Ndërlidhjet

PRISHTINË: FORMOHET KËSHILLI I SIGURISË PËR KOMUNITETET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen janë marrë vesh sot për formimin e Këshillit të Sigurisë për Komunitetet. Ky këshill do të drejtohet nga kryeministri i Kosovës, kurse pjesë e tij do të jenë dhe strukturat udhëheqëse të KFOR-it, UNMIK-ut dhe Policisë. Ky këshill, sipas kryeministrit Çeku, do t’i paraprijë formimit të Këshillit Nacional për Siguri:
“Që nga sot ne do ta formojmë Këshillin për Sigurinë e Komuniteteve në Kosovë, këshill që do t’i paraprijë Këshillit Nacional të Sigurisë, kështu që ne do t’i adresojmë çështjet e sigurisë, në radhë të parë të të gjitha komuniteteve, por në radhë të parë të komuniteteve pakicë”, tha Çeku.
Duke vlerësuar gjendjen e përgjithshme të pakicave, posaçërisht të asaj serbe dhe shqetësimet e vazhdueshme që shprehen për situatën e sigurisë, kryeministri Agim Çeku shprehu bindjen e tij se shqetësimet për pasigurinë, pakica serbe i ka më tepër si bindje psikologjike:
“Jam plotësisht i bindur që pasiguria është ndjenjë e tyre, nuk është realitet, problemi është që ata me siguri e kanë të garantuar lirinë e lëvizjes dhe janë të sigurt në Kosovë, e kanë këtë të drejtë, ne këtë të drejtë ua garantojmë, por është problem që ata këtë të drejtë nuk e shfrytëzojnë dhe duke mos e shfrytëzuar këtë të drejtë, kanë krijuar një bindje se nuk janë të lirë të lëvizin dhe nuk janë të sigurt”, theksoi Çeku.
Në takimin e sotëm, të kreut të qeverisë së Kosovës dhe atij të UNMIK-ut, është biseduar dhe në lidhje me përmbylljen e misionit të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë fund misionit administrues përmes UNMIK-ut dhe aranzhimeve të tjera ndërkombëtare që parashihen me rolin e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. Ndërkohë që statusi i Kosovës po zgjidhet, UNMIK-u do të largohet nga Kosova, tha Jessen Petersen duke paralajmëruar që BE-ja të fillojë aranzhime të reja në Kosovë:
“Me implementimin e standardeve, Kosova vetëm se po e bënë atë që nga ajo do të kërkohet në procesin e integrimit evropian. UNMIK-u tashmë një vit ka filluar me zvogëlimin e numrit dhe stafit dhe është logjike, sepse ne po përgatitemi për largim nga Kosova”, tha Jessen Petersen. Me përcaktimin e statusit, brenda pak muajve do t’i vijë fundi UNMIK-ut dhe Rezolutës 1244, prandaj ne tash jemi duke biseduar me autoritet vendore, për misionet e ardhshme të OSBE-së, NATO-s dhe BE-së, tha shefi i UNMIK-ut.
Kryeadministratori Jessen Petersen tha po ashtu se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti, pritet të merret nesër, gjatë një takimi që ai do të zhvillojë me ekipin negociues për statusin e Kosovës. Petersen tashmë është shprehur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe për këtë nismë ai ka marrë përkrahjen e partive në pushtet, kurse ka hasur në kundërshtimin e partisë së dytë opozitare Ora.
XS
SM
MD
LG