Ndërlidhjet

logo-print

BUDIMA: BOJKOTIN E PRODHIMEVE TË SERBISË E MBËSHTETIN PRODHUESIT VENDORË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët javën e kaluar kanë nisur një fushatë për bojkotimin e mallrave nga Serbia. thonë se prodhuesit kosovarë e kanë mbështetur këtë nismë të tyren, ndërkohë që reagimin e presidentit të Serbisë Boris Tadiq kundër kësaj nisme e kanë cilësuar edhe një fakt më shumë që flet në favor të nevojës për një bojkot të tillë.
Gjeneza Budima, një nga udhëheqëset e lëvizjes “Vetëvendosje”, tha për radion Evropa e Lirë, se aktualisht po vendosen posterë për ta sensibilizuar opinionin lidhur me këtë çështje:
"Kemi përkrahje të hatashme të prodhuesve vendorë, që thërrasin dhe mendojnë se dikush po merret seriozisht me hallet e tyre, edhe pse drejtpërdrejt ky nuk ka qenë qëllimi ynë, por qëllimi ynë ka qenë që duke e ndihmuar Kosovën, ta dëmtojmë Serbinë".
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Boris Tadiq e ka cilësuar fushatën për bojkotimin e prodhimeve të Serbisë në Kosovë, si antievropiane dhe antidemokratike dhe ka kërkuar nga UNMIK-u të reagojë ndaj kësaj fushate. Zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksander Ivanko tha se në UNMIK ende nuk ka arritur ndonjë letër apo kërkesë zyrtare e presidentit të Serbisë. Sidoqoftë, zëdhënësi Ivanko tha se bëhet fjalë për një nismë të shoqërisë civile, të cilën UNMIK-u nuk dëshiron ta komentojë.
Mirëpo, Oda Ekonomike e Kosovës e ka mbështetur nismën e lëvizjes Vetëvendosje, tha Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë i Odës Ekonomike të Kosovës:
"Qëllimi i një nisme të tillë është për t’u përkrahur, pasi është në mënyrë direkte ajo që e mbron ekonominë kosovare, pasi ne jemi për këmbim, por për këmbim reciprok e jo vetëm për këmbim të njëanshëm siç po ndodh për momentin."
Zoti Gërxhaliu tha se ekzistojnë arsye të forta ekonomike për vënien e një drejtpeshimi ndërmjet eksportit dhe importit në raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë:
"Kosova është tejet liberale për produktet serbe, por është e pamundur që produktet kosovare të depërtojnë në tregun serb, çka e anullon atë reciprocitetin ndërmjet dy vendeve".
Sidoqoftë, aktivistët e "Vetëvendosjes" thonë se ende është herët për ta matur shkallën e pranimit nga qytetarët të thirrjes që ka bërë lëvizja “Vetëvendosje”. Aktivistja, Gjeneza Budima tha se kjo do të dihet pas një muaji, kur do të shihet se cila është sasia e mallit nga Serbia që ka hyrë në Kosovë, edhe pse, sipas saj, vetëm 40 përqind e mallit kalon nëpër doganë:
"Tash secili e di bar-code-in që duhet të bojkotohet dhe është interesant që pata një informatë se në një dyqan kanë parë plazma keksa në zbritje. Nuk e di a është rezultat i fushatës."
Ndërkaq, duke e komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Tadiq, zonjusha Budima tha:
"Për ne të themi të drejtën nuk është befasi, pasi kur kemi nisur të merremi me këtë fushatë ia dimë rëndësinë për Serbinë, se çka do të thonë miliona euro që i shkojnë Serbisë nga buxheti kosovar, por fakti që shumë shpejt ka reaguar tregon se sa kjo fushatë do ta dëmtojë Serbinë, pra edhe skeptikët që kanë dyshuar në nismën e "Vetëvendosjes" mund të binden se sa është e rëndësishme dhe se sa ne jemi duke e financuar Serbinë."
Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës thonë se përqindja e pjesëmarrjes së mallrave nga Serbia në importin e përgjithshëm të Kosovës është mjaft e lartë:
"Nga sasia e përgjithshme e importit në Kosovë diku 37 përqind është prani e mallrave nga hapësirat ish-Jugosllave, sidomos nga Serbia e Mali i Zi dhe Maqedonia," tha zoti Gërxhaliu, sipas të cilit nga Serbia me të madhe depërton artikuj ushqimor dhe material ndërtimor që ka gjetur hapësirë, pasi pas luftës shumëçka ka qenë e shkatërruar dhe kjo e ka zhvilluar këtë sektor të ekonomisë në Serbi.



XS
SM
MD
LG