Ndërlidhjet

NESËR MBAHEN BISEDAT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE NË VJENË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Delegacioni i Kosovës që sot arrin në Vjenë, ku nesër do të marrë pjesë në takimin me delegacionin e Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, është mjaft i përgatitur për të diskutuar çështjet e ekonomisë, tha sot për radion Evropa e Lirë, zoti Skënder Hyseni, kryesues i delegacionit.
Zoti Hyseni, i cili është këshilltar politik i presidentit Fatmir Sejdiu, tha se agjenda që e ka propozuar moderatori i takimit parasheh diskutimet lidhur me borxhet e jashtme dhe ndarjen e tyre, si dhe për pronën, që edhe pritet të jenë temat bosht të takimit. Zoti Hyseni tha se këto janë çështje të mëdha, por edhe delegacioni i Kosovës është i përbërë nga ekspertë me kompetencë dhe përfaqësues politikë të të gjitha partive kryesore:
"Çështja e borxheve të jashtme ndoshta është çështja më e qartë dhe më lehtë e zgjidhshme, pasi në të shumtën e rasteve dihen përfituesit përfundimtarë të atyre borxheve, përkatësisht huave e kredive të ndryshme nga Banka Botërore, por edhe nga kreditorë të ndryshëm," tha zoti Hyseni, sipas të cilit Kosova do të ndjekë vijë parimore duke respektuar parimet ndërkombëtare.
Megjithatë, delegacioni i Kosovës paralajmëron se në takim do të shtrohet edhe një sfond çështjesh që lidhen me ekonominë dhe duhet të shtrohen patjetër, siç është çështja e pensioneve dhe e kursimeve devizore. Ndërkaq, çështja që assesi nuk mund të anashkalohet është ajo e dëmeve që Serbia ka shkaktuar në Kosovës gjatë okupimit, siç u shpreh zoti Hyseni:
"Domosdoshmërisht dhuna dhe padrejtësitë ndaj njerëzve, pra kompensimi për padrejtësisë që janë bërë nga viti 1989 e këndej dhe natyrisht edhe dëmi kolektiv që i është shkaktuar Kosovës".
Në anën tjetër, as përfaqësuesit e zyrës së zotit Ahtisari nuk e kanë përjashtuar mundësinë që delegacionet të ngenë çështje jashtë agjendës së përgjithësuar të zotit Ahtisari, që do të thotë se mund të diskutohet edhe për kompensimin e dëmeve të luftës, nëse pala kosovare kërkon një gjë të tillë.
Ashtu si zëdhënësi i zyrës së presidentit Ahtisari, Remi Durlout, edhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se nuk besonte se çështje kaq të mëdha si çështjet ekonomike mund të zgjidhen me një takim.
Për më tepër edhe vetë përbërja e delegacionit tregon se nuk presim që do të zgjidhen të gjitha çështjet në këtë takim, por delegacioni do ta konsiderojë të suksesshëm takimin, në rast se do të arrihet të qartësohet korniza ekonomike për zgjidhjen e kontesteve të shumta ekonomike, tha zoti Hyseni, sipas të cilit zgjatja e eventuale e diskutimeve për çështje të ekonomisë nuk do të thotë dinamikë e ngadalësuar e procesit të përcaktimit të statusit.
"Unë jam i sigurt se statusi mund të zgjidhet brenda këtij viti dhe ka çështje sidomos në fushë të ekonomisë, që nuk lidhen ngushtë domosdoshmërisht me zgjidhjen e statusit – statusi përfundimtar nuk mund të presë zgjidhjen e disa çështjeve ekonomike".
Deri më tani janë mbajtur pesë takime ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Vjenë, që të gjitha të ndërmjetësuara nga zoti Albert Rohan, ku është diskutuar për decentralizimin dhe për trashëgiminë kulturore dhe fetare në Kosovë, ndërkohë që përfaqësues të zyrës së zotit Ahtisari kanë thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të veçanta pa një zgjidhje të përgjithshme, domethënë pa statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG