Ndërlidhjet

logo-print

DREJTUESIT VENDORË TË DREJTËSISË NUK PRANOJNË KRITIKAT E HRW


Albana Isufi, Prishtinë

Vlerësimi i organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar të mbrojë viktimat e trazirave të marsit, është hedhur poshtë nga autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare.
Një ditë pas publikimit të raportit, kreu i Gjykatës Supreme Rexhep Haxhimusa, thotë se vlerësimet janë të hershme, pasi ende nuk kanë përfunduar të gjitha rastet, që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004, ku patën gjetur vdekjen 19 persona.
“E keqja më e madhe është që në opinion, OJQ, që i trajtojnë këto çështje, e marrin si çështje të përfunduar një fazë të procedurës penale, një fazë të zhvillimit të gjyqësorit të Kosovës. Për sa e di, është një numër relativisht i çështjeve nuk ka përfunduar dhe ne ende nuk i kemi ekzaminimet e sakta nga organizmat, që merren me këtë çështje”, thotë Haxhimusa.
Ndërsa, kryeprokurori i Kosovës Hilmi Zhitia, thotë se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me trazirat e marsit, prokuroria ua ka dorëzuar gjykatave përkatëse.
“Ato çështje që kanë ardhur nga njësitet e policisë, ato nga prokuroritë janë trajtuar dhe kanë shkuar. Ne i kemi dhënë raportet që 6-7 muaj në Ministrinë e Drejtësisë, çështjet kanë shkuar në gjyq, ato që kanë ardhur tek ne, mandej suksesin e tyre në gjyq nuk e kam përcjellë”, thotë Zhitia.
Në raportin e Human Rights Watch thuhet se më shumë se dy vjet që prej trazirave të marsit, vetëm 426 individë janë akuzuar në ndërlidhje me këtë dhunë, po kryesisht për vepra minore, siç janë plaçkitjet. Por, kjo është hedhur poshtë nga zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, i cili përmend raste kur të dyshuarit kanë marrë dënime të larta.
“Janë 56 raste më të rënda që janë trajtuar nga prokurorët ndërkombëtarë dhe janë dënuar 13 nga 25 të pandehur, me dënime që kanë shkuar deri në 18 vjet burg, janë 9 raste që po trajtohen me prioritet,” tha Neeraj Singh.
Por, kreu i Gjykatës Supreme Rexhep Haxhimusa, pranon se ka pasur raste, ku të akuzuarit kanë marrë dënime minimale.
“Intimisht t’ju them, për disa reagime të rasteve konkrete, as ne Gjykatën Supreme nuk kemi qenë të kënaqur, sepse sanksionet e shqiptuara sillen rreth minimumit të veçantë. Minimumi i veçantë në krahasim me veprat që janë akuzuar, është një politikë e tillë e trajtuar gati gjithmonë”, thotë Haxhimusa.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e saj ka thënë se në dështimet e sistemit të drejtësisë, hyn edhe mungesa e sigurisë për dëshmitarët e mbrojtur.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, që njëherësh është edhe kryetar i Këshillit Gjyqësor, pranon se ka vështirësi në sigurimin e dëshmitarëve dhe mbledhjen e dëshmive. Por, kjo sipas tij, nuk do të thotë se i tërë sistemi i gjyqësisë ka dështuar.
“Në mungesë të sigurisë së dëshmitarëve të mbrojtur, në mungesë të ofrimit të provave, të organeve që kanë bërë incizime të ndryshme për ngjarjet dhe kanë qenë dëshmitarë okularë, në rastin përfundimtar, finalizimi i tyre del deri dikund si i zvenitur. Por, kjo nuk paraqet realitetin”.
Zoti Haxhimusa thotë se duhet pritur përfundimi i tërësishëm i rasteve që kanë të bëjnë me trazirat e marsit, para se të jepet një vlerësim për gjyqësorin e Kosovës. Përderisa zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, ka pranuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë edhe për shumë përmirësime dhe se kjo punë duhet të vazhdojë jo vetëm tani, por edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG