë po ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Analizuam se çfarë do të thotë pavarësimi i Malit të Zi për Beogradin, por a mund të ketë ndonjë efekt edhe në Kosovë?

PATRICK MOORE
Personalitetet udhëheqëse politike në Kosovë dhe në Malin e Zi, kanë thënë prej vitesh që nuk ka asnjë lloj lidhjeje midis dy situatave. Për shembull malazezët deklarojnë që meqënëse ata kanë qenë një republikë nën kushtetutën e vitit 1974 ata kanë patur disa të drejta, ndërsa Kosova jo. Kosovarët mund të argumentojnë se që nga qershori i vitit 1999 ndarja e tyre me Serbinë ishte përfundimtare dhe nuk ka kthim prapa. Këto argumente janë absolutisht të vlefshme, por mund gjithashtu të themi që ka një lloj lidhjeje këtu. Kosovarët do ta gjejnë shumë të lehtë të frymëzohen nga pavarësia e Malit të Zi dhe të mendojnë se ajo e tyrja, tashmë është vetëm një hap larg. Gjithashtu shohim nga fakti që Mali i Zi ishte në gjendje të votonte në mënyrë paqësore, në një referendum transparent dhe të ndershëm dhe të merrte një vendim për pavarësinë, se të gjithë mentorët apo këshilltarët që kemi dëgjuar prej vitesh, nga Bashkimi Evropian, Koshtunica apo njerëz të tjerë, sipas të cilëve më nuk mund të ndajmë shtete, që duhet të vazhdojmë me idenë që sa më i madh një shtet aq më mirë dhe që nuk duhet të ketë më "ballkanizim", e argumente të tilla si këto, që nuk janë serioze dhe se shpërbërja e ish-Jugosllavisë, e cila filloi në vitin 1991, po vazhdon tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të reflektohet pavarësimi i Malit të Zi në hapësirat e tjera siç është për shembull Vojvodina?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se mund të krahasohet Vojvodina qoftë me Malin e Zi, qoftë me Kosovën. Mali i Zi ka qenë republikë sipas kushtetutës së vitit 1974 të ish Jugosllavisë, ndërsa Vojvodina kishte të njëjtin status me Kosovën nën këtë kushtetutë. Diferenca e madhe është që Vojvodina ka pothuajse 75 përqind të popullatës serbe. A janë shumë njerëz në Vojvodinë të kënaqur me situatën? Sigurisht jo, por ajo që duan ata është autonomia, demokracia, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pushteti ligjor. Politika e brendshme serbe do të sigurojë kontekstin për këto diskutime politike, për kërkimin e zgjidhjeve politike. Nuk besoj se ka ndonjë politikan në Vojvodinë që kërkon diçka që do i kalonte kufijtë e një autonomie të fuqishme mbi baza demokratike të bazuar në parimet e shtetit ligjor.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG