Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN:"ZGJIDHJA PËR KOSOVËN NUK DUHET ZHAGITUR"


Soren Jessen PETERSEN, shef i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti që do ta prezantoni para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi përmbushjen e standardeve do të ketë një ndikim vendimtar mbi zhvillimet e ardhshme politike. Si e vlerësoni përmbushjen e deritashme të këtyre standardeve?

SOREN JESSEN PETERSEN
Mendoj se deri në raportin tim të fundit në shkurt të këtij viti, kemi pasur një periudhë për të cilën unë kam shprehur shqetësimin tim mbi ngecjet në përmbushjen e standardeve, e në disa fusha madje edhe kthim prapa. Por, tani kemi parë një qasje të re, pas arritjes së udhëheqjes së re politike. Tani është e qartë se ka një përkushtim të ri në përpjekjet për të përmbushur standardet dhe gjithashtu e ndjej se tani ka një sinqeritet të vërtetë në përpjekjet për t’i shtrirë dorën serbëve të Kosovës në veçanti. Pra, që prej marsit ka rezultate trimëruese, por duhet të shohim edhe më shumë rezultate. Mendoj se ka dy arsye pse rezultatet kanë qenë trimëruese, por ende jo të mjaftueshme. Në rradhë të parë, kryeministri Agim Çeku është në pushtet për më pak se tre muaj dhe në këtë periudhë kemi parë rezultate dhe qasje pozitive, por tani duhet që kjo qasje të konfirmohet. Arsyeja e dytë pse ka kufizime është mosangazhimi i vazhdueshëm i serbëve të Kosovës në proceset e përgjithshme. Meqë jemi kryesisht të përqëndruar në përmirësimin e kushteve të jetesës për pakicat, është shumë e vështirë kjo të bëhet nëse serbët e Kosovës nuk janë pjesë e proceseve, e institucioneve demokratike dhe dialogut. Dhe është shumë e vështirë me masat që po ndërmerr Beogradi, të cilat e sforcojnë edhe më shumë izolimin e serbëve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, decentralizimi shihet si një prej çështjeve më të ndjeshme. Ju jeni takuar me udhëheqësit kosovarë dhe keni kërkuar prej tyre më shumë fleksibilitet mbi këtë proces, por ata thonë se kanë ofruar mjaft. Çfarë mendoni ju?

SOREN JESSEN PETERSEN
Para se të takohesha me ju, zhvillova një takim me Grupin Negociator. Unë e kam mirëpritur faktin se ata kanë shkuar në Vjenë me propozime shumë konstruktive dhe ky fakt është njohur edhe nga zoti Ahtisaari dhe zëvendësi i tij, zoti Rohan. Por, njëkohësisht ekziston ndjenja, të cilën e ndaj edhe unë, se ata duhet të jenë edhe më të hapur. Është mirë të prezantosh dokumente konstruktive, por duhet pasur edhe gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në bisedimet rreth këtyre dokumenteve. Në procesin e decentralizimit, zoti Rohan ka identifikuar fushat në të cilat ai beson se Kosova mund të bëjë më shumë. Unë pajtohem me të dhe sot i kam ftuar udhëheqësit kosovarë të jenë edhe më të hapur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për faktin se ekziston ndjenja se Beogradi, thënë në mënyrën më të butë, nuk ka qenë edhe aq konstruktiv sa Prishtina. Në mënyrë ironike, unë do të vëja një barrë edhe më të rëndë mbi Prishtinën, për të qenë edhe më e hapur. Për ta çuar përpara agjendën politike të këtij viti, nuk duhet pasur asnjë dyshim mbi përmbushjen e standardeve nga Prishtina dhe mbi angazhimin e saj konstruktiv në procesin e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni decentralizimin e Mitrovicës, a do ta ndajë apo do ta bashkojë ky proces këtë qytet?

SOREN JESSEN PETERSEN
Në rradhë të parë, decentralizimi duhet të bazohet në parimet e njejta të Kartës Evropiane dhe në shpërndarjen e përgjegjësive të njejta tek autoritetet lokale në mbarë Kosovën. Dhe këtu nuk mund të bëjmë dallime, kjo është e qartë. Është e qartë se në veri, decentralizimi është veçanërisht i rëndësishëm për komunat e banuara me shumicë serbe, sepse do t‘i sigurojë serbët e Kosovës mbi të ardhmen e tyre në këtë vend, me një shkallë të caktuar të qeverisjes lokale. Sa për Mitrovicën, unë mendoj se është e rëndësishme që të lëvizet nga situate në të cilën është sot, një ndarje de facto, drejt një integrimi në Kosovë, në rajon dhe në fund edhe në Evropë. Unë jam i bindur se pas 4-5 vjetësh, atëherë kur perspektiva evropiane për Serbinë dhe Kosovën bëhet reale dhe atëherë kur bisedimet do të zhvillohen në një kontekst më të gjerë evropian, atëherë të gjitha këto çështje mbi kuftijë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet tjera evropiane, nuk do ta kenë më rëndësinë e njejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej probleme në veri të Kosovës është funksionimi i strukturave paralele. Nga vëzhguesit ndërkombëtarë ato shihen si burim potencial për konflikte të reja, nëse qasja ndaj tyre nuk është e duhur. Cila do të ishte qasja më e mirë ndaj këtij problemi?

SOREN JESSEN PETERSEN
Unë besoj se secili duhet t’i njoh veçoritë e veriut, ndjeshmërinë e serbëve që jetojnë atje. Prandaj, mendoj se ky process duhet menaxhuar gjatë një periudhe tranzicionale. Nuk mendoj se kjo çështje duhet të shtyhet me çdo kusht, në një situatë kur frika mbi të ardhmen për shumëkë është e vërtetë, e për shumicën ka natyrë psikologjike. Prandaj, këtë çështje duhet menaxhuar gjatë një periudhe tranzicionale, me shpresën se strukturat e paligjshme paralele do të shkëputen. Por një gjë e këtillë mund të ndodhë vetëm nëse zëvendësohen me shërbime të ngjashme nga qendra, që në këtë rast domethënë Prishtina. Sikurse kemi parë edhe në pjesët tjera të rajonit, në Sllavoninë Lindore për shembull, nëse ky proces trajtohet me kohë dhe unë jam i sigurtë se pas një periudhe kalimtare kjo çështje do të rregullohet, duke e integruar veriun në Kosovë dhe duke i adresuar shqetësimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Kontaktit ka caktuar vitin 2006 si afat për zgjidhjen e statusit politik. A jeni optimist se ky synim mund të përmbushet?

SOREN JESSEN PETERSEN
Po, jam optimist. Por, më lejoni vetëm të them se Grupi i Kontaktit nuk ka caktuar afat. Grupi i Kontaktit ka caktuar si synim arritjen e një zgjidhje politike në vitin 2006. Të njejtën gjë e ka bërë edhe zoti Ahtisaari. Unë jam optimist sepse secili tashmë e ka të qartë se Grupi i Kontaktit ka thënë se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Pra, mendoj se është e qartë se çfarë rezultati mund të presim. Meqë kjo është e qartë nuk mendoj se do të përfitonim ndonjë gjë në kuptimin e stabilitetit, duke e shtyrë zgjidhjen politike, e madje mund të them duke e shtyrë të pashmangshmen. Menaxhimi i Kosovës për UNMIK-un është bërë pothuajse i paqëndrueshëm, për faktin se ka aq shumë çështje të cilat nuk mund t’i adresojmë për shkak të paqartësisë së statusit dhe në këtë kuadër më e rëndësishmja është ekonomia. Dhe përderisa vazhdojmë të kemi probleme në zhvillimin e ekonomisë, do të vazhdojmë të kemi probleme edhe tek sundimi i ligjit. Pajtimi do të jetë i vështirë, nëse nuk ndërtohet pajtimi mbi mundësitë ekonomike dhe për këtë mund të jap shumë shembuj. Së këndejmi, është e qartë se kjo situatë është e paqëndrueshme. Është gjithashtu e qartë se dallimet në mes të Beogradit dhe Kosovës do të jenë po aq të mëdha edhe pas pjesë vjetësh. Është më mirë që kjo çështje të adresohet tani, të zgjidhet dhe të bëhet e qartë se do të ketë garanca të fuqishme për pakicat, por nuk ka arsye për ta shtyrë. Kjo do të thoshte të vraposh rreth e përqark me dhimbje dhëmbi dhe të mos shkosh fare tek dentisti, duke bërë që kjo dhimbje të ndikojë edhe në pjesët të trupit më vonë. Duhet ta bëjmë tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo përmendët vullnetin e shumicës. Ju vetë dhe Grupi i Kontaktit keni thënë se vullneti i shumicës duhet të merret parasyshë në definimin e statusit. Si do të binden serbët e Kosovës dhe Beogradi ta pranojnë vullnetin e shumicës?

SOREN JESSEN PETERSEN
Është e shumë e rëndësishme që në këtë çështje të shtohet edhe fjalia e dytë, pra siç ka thënë Grupi i Kontaktit në takimin e Londrës, zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën, por këtu më duhet të shtoj një fjali po aq të rëndësishme se shumica duhet ta ketë të qartë se është përgjegjësi e saj që këtë zgjidhje ta bëjë të pranueshme edhe për pakicën. Nuk mund të ecim përpara duke menduar vetëm në atë që shumica dëshiron dhe duke injoruar ekzistencën e disa shqetësimeve shumë reale dhe legjitime të serbëve të Kosovës. Pra, zgjidhja natyrisht bazohet në pikëpamjet e shumicës, sikurse çdo kund tjetër, por është përgjegjësi e shumicës që këtë zgjidhje ta bëjë të pranueshme për pakicën.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, jeni angazhuar në bisedimet rreth rolit të ardhshëm të institucioneve ndërkombëtare në Kosovës, pasi të jetë definuar statusi. Cilat janë rekomandimet, cilat janë fushat në të cilat Kosova do të ketë nevojë për prani ndërkombëtare?

SOREN JESSEN PETERSEN
Pikë së pari, mendoj se ekziston një konsensus gjithnjë e në rritje tek komuniteti ndërkombëtar se organizimi në Kosovën e pas-statusit duhet të jetë me bazë vendore, kjo është çështja kryesore. Njëkohësisht duhet të ekzistojë përkrahja ndërkombëtare për këtë organizim vendor dhe natyrisht duhet të ekzistojë edhe mbështetja ndërkombëtare për të vëzhguar provizionet e zgjidhjes së statusit. Gjithashtu, ekziston një konsensus në rritje se prania ndërkombëtare pas statusit duhet të jetë sa më e “lehtë” që të jetë e mundshme, por sa më e fuqishme që të jetë e nevojshme. Ka konsensus dhe unë do të thosha madje marrëveshje se në çështjet kryesore, siç është sundimi i ligjit, për të cilat ne në UNMIK dhe institucionet vendore pajtohemi se kemi një rrugë të gjatë përpara, duhet të ketë një mission mbikqyrës të Bashkimit Evropian, për të shqyrtuar punën që ne jemi duke e bërë dhe për të siguruar se sundimi i ligjit është i qëndrueshëm dhe vendosmërisht i konsoliduar në Kosovë. Pra, mbi këtë çështje ka pajtueshmëri dhe marrëveshje dhe Bashkimi Evropian tashmë ka misionin e vet planifikues në Prishtinë. Ka marrëveshje se do të ketë nevojë edhe për OSBE-në, që do të luajë një rol të rëndësishëm vëzhgimi në terren dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe në fund, më e rëndësishmja, do të kemi nevojë për një prani të vazhdueshme ndërkombëtare të sigurisë dhe siç e dimë, NATO-ja është e përkushtuar të qëndrojë këtu. Pra mendoj se konturat apo elementet e arkitekturës së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të qarta, por siç e thashë edhe me parë, vendorët do të jenë kryesorët, prania ndërkombëtare sa më e “lehtë” që të jetë e mundshme dhe sa më e fuqishme që të jetë e nevojshme.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG