Ndërlidhjet

HAZIRI: PLATFORMA E SERBISË PËR NEGOCIATA E PAPRANUESHME


Albana Isufi, Prishtinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri e ka quajtur të papranueshme platformën e fundit të qeverisë serbe për statusin përfundimtar të Kosovës.
Qeveria serbe ka paraqitur sot platformën, sipas së cilës Kosova parashihet të mbetet pjesë përbërëse e Serbisë, me një autonomi në shkallë të gjerë, e cila do të garantohej ndërkombëtarisht.
Zoti Haziri i tha Radios Evropa e Lirë se kompromisi i fundit për palën kosovare është pavarësia.
“Është joreale dhe është në kundërshtim me interesat e popullit të Kosovës, qëndrimi ynë mbetet që kompromisi i vetëm është pavarësia, shtetësia me sovranitet të plotë, që nënkupton të drejtat e barabarta për të gjithë banorët, ku do të respektoheshin vlerat demokratike”, tha Haziri.
Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konsiderojnë se atë çka njëra anë e propozon si zgjidhje, pala tjetër nuk do ta pranojë. Sipas anëtarit të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë Dragisha Kërstoviq, platforma e e qeverisë serbe mbi Kosovën do të refuzohet pasi tashmë dihen qëndrimet.
“Ajo që unë e di është se ana tjetër që në fillim do ta refuzojë si diçka që është e papranueshme dhe pastaj do të vijmë në të njëjtin pozicion në të cilin jemi tani, prandaj duhet vazhduar me bisedime. E di qëndrimin që mbizotëron tek komuniteti shqiptar dhe tani ka disa pozicione të papajtueshme dhe këtu duhet edhe më tej të bisedohet”, thotë Kërstoviq.
Platforma serbe parasheh që me Prishtinën të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare në kohëzgjatje prej 20 vjetësh, nënshkrues të së cilës do të ishin Kombet e Bashkuara dhe Serbia e Mali i Zi si subjekte ndërkombëtare.
Por, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, i cili ka udhëhequr tre herë delegacionin e Kosovës në bisedimet mbi decentralizimin të mbajtura në Vjenë, thotë se platforma e qeverisë serbe nuk paraqet tjetër, përveç një kthim mbrapa.
“Kjo formulë që tani më në platformën e Beogradit na përkujton neve kushtetutën e 74-tës, që u tregua joefikase, është treguar e paimplementueshme në kuptimin e zbatimit të të drejtave të plota, kushtëzuese dhe vetë Serbia ka qenë ajo që e ka ngulfatur. Kthimi mbrapa për 30 vjet me formula të njëjta për ne është i paqëndrueshëm dhe jorealist”.”
Ndërkohë, një nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Dragisha Kërstoviq, thekson se për shkak të qëndrimeve të kundërta mes Prishtinës dhe Beogradit, i mbetet bashkësisë ndërkombëtare që të ofrojë ndonjë zgjidhje.
“Duhet kërkuar ndonjë vendim kompromisi, në të cilin unë nuk besoj dhe jam i bindur se në fund do ketë një zgjidhje të imponuar edhe me çmimin e rregullimit të disa normave juridike ndërkombëtare”, tha Kërstoviq.
Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri është i bindur se në fund bashkësia ndërkombëtare do të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Unë besoj se zgjidhja e statusit përfundimtar do të korrespondojë me pavarësinë e Kosovës, e cila do të detyrohet nga Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit”.
Ndryshe, qeveria serbe do t’ia dorëzojë sot platformën e saj të fundit rreth Kosovës anëtarëve të Grupit të Kontaktit, BE-së dhe të dërguarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisari.
Pala kosovare në bisedimet me Beogradin, që kanë filluar në shkurt, ka hyrë me platformën për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke përjashtuar çdo opsion të ndarjeve territoriale etnike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG