Ndërlidhjet

HAXHIMUSA: DO TË RIORGANIZOJMË GJYKATAT NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Vetëm 13 gjykatës të Gjykatës Supreme për një vit trajtojnë 4 000 lëndë. Kjo, sipas kreut të kësaj gjykate Rexhep Haxhimusa, vështirëson punën dhe ngadalëson marrjen e vendimeve gjyqësore për çështje të caktuara.
“Do të gjeni ju diku në botë 13 gjyqtarë që i vendosin 4 000 cështje, sepse në Gjykatën Supreme nuk vendosen në mënyrë administrative me një shkresë, por gjithnjë duhet nxjerrë vendimi dhe nuk ka askund as në gjykata komunale që të vijnë 718 cështje , konflikte administrative brenda 2 muajve”.
Sistemi i drejtësisë dhe në veçanti gjykatat janë kritikuar shpesh nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, por edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare joqeveritare për të drejtat e njeriut.
Kreu i Këshillit Gjyqësor Rexhep Haxhimusa, ka paralajmëruar një riorganizim brenda gjykatave, me qëllim që të arrihet një punë më efektive. Riorganizim do ketë në disa nivele.
“Në vëllimin e punës së gjyqësorit hyjnë çështje, që absolutisht nuk janë çështje të gjyqësorit, vërtetimi i autorizimeve, intabolimet, vërtetimi i shumë dokumenteve. Shpesh mund të ndodhë që njerëzit mbulohen me ato punë, që nuk janë punë të gjykatave. Për këtë kemi dashur, që edhe këtë sferë ta ndajmë nga gjyqësori, pra prokuroria del si organ i veçantë nga gjyqësori, e vihet në një pozitë krejt tjetër, që kjo sferë që nuk është çështje e gjykatave e do të dalë në shërbimin e noterisë”.
Në kuadër të riorganizimit gjykatave komunale, së shpejti do t’u ndërrohet emri në gjykata themelore. Po ashtu, atyre do t’u jepen detyra të reja. Sërish Haxhimusa.
“Me një pretendim, perspektive diku 3-5 vjet të përfshihen edhe gjykatat për kundërvajtje në gjirin e vet, gjykatat e qarqeve, gjykatat e apelit, që do të vendosin për të gjitha ankesat e gjykatave themelore dhe atyre të qarqeve si dhe Gjykata Supreme, që do mbetet strumbullari i gjyqësorit të Kosovës me një mbikëqyrje ekskluzive të zbatimit të ligjit në mënyrë unike”.
Zoti Haxhimusa ka paralajmëruar edhe një rishikim të biografive të të gjithë gjykatësve aktualë. Çështja e biografive është përcjellë vazhdimisht me kritika. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar shpesh herë mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
“Fjala është për biografinë e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të shihet puna e tyre për këto 7 vjet”.
Një tjetër çështje që është shtruar shpesh në media, madje së voni ka pasur edhe një rast të dënimit të një gjykatësi, është përfshirja në korrupsion e punonjësve të gjyqësorit. Kreu i Këshillit Gjyqësor Rexhep Haxhimusa thotë se nga ndjekja për shkelje të ligjit nuk do të përjashtohen as gjykatësit dhe punonjësit e tjerë të sistemit të drejtësisë.
“Ne nuk e kemi kursyer dhe nuk do të kursehet asnjë gjyqtar, asnjë kryetar nga unë e teposhtë, apo nga poshtë e deri në piedestal, për shkelje ligji”.
Sido që të jetë, pagat e ulta të gjykatësve thuhet të kenë qenë shkak i marrjes së mitos. Kreu i Gjykatës Supreme Rexhep Haxhimusa, kërkon një njëjtësim të pagave të gjyqësorit me ato të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
“Nëse mendohet se duhet të jenë tre pushtete të barabarta, atëherë një trajtim të bartësve të funksionit të gjyqësorit, në raport me dy pushtete të tjera në një nivel që është nivel korrekt”.
Sistemi i drejtësisë është kritikuar shumë në raportin e fundit të Organizatës për të drejtat e Njeriut Human Rights Watch, sipas të cilit, ky sistem ka dështuar të mbrojë viktimat që kanë pësuar në trazirat e marsit të vitit 2004. Kreu i Gjykatës Supreme sërish ka shfaqur mospajtimin e tij me këtë raport, duke theksuar se lidhur me këto trazira në procedurë e sipër janë edhe 80 raste, dhe se nuk mund të jepet një vlerësim pa qenë të përfunduara në tërësi rastet në fjalë.



XS
SM
MD
LG