Ndërlidhjet

logo-print

CHADBORNE: “GJYKATAT NË KOSOVË FUNKSIONOJNË SI UJËDHESA TË VOGLA”


Arbana Vidishiqi

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të dështojë për viktimat, përkundër pranisë shtatë vjeçare të administratës ndërkombëtare. Ky është përfundimi i raportit të organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, i cili është publikuar sot mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë, pas trazirave të marsit të vitit 2004. Në raport thuhet se më shumë se dy vjet që prej trazirave të marsit, vetëm 426 individë janë akuzuar në ndërlidhje me këtë dhunë, po kryesisht për vepra minore siç janë plaçkitjet. Si shkaqe kryesore të gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, kjo organizatë numëron zbatimin joadekuat të reformave të rekomanduara tre javë pas trazirave të marsit, krijimin e njësive të posaçme të policisë, të cilat kanë qenë të shkëputura nga procesi i përgjithshëm i hetimeve, koordinimin e mangët në mes të policisë ndërkombëtare, asaj vendore dhe prokurorëve dhe mungesën e mbikqyrjes së sistemit të drejtësisë nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Julie Chadborne, përfaqësuese e HRW në Kosovë thotë se gjendja është e rëndë, por nuk është e papërmirësueshme.
“Mendoj se tani kemi rastin e përshtatshëm për ta bërë këtë, në kohën kur institucionet vetëqeverisëse sapo kanë marrë përgjegjësi të reja në këtë drejtim dhe bisedimet për statusin do të fillojnë së shpejti, pra është një periudhë sfiduese, ku njerëzit janë duke marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi, të cilat nëse zbatohen me qasje pozitive, mund të arrijmë atje ku duam”, thotë zonja Chadborne. Ajo thotë se masat konkrete për të arritur në cak kanë të bëjnë me reformat brenda gjykatave. “Gjykatat aktualisht janë duke funksionuar si ujëdhesa të vogla, gjykatësit dhe prokurorët duhet të fillojnë të shfrytëzojnë sistemin e të dhënave, të komunikojnë dhe të funksionojnë si një komunitet gjyqësor”, thotë zonja Chadborne. Ajo thotë se është i domosdoshëm edhe reformimi i gjykatave sipas rasteve që trajtohen dhe krijimi i policisë gjyqësore.
“Tani për tani, prokurori është shefi, është ai që nget veturën, por gjithashtu është ai që duhet të dijë se nga është duke shkuar vetura e tij, në mënyrë që të pasqyrohen të dhënat që përcaktojnë fajësinë apo pafajësinë e një personi”.
Në këtë kuadër, si një prej masave që do të ndihmonte sistemin e drejtësisë, Julie Chadborne përmend edhe programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, për të cilin në raport thuhet se është joefektiv.
“Po të kishim një program më të mirë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe rivendosjen e tyre, atëherë njerëzit do të ishin më të gatshëm të flasin për rastet e ndjeshme, veçanërisht për rastet politike, krimet e luftës, rastet e krimit të organizuar dhe të krimit kundër pakicave”, thotë zonja Chadborne, duke shtuar se të gjithë ata që janë të përfshirë në sistemin e drejtësisë, e dinë se çështja e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, në fakt ka qenë pengesë për arritjen e drejtësisë. Megjithatë, ajo tha se paralelisht duhet të zhvillohen edhe hetime të hollësishme në cilindo rast, ku mundësia për diçka të tillë ekziston.
XS
SM
MD
LG