Ndërlidhjet

EKSPERTËT MBËSHTESIN QËNDRIMIN E DELEGACIONIT KOSOVAR PËR EKONOMINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekspertë të ekonomisë në Kosovë thonë se nuk kanë pritur ndonjë rezultat pozitiv nga takimi i djeshëm në Vjenë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, pasi çështjet e ekonomisë kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur, e shpesh kërkojnë edhe arbitrazh ndërkombëtar.
Muhamet Sadiku, anëtar i grupit punues për çështje të ekonomisë në kuadër të ekipit negociues të Kosovës, tha se pakkush ka pritur që në takimin e djeshëm do të zgjidheshin kontestet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos kontestet që kanë të bëjnë me çështjet ekonomike:
"Këto biseda lidhur me çështjet ekonomike nuk do ta rrezikojnë procesin e zgjidhjes së problemeve politike. Kështu që duhet pritur që edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të kemi biseda rreth zgjidhjes së disa problemeve ekonomike".
Ndërkaq, Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës, e ka quajtur të drejtë qëndrimin e palës kosovare për mospranimi i kërkesave të Serbisë lidhur me borxhet, pasi bashkë me obligimet dalin edhe të drejtat:
"Ne kemi deklaruar se pranojmë obligimet që janë shpenzuar të kredive të Bankës Botërore për objektet ekonomike në Kosovë. Për ato ka garantuar ish-Jugosllavia dhe ne themi se pranojmë ato obligime për t'i kthyer, normalisht nëse faktori ndërkombëtar na pranon në pjesëmarrjen e sukcedimit të pronës së patundshme të ish-Jugosllavisë".
Zoti Limani tha se nuk është Serbia ajo që duhet të kërkojë dëmshpërblime nga Kosova, por përkundrazi:
"Serbia s’ka çka kërkon nga ne, por ne nga Serbia. Kjo është e vërteta sepse ajo ka bërë shumë dëme, pastaj edhe plaçkitje si ajo e pajisjeve, uzurpimi i deponimeve në dinarë dhe deviza dhe tjetërsimi i pronës përmes ligjeve diskriminuese", tha zoti Limani, ndërsa eksperti Sadiku tha se Kosova e ka përgatitur faturën e përgjithshme të kërkesave të saj ndaj Serbisë dhe po vazhdon të punojë në këtë drejtim.
"Ekzistojnë vlerësime të përgjithshme, por pala kosovare vazhdon t’i thellojë vlerësimet dhe t’i specifikojë kërkesat e veta, kështu që në periudhën e ardhshme mendoj se Serbisë do t’u parashtrohet një faturë e konsoliduar lidhur me dëmet e saj në të kaluarën".
Zoti Muhamet Sadiku tha se çështjet e këtilla mund të zgjidhen në fund të fundit përmes presionit dhe përfshirjes ndërkombëtare:
"Nga e kaluara nxirren mësime se në raste të tilla kërkohet një presion dhe involvim i fortë ndërkombëtar. Unë mendoj se edhe për çështjet ekonomike dhe për çështjet e tjera që burojnë nga konteksti i tanishëm i zgjidhjes së statusit të Kosovës, kërkohet një involvim të madh ndërkombëtar".
Sipas zotit Musa Limani, ndërkaq, kjo çështje nuk është e vështirë për t'u konstatuar, sepse ekzistojnë dokumentet e nevojshme:
"Kosova e ka konstatuar në mënyrë shumë profesionale, metodologjike-shkencore të gjitha obligimet dhe të gjitha dëmet që i ka bërë dhe është e caktuar vlera se sa dëme ka shkaktuar Serbia dhe sa ka borxh ndaj Kosovës. Nëse ajo nuk i pranon, është gjyqi ndërkombëtar që i zgjidh këto probleme, pra arbitrazhi ndërkombëtar".
Sidoqoftë, anëtarë të delegacionit të Kosovës kanë paralajmëruar bisedime më të gjata lidhur me çështjet e ekonomisë, para së gjithash për ndarjen e borxheve, për dëmet e luftës dhe privatizimin, por zgjatja e këtyre bisedimeve nuk konsiderohet pengesë për vetë procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG