Ndërlidhjet

SHQIPËRI: 17% E ADOLESHENTËVE KONSUMOJNË DUHAN


Alma Çupi, Tiranë

Më shumë se një e treta e popullsisë në Shqipëri është konsumatore e rregullt e duhanit. Kjo është statistika më e fundit e dalë nga Ministria e Shëndetësisë në ditën ndërkombëtare kundër duhanit.
Ajo që specialistët konstatojnë si shqetësues, është fakti se numri i konsumatorëve të duhanit po rritet tek adoleshentët. Nga 13 përqind e adoleshentëve që konsumonin duhan një vit më parë, këtë vit llogaritet se 16.8 përqind e adoleshentëve janë konsumatorë të rregullt të cigareve. Gjithashtu numri i femrave po barazohet me atë të meshkujve në konsumimin e duhanit.
Koordinatori kombëtar për luftën kundër duhanit Roland Shuperka, thotë për radion Evropa e Lirë, se duhan po përdorin edhe fëmijët nën moshën 14 vjeç.
"Në klasat e 7-ta e të 8-ta, si dhe në vitet e para dhe të dyta të shkollave të mesme, në bazë të një studimi që është bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes Qendrës së Sëmundshmërisë në Atlanta të SHBA-ve, tregohet që 16.7 përqind e këtyre nxënësve përdorin apo pinë duhanin. Ajo që është mjaft shqetësuese është se po 16 përqind mendojnë që ta fillojnë vitin tjetër."
Më tej koordinatori për luftën kundër duhanit Shuperka, thotë se po përgatitet ligji që do të ndalojë përdorimin e duhanit në të gjitha ambientet publike, dhe madje nuk do të lejohet blerja e tij nga të rinj nën moshën 18 vjeç.
"Shteti tani po përgatitet për të miratuar ligjin për kontrollin e duhanit, i cili do të ndalonte duhanpirjen në të gjitha vendet publike dhe në të gjitha mjediset shkollore, vendet e punës, sa në restorante dhe lokale dhe do të ndalojë të gjitha reklamat e duhanit. Do ndalohet edhe shitja e duhanit për fëmijët nën 18 vjeç".
Sipas studimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë shqiptarët në vit shpenzojnë 320 milionë dollarë për duhan, që shkakton sëmundje vdekjeprurëse.
Sot në ditën ndërkombëtare kundër duhanit, nxënës të shkollave të mesme u bënë apel moshatarëve të tyre që të mos bëhen përdorues të duhanit. Gjithashtu po sot në Tiranë janë shpërndarë fletëpalosje ku tregohen dëmet që shkakton duhani.

XS
SM
MD
LG