Ndërlidhjet

GRIGOREV:"PËR KOSOVËN VENDOSË KËSHILLI I SIGURIMIT"


Aleks GRIGOREV, Projekti për Marrëdhënje Etnike/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh, referendumi në Mal të Zi ishte në favor të shtetit të pavarur. A e shihni ndonjë ndikim të tij në procesin e statusit final të Kosovës?

ALEX GRIGOREV
Jo, unë nuk shoh asnjë ndikim. Nuk mendoj se epilogu i referendumit në Mal të Zi ka çfarëdo ndikimi në bisedimet për statusin final të Kosovës. Politika e Malit të Zi dhe e drejta ndërkombëtare ishin absolutisht të qarta. Nga këndvështrimi politik, kosovarët i kanë bazuar synimet e tyre për pavarësi, pavarësisht nga dëshira e mëhershme e Malit të Zi për shtet të përbashkët me Serbinë; kosovarët e dëshiruan pavarësinë kur Mali i Zi ishte republika e fundit e ish Jugosllavisë që komunikonte me Serbinë; kosovarët e synuan pavarësinë kur Podgorica e propozonte unionin e shteteve të pavarura me Serbinë dhe kosovarët e synojnë pavarësinë edhe tash kur Mali i Zi vendosi për ta përtrirë shtetësinë e tij. Nga këndvëshrimi juridik, kaptina e unionit Serbi Mali i Zi, që mbështetej edhe nga Bashkimi Evropian, është e qartë se në rast se Mali i Zi largohet nga unioni atëherë subjektivitieti ndërkombëtar, lidhur me rezolutën 1244, i kalon Serbisë. Kjo megjithatë mund të ketë një ndikim emocional, sepse, natyrisht, kosovarët mund të thonë: e shihni bile edhe Mali i Zi nuk dëshiron të mbetet së bashku me Serbinë. Por mendoj se ky aspekt nuk do të ketë domethënie politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nën ndërmjetësimin e të dërguarve të Kombeve të Bashkuara në Vjenë, delegacionet Kosovës dhe të Serbisë diskutuan për decentralizim, trashëgimi kulturore dhe religjioze. Në decentralizim, të dy palët kanë pozicione shumë të ndryshme. Sipas jush, a ekziston mundësia që të arrihet marrëveshje reciproke për decentralizim?

ALEX GRIGOREV
Shpresoj se po. Por, një numër i hapave duhet të ndërmerren para se një marrëveshje e tillë të jetë e mundshme. Nuk pajtohem me disa që bisedimet për decentralizim në Vjenë i kualifikojnë si dështim. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ka pasur përpjekje edhe më parë që liderët serbë dhe kosovarë të takohen. Siç e dini, edhe organizata ime disa herë ia doli që të dy palët ti ulë në tavolinë të bisedimeve. Mendoj se zoti Ahtisaari dhe ekipi i tij duhen uruar për menagjimin e këtyre bisedimeve në drejtimin e duhur dhe për bërjen e një progresi të jashtëzakonshëm. Çështja e decentralizimit është se gjatë bisedimeve ndërmjet tyre, palët i modifikojnë pozicionet e tyre dhe ky proces duhet të vazhdoj. Nuk mendoj se është e arsyeshme për serbët që të kërkojnë 13 komuna të reja të pastra serbe dhe për shqiptarët që të ofrojnë vetëm katër. Sidoqoftë, nuk janë kryesore shifrat. Ajo që është e rëndësishme është esenca e të drejtave të komunave. Mendoj se ekipi shqiptar duhet të paraqesë më tepër këtë lloj esence në propozime. Ata duhet të lejojnë që serbët e Kosovës, para se gjithash, të ndjejnë se e ardhmja e tyre është e sigurtë. Ekipi i Beogradit, sipas mendimit tim, duhet ta rishqytoj kërkesën e tij jorealiste për një numër të këtillë të komunave, disa prej të cilave janë të bazuara në vullnetin për kthim masiv të serbëve. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Ata duhet të mendojnë, para se gjithash, për ata serbë që aktualisht janë në Kosovë. Vetëm duke e përmirësuar situatën dhe pozitën e tyre, do të mund të ndikohet në të tjerët, që janë në Serbi dhe në Mal të Zi, që të mendojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Askush nuk do të kthehet në vendet, që nuk janë të sigurta. Kjo është ajo që duhet të gjejë vend në propozimet e reja shqiptare: garantimi i sigurisë dhe plani si të përmirësohet jeta e atyre serbëve që janë në Kosovë. Beogradi, poashtu, duhet të mendoj lidhur me esencën e nevojave të serbëve të Kosovës. Do të thoja se ata do të merrnin më tepër simpati, për pozitën e tyre nga Bashkësia ndërkombëtare, nëse tregojnë se ata po mendojnë për popullsinë e jo për statusin e krijimit të disa lloj entitetesh në Kosovë. Unë poashtu do të dëshiroja të shihja se të dy palët mendojnë më tepër se si ata dëshirojnë ti shohin marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet komunave serbe dhe atyre shqiptare në Kosovë. Kjo ka munguar prej fillimit të bisedimeve. Kjo është shumë e keqe sepse njerëzit ende duhet të jetojnë afër njëri-tjetrit në Kosovë, në të ardhmen. Pra vetëm atëherë, kur të gjitha këto çështje do të merren në konsideratë nga të dy palët, mendoj se do të jetë e mundshme për të lëvizur drejt një marrëveshjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët këtë muaj i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari nuk e përjashtoi mundësinë që bisedimet për status nuk do të arrijnë zgjidhje deri në fund të këtij viti. Nga ana tjetër, i dërguari amerikan, zoti Wisner tha në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që çështja e statusit të zgjidhet këtë vit. Si e komentoni këtë çështje?

ALEX GRIOREV
Nuk mendoj se ka ndonjë mospajtim ndërmjet dy pozicioneve. Në njërën anë e keni dëshirën e forcës kryesore politike në Grupin e Kontaktit dhe në Këshillin e Sigurimit, ndërsa në anën tjetër kemi vlerësimin e realitetit nga zoti Ahtisaari, i cili është person serioz dhe shpresoj se ai po kërkon kthimin e substancës së ripërtritjes në procesin e negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra a mendoni se do të arihet zgjidhja e statusit deri në fund të vitit?

ALEX GRIGOREV
Mendoj se kjo varet nga palët...Nëse palët janë serioze dhe nëse çështjes së decentralizimit i qasen në mënyrën siç e përmenda, mendoj se është e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë diskutime se kush pëfundimisht do të vendosë për statusin e Kosovës. Ekspertët thonë se kjo është çështje për të cilën vendos Këshilli i Sigurimit. Si e vlerësoni ju këtë çështje?

ALEX GRIGOREV
Kjo është saktësisht çështja fundamentale, që ju posa e shtruat. E dij se të dy palët, Prishtina dhe Beogradi janë të gatshme të shohin dhe të kuptojnë realitetin...realitetin në terren. Marrëveshja për çështje të statusit, ndërmjet palëve do të jetë e pamundshme dhe vendimin duhet ta marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Beogradi duhet në mënyrë reale të shikoj se çfarë opsionesh ka në Kosovë dhe, në harmoni me këtë, të kuptoj dhe të lëvizë në mënyrë të përgjegjshme drejt statusit final. Beogradi duhet të mendoj më tepër për të ardhmen e serbëve të Kosovës dhe si ata dëshirojnë ti rregullojnë marrëdhëniet me shqiptarët në Kosovë, derisa të vazhdojnë të jetojnë afër njëri-tjetrit për shumë e shumë vite dhe shpresoj, për shekujt që vijnë. Beogradi duhet poashtu ta vlerësoj bashkëveprimin ndërmjet çështjes së Kosovës dhe interesave të tjerë madhorë për Serbinë dhe të kuptoj, përfundimisht, se çka ka ndodhë në Kosovë në 10 vitet e fundit. Në anën tjetër, Prishtina duhet të kuptoj se kurrë nuk do të jetë e mundshme të shkëputen marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Beogradit. ky është proces normal dhe duhet shkuar kah statusi duke i kuptuar këto çështje. Për këtë arsye, unë dyshoj se ekziston mundësia që të dy palët të arrijnë marrëveshje. Por, nëse marrëveshja arrinë nga jashtë, atëherë mos pritni që marëveshja të jetë korrekte. Në një masë ajo do të jetë arbitrare. Pra, nëse Prishtina dhe Beogradi nuk merren vesh, atëherë Bashkësia ndërkombëtare do të marrë vendim për ta. Bashkësia ndërkombëtare do të jetë e shqetësuar për çështjen e stabilitetit në rajon dhe jo gjithaq për përmirësimin e jetesës së njerëzve. Këtë Prishtina dhe Beogradi duhet ta kenë parasysh.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, çfarë statusi do të ketë Kosova?

ALEX GRIGOREV
Mendoj se duhet të presim dhe të shohim. Pritëm aq shumë vite dhe mendoj se duhet të kemi pak më tepër durim. Pra, unë do të sugjeroja vetëm të presim e të shohim pak më gjatë.

Intevistoi Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG