Ndërlidhjet

logo-print

BYRNES:"VERIU - SFIDA E MADHE E KOSOVËS"


Shaun BYRNES, ish diplomat i SHBA-ve

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbi decentralizimin kanë përfunduar, por me një hendek të madh në mes të të dyja palëve. Si do të ndikojë kjo çështje në procesin e përgjithshëm të definimit të statusit?

SHAUN BYRNES
Unë nuk e di saktësisht se çfarë ka në mendje zoti Ahtisaari mbi këtë çështje. Me siguri ndikimi do të jetë i aspektit psikologjik, që do të thotë se do të përcaktohet pikëpamja e tij mbi nivelin e bashkëpunimit të të dyja palëve në përpjekjet e tyre për t’u marrë me këtë çështje shumë të ndjeshme. Është e qartë se substanca e qasjes që do të ketë veçanërisht pala kosovare në këtë drejtim do të ndikojë në atë që do të ndodhë. Unë mendoj se zoti Ahtisaari dhe zoti Rohan do të marrin elementet më të mira nga qëndrimet e të dyja palëve dhe do të hartojnë një zgjidhje e cila mbase do të jetë e imponuar. Dhe nëse më lejohet, do të thosha se ekziston një rrezik i madh këtu, në qasjen se si do të trajtohet çështja e institucioneve paralele serbe. Ky problem duhet të trajtohet në atë mënyrë që këto institucione të shkrihen në Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që shteti i ri i Kosovës të jetë tërësisht funksional. Kam frikë se kjo nuk do të mund të bëhet dhe për pasojë, institucionet paralele do të vazhdojnë të mbeten, duke u shndërruar në burim konfliktesh dhe duke pamundësuar funksionalitetin e plotë të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit pret nga të gjitha palët e përfshira që statusin ta zgjidhin brenda vitit 2006. Çfarë mund të rrezikojë një synim të këtillë?

SHAUN BYRNES
Natyrisht, një prej gjerave që do të mund ta rrezikonte këtë qëllim është dhuna në Kosovë, vazhdimësia e sulmeve kundër pakicave nga nacionalistët kosovarë. Dhe mendoj se ky shqetësim është në mendjen e komunitetit ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mund të ndikojë referendumi i Malit të Zi në pozicionin e Serbisë gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës?

SHAUN BYRNES
Unë mendoj se po, në kuptimin politik. Atë që kam vërejtur deri më tash është se zoti Tadiç, ka bërë një hap përpara shumë të guximshëm, duke thënë se i pranon rezultatet e referendumit. Kjo nuk ishte e lehtë për të, ai personalisht ka favorizuar ruajtjen e bashkësisë shtetërore. Kjo është e rëndësishme për faktin se zoti Koshtunica nuk ka mbajtur një qëndrim kaq zemërgjerë. Tadiç dhe Koshtunica deri më tash kanë punuar shumë së bashku në politikat e tyre për Kosovën, por tani kemi një situatë në të cilën zoti Tadiç ka dalë në krye, ka bërë gjënë e duhur dhe ka pranuar realitetin, gjëra të cilat Koshtunica nuk i ka bërë. Për mendimin tim, këto zhvillime do t’i ndërlikojnë përpjekjet e tyre për të punuar së bashku dhe për të çuar përpara një qasje të përbashkët mbi çështjen e Kosovës, në kohën kur bisedimet mbi statusin përfundimtar marrin një dinamikë tjetër në qershor dhe korrik të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësia, e kushtëzuar apo jo, përmendet si një prej opsioneve më reale për Kosovën. Duke pasur parasyshë kundërshtimin e fuqishëm të Serbisë, si do të bindet Beogradi për ta pranuar Kosovën si të pavarur?

SHAUN BYRNES
Natyrisht, kjo çështje është ajo me të cilën komuniteti ndërkombëtar është duke luftuar dhe rreth së cilës përpiqet të gjejë përgjigje. Mund të mos jetë e mundshme që Beogradi të bindet të pranojë atë që komuniteti ndërkombëtar e cilëson si një marrëveshje të ndershme. Në këtë kuptim, reagimi i serbëve për pavarësinë e Malit të Zi nuk ishte edhe aq trimërues. Në fund, unë kam frikë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’ia imponojë zgjidhjen Serbisë dhe një gjë e këtillë do të mund të rrezikojë krijimin e një situate më të ndërlikuar që do të mbetej e këtillë për vite me rradhë. Situata ideale do të ishte ajo në të cilën Serbia pranon pavarësinë e Kosovës dhe pranon të ndërtojë raporte të mira me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, pritjet janë që vendimin për statusin përfundimtar ta marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Si do të duket ky vendim, a do të ketë rezolutë të re?

SHAUN BYRNES
Nuk e di përgjigjen e saktë për këtë pyetje, por e di se janë duke u zhvilluar shumë diskutime mbi këtë çështje, pra mbi një rezolutë të re. Sinqerisht, unë mendoj se kjo do të jetë rruga që do të ndiqet në këtë rast.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa nga ata që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës pohojnë se një status i këtillë do të jetë presedan. Çfarë mendoni për pohimet e këtilla?

SHAUN BYRNES
Unë mendoj se kjo çështje është shumë serioze. Presidenti rus Putin për shembull vazhdon të insistojë se zgjidhja për Kosovën duhet të zbatohet mbi parimet universale. Në fakt, unë mendoj se rusët, e mbase edhe kinezët, do të përpiqen të shfrytëzojnë çështjen e Kosovës, në të cilën personalisht mendoj se asnjëra palë nuk ka interes të madh, për të përfituar vetë. Kam dëgjuar një zyrtar të lartë rus para disa ditësh të ketë thënë se Kosova mund të shfrytëzohet si model në disa nga republikat e vogla të ish Bashkimit Sovjetik, në territoret si Abkhazia dhe Osetia Jugore. Në të njejtën kohë, nacionalistët rusë do të mund ta shfrytëzonin Kosovën madje si presedan për Krimean, e cila, ndonëse me shumicë ruse, i është bashkuar Ukrainës me një vendim të zotit Hruschov më 1956.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si mendoni se do të duket veriu i Kosovës pasi të jetë definuar statusi. A jeni optimist se një zgjidhje e arsyeshme mund të arrihet?

SHAUN BYRNES
Nga natyra jam optimist dhe shpresoj se një zgjidhje e arsyeshme mund të arrihet, por për mendimin tim, veriu është qendra e problemit. Komuniteti ndërkombëtar dhe të dyja palët duhet të gjejnë mënyrën për ta integruar veriun e Kosovës. Unë personalisht, jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë çështje, kjo është një sfidë e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si e shihni integrimin, çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet vendore në këtë drejtim?

SHAUN BYRNES
Shumë thjesht, institucionet ekzistuese, pra strukturat paralele, rreth të cilave folëm pak më parë duhet të shpërbëhen dhe të zëvendësohen nga strukturat udhëheqëse që do të vendosen nga autoritetet në Prishtinë ose duhet që vëmendja e këtyre strukturave paralele të përqëndrohet në Prishtinë dhe jo në Beograd. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar synon të krijojë një situatë në të cilën serbët, që jetojnë në veriun e Kosovës, të mund të kenë raporte formale me Beogradin dhe Beogradi të ketë një lloj të drejte për të ndihmuar në përgjithësi komunitetin serb, por vetëm nëse kjo e drejtë dhe kjo përgjegjësi kalon nëpërmjet autoriteteve në Prishtinë. Këtu qendron çelësi i këtij problemi. Deri më tash, Beogradi nuk ka shprehur gatishmëri për t’u pajtuar me një qasje të këtillë, madje ka trimëruar popullatën serbe në veri që të mos marrë pjesë në institucione. Unë mendoj se në mesin e kësaj popullate, ka elemente të shëndosha që e njohin realitetin, që duan të jetojnë në Kosovë dhe që e dinë se Kosova do të jetë e pavarur. Por, Beogradi nuk i lejon ata të marrin pjesë në këto procese dhe kjo qasje duhet të ndryshojë, nëse synohet reintegrimi i padiskutueshëm i veriut të Kosovës.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG