Ndërlidhjet

JAVËN E ARDHSHME MERRET VENDIMI PËR ZGJEDHJET LOKALE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me gjithë paralajmërimet e djeshme, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen nuk ka shpallur sot vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, që është dashur të mbahen këtë vjeshtë.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha se ndërkohë do t’u dërgojë një letër udhëheqësve të partive kryesore politike dhe vendimi pritet të merret gjatë javës së ardhshme. Këto komente zoti Petersen i bëri sot, pas një takimi me ekipin negociues të Kosovës, me ç’rast është folur edhe për procesin e deritashëm lidhur me përcaktimin e statusit.
Zoti Jessen Petersen tha se vonesa e marrjes së vendimit lidhur me zgjedhjet ka të bëjë me përpjekjen e tij për të krijuar një konsensus sa më të gjerë lidhur me zgjedhjet lokale:
"Vlerësimin tim tani do t’ua bëj të ditur përmes një letre të gjithë liderëve të partive politike dhe në bazë të kësaj do të shkojmë përpara diku gjatë javës së ardhshme," tha Petersen.
Deri tani dihet se Lidhja Demokratike e Kosovës është pajtuar që zgjedhjet lokale të shtyhen, ndërkohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se do ta respektojnë konsensusin lidhur me cilindo vendim që do të merret për zgjedhjet lokale, ndërsa subjekti i vetëm që ka kundërshtuar shtyrjen është partia Ora.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, që është edhe kryesues i ekipit negociues të Kosovës, tha se për Kosovën është me rëndësi që puna e deritashme e delegacioneve të Kosovës në bisedimet e Vjenës është vlerësuar pozitivisht. Ai tha se me këto takime është përmbyllur cikli i bisedimeve për çështje të veçanta dhe tani duhet të shkohet në procesin e përcaktimit përfundimtar të statusit të Kosovës:
"Për ne është shumë me rëndësi që vlerësimet e përgjithshme që janë dhënë deri tani për punën e ekipeve të Kosovës në takimet e Vjenës, janë vlerësuar si ekipe serioze dhe puna e tillë është një punë konstruktive. Unë i premtova po ashtu se pala kosovare do të jetë po ashtu në procesin e mëtejshëm në këtë rrugë të veprimit, në mënyrë që bashkë me dëshirën që procesi të përfundojë me 2006-tën, dhe sa më shpejt të përfundojmë po ashtu dhe me procesin e pavarësimit të Kosovës", tha presidenti Sejdiu. Ndërsa shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, tha se pavarësisht nga rezultatet e takimeve të deritashme në Vjenë, procesi është në rrugë të mbarë:
"Është e qartë se procesi i statusit është në rrugë të mbarë, edhe pse ndoshta nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në bisedimet e Vjenës," tha Petersen, sipas të cilit është me rëndësi që palët të jenë të angazhuara në këto bisedime.
Zoti Petersen siguroi institucionet e Kosovës se qëndrimi i Grupit të Kontaktit për ta përfunduar procesin e statusit deri në fund të vitit mbetet i pandryshuar, ashtu siç mbeten të pandryshuara edhe parimet kryesore të Grupit të Kontaktit nga janari i këtij viti për mosndarje të Kosovës, moskthim në gjendjen e para vitit 1999 dhe mosbashkim me ndonjë vend tjetër.

XS
SM
MD
LG