Ndërlidhjet

DUHANIN E KONSUMON 1/3 E POPULLATËS KOSOVARE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Të dhënat e fundit mbi konsumin e duhanit në Kosovë flasin se 1/3 e popullatës, apo më shumë se 600 mijë kosovarë, janë konsumues të rregullt të duhanit.
Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Duhanit, Xhavit Bicaj, kryetar i Shoqatës për Luftë Kundër Kancerit në Kosovë, thotë se kohët e fundit numrin më të madh të konsumuesve të duhanit e përbëjnë të rinjtë. Bujar Jashari, 20 vjeç, është student në vitin e dytë në Fakultetin Juridik dhe duhanin e konsumon që prej 5 vjetësh. Duke pranuar se duhani i është bërë shprehi, ai thotë se nuk i mjafton një pako cigare në ditë.
“Po, e pi më shumë në shoqëri,kur dal të pi kafe. Kjo koha, mesi i ditës, muhabeti, kafja, nuk mundesh të kontrollosh veten sa cigare i pi,vetëm kur sheh pakon e duhanit thatë,” thotë zoti Jashari.
Por nuk janë vetëm të rinjtë duhanpirës në Kosovë.
Adem Aliu, 70 vjeç, tregon se ka më shumë se 35 vjet që është konsumues i rregullt i duhanit dhe për të duhani ka ndikim qetësues. Zoti Aliu thotë se mund ta përballojë mungesën e cilitdo artikull ushqimor, por jo edhe mungesën e duhanit.
“Unë pa cigare nuk mundem të rri, sepse e ndiej veten më të qetësuar, më mirë më shkon dita. Në mëngjes si të zgjohem, kurrgjë nuk ha, veç e ndez cigaren, pastaj pas buke,një pas një,deri kur të shkoj me fjetë. I pi tre pako cigare”, tha zoti Aliu.
Pirja e duhanit krijon varshmëri organike dhe psikologjike, thotë doktori Xhavit Bicaj.
“Duhani është një prej drogave të lehta. Sipas disa studimeve,mbi 70 përqind të duhanpirësve lidhen me ritualin e duhanit, ndezjes dhe tymit që tymos. Sikur të prodhohet duhan pa tym, me siguri se 50 përqind e duhanpirëseve do të kishin ndërprerë konsumin e duhanit”, tha doktor Bicaj.
Zoti Bicaj, thotë se Kosova është ndër vendet e pakta ku akoma lirshëm pihet dhe reklamohet duhani dhe produktet e tij. Sipas tij, zvogëlimi i numrit të duhanpirësve në Kosovë, do të ndodhë vetëm atëherë kur të hyjë në fuqi ligji për konsumin e duhanit.
“Ndoshta një ligj i tillë, do të ishte i mirëseardhur,që së paku të kufizohet duhanpirja dhe të kursehen ata që nuk e pinë duhanin, prej atyre që e konsumojnë këtë”, tha zoti Bicaj.
Por, qytetarët japin mendime të ndryshme rreth ligjit. Zotit Aliu thotë se nuk mund ta ndërpresë pirjen e duhanit, kurse zoti Jashari pohon se edhe në institucionet publike duhet të lihen vende të caktuara edhe për duhanpirësit.
"Nëse do e kishin ndërprerë në fakultete, besoj se duhet të lënë vende të posaçme për pirjen e duhanit dhe kjo nuk do të ishte problem për mua”, tha zoti Jashari.
Ndryshe, Ligji për Duhanin është miratuar nga Kuvendi i Kosovës,por është ende në pritje të nënshkrimit të shefit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, Soren Jesen Petersen. Përveç në disa pjesë të institucioneve qendrore, duhani konsumohet pothuajse në çdo vend, përfshirë këtu shkollat dhe spitalet.
XS
SM
MD
LG