Ndërlidhjet

MOORE:"BEOGRADIN DUHET PËRJASHTUAR NGA PROCESI"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, gjatë kësaj jave Beogradi ka propozuar autonomi të Kosovës brenda Serbisë. Si e komentoni ju këtë lëvizje?

PATRICK MOORE
Kur lexova për herë të parë propozimin e kësaj jave, mendova që duhet të jetë shaka. Është i hartuar për të mos qenë serioz, për të mos u pranuar. Duket qartazi të jetë një dredhi politike, është thjesht një shprehje inati. Tregon se gjithçka që mund të presim nga politikanët në Beograd është obstruksioni dhe bllokimi, të paktën derisa të mbahen zgjedhjet në Serbis. Gjithsesi kjo i ka prezantuar, mendoj, ndërkombëtarët me një mundësi shumë të mirë, kryesisht për të përmirësuar gabimin që bënë disa vite më parë, të përfshirjes së Serbisë në procesin e statusit. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët të përballen me Beogradin dhe t'i thonë se ky lloj propozimi tregon që ju nuk jeni seriozë, dhe nuk do t'ju përfshijmë më në proces, sepse është e qartë se gjithçka që përpiqeni të bëni është që ta bllokoni këtë. Sigurisht që ishte një gabim të lihej Beogradi në proces. U duhej thënë u sollët aq brutalisht ndaj kosovarëve në vitet 1998-1999 dhe nuk keni vënd në tavolinën e bisedimeve. Pavarësisht arsyeve të ndryshme për të cilat u përfshi Beogradi në bisedime, tash komuniteti ndërkombëtar ka një mundësi shumë të mirë që t'i përjashtojë ata nga bisedimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, një nga problemet në veri të Kosovës janë strukturat paralele. Disa analistë thonë se ato mund të jenë burim i konflikteve nëse nuk trajtohen si duhet. Cila do të ishte qasja më e drejtë?

PATRICK MOORE
Zgjidhja është të integrohen në një mënyrë apo formë këto struktura administrative, brenda strukturës së përgjithshme administrative të Kosovës. Kjo do të jetë e mundur vetëm kur Serbia të përjashtohet nga procesi dhe serbët e Kosovës të binden që nuk mund t'i ankohen Beogradit, ndërsa Beogradi nuk do të jetë aty që t'i ndihmojë ata. Derisa të jetë e qartë për gjithsecilin që Serbia nuk ka më shumë rol për të luajtur në Kosovë se sa ç'mund të ketë për shembull në Malin e Zi ose në Bosnje, ku ata kanë pakicat e tyre, nuk do të ketë asnjë lloj përparimi. Zgjidhja e kësaj çështjeje është thjesht përjashtimi i Serbisë nga procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e vështirë është të jetësohet marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pa pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës?

PATRICK MOORE
Serbët e Kosovës janë thelbësorë për zgjidhjen, për faktin se ata jetojnë në Kosovë. Siç e thashë, ajo që unë besoj është që këta njerëz të fillojnë të tregojnë një sjellje më racionale dhe më me kompromis, kur Serbia të përjashtohet nga çështjet e Kosovës dhe gjithashtu nëse ndërkombëtarët, të cilët në rradhë të parë janë përgjegjës për këtë problem, ngaqë i dhanë një vend Beogradit në proces, të ndihmojnë në përmirësimin e situatës dhe t'u ofrojnë ndihmë serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka përcaktuar fundin e vitit 2006 si afat për zgjidhjen e statusit. A mendoni se brenda këtij afati mund të jetësohet ky synim?

PATRICK MOORE
Nëse ka vullnet politik mundet të arrihet një zgjidhje madje para këtij afati. Çështja qëndron që pakica serbe në Kosovë do të duhet të identifikojë veten dhe të ardhmen me një Kosovë të pavarur. Kjo mund të bëhet siç e thashë më sipër me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kështu që serbët e Kosovës të shohin, ashtu si e panë votuesit në Malin e Zi para disa javësh, që një shtet i tyre i pavarur është fituesi dhe e ardhmja, dhe se Serbia, e cila tash është përjashtuar nga negociatat me Brukselin, është humbëse dhe nuk ka asgjë që mund t'u ofrojë atyre.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG