Ndërlidhjet

A. ISUFI: BEOGRADI I VETËDIJSHËM PËR HUMBJEN E KOSOVËS


Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Beogradit javën e kaluar ka paraqitur platformën për negociata, me të cilën Kosovës do t’i jepej një autonomi brenda Serbisë. Institucionet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë propozim. Në ç’funksion është një propozim i tillë i Beogradit?

AHMET ISUFI
Ne besojmë, që kjo më shumë është për nevoja të brendshme të Serbisë, sepse edhe vetë udhëheqja e Beogradit është e bindur se Kosova përfundimisht është e shkëputur nga Serbia. Po ashtu nuk ka qëndrim tjetër edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Çështja e Kosovës është çështje e zgjidhur në kuptimin e ndarjes së plotë nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar është në kërkim të një koncesioni nga pala kosovare për të finalizuar bisedimet rreth decentralizimit. A mund të ofrojë pala kosovare më shumë sesa ç'ka ofruar deri tani?

AHMET ISUFI
Pala kosovare do të ketë qëndrimin e plotë ashtu edhe siç është e obliguar nga vullneti i popullit të Kosovës, që përfundimisht çdo projekt që ka të bëjë me Kosovën t’i përgjigjet këtij vullneti. Edhe decentralizimi, edhe format e tjera të reformimit dhe të demokratizimit të vendit, duhet të shkojnë konform interesave të Kosovës dhe duke iu përmbajtur vullnetit politik të popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare?

AHMET ISUFI
Komuniteti ndërkombëtar do të bazohet në realitetin e krijuar në Kosovë dhe ky realitet është i mbështetur kryesisht në atë që është qëndrim i popullit të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare ka interesa të caktuara për Kosovën, por ato që janë thelbësore janë qëndrime të popullit të Kosovës, qytetarë të saj dhe po ashtu interesa politike që i përgjigjen edhe nivelit evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut do të raportojë këtë muaj para Këshillit të Sigurimit rreth përmbushjes së standardeve. Sa ka arritur Kosova progres në këtë drejtim?

AHMET ISUFI
Kosova ka treguar se është një vend, i cili pretendon të arrijë standardet e Evropës dhe me kushte që i ka arritur më tepër, sesa ka pasur mundësi të bëhet, për arsye se kushtet ekonomike dhe sociale që ekzistojnë sot në Kosovë, nuk mund të garantojnë më shumë efikasitet në përmbushjen e standardeve. Por, e vetmja gjë që është pengesë sot në Kosovë është ajo e qëndrimit të minoriteteve karshi çështjes së Kosovës dhe kjo e komplikon situatën më shumë dhe në përmbushjen e standardeve ka një rezervë nga ana e minoriteteve. Përndryshe edhe udhëheqja e Kosovës edhe në përgjithësi, lidershipi janë të gatshëm që në përmbushjen e standardeve të jenë shumë efektivë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para dy ditësh Kuvendi i Malit të Zi e shpalli edhe zyrtarisht pavarësinë e Malit të Zi. Sa do të ndikojë kjo në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës?

AHMET ISUFI
Mund të them se indirekt e ka një ndikim, sepse Mali i Zi duke qenë shumë më afër Serbisë, në shumë aspekte, sepse në fund të fundit janë edhe në gjuhë, edhe në aspekte të tjera shumë më afër dhe ka arritur të pavarësohet nga Serbia. Kosova është 10-fish më e garantuar në këtë drejtim, sepse me një përbërje të popullatës 95 përqind shqiptare tregon se absolutisht asgjë nuk kanë të përbashkët Kosova me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni pozicionin e Serbisë tani, pas pavarësimit të Malit të Zi, në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës?

AHMET ISUFI
Besojmë se Serbia është në një pozitë shumë të rëndë edhe përbrenda saj edhe në raport me vendet përreth. Sidomos Kosova është një pengesë e madhe për Serbinë tani. Nëse bëhet një vetëdijësim më i madh i qarqeve udhëheqëse në Beograd do të duhej të jetë një politikë e logjikshme, që sa më shpejt të shkëputet Kosova nga Serbia, aq më lehtë do jetë edhe për Serbinë. Ndërsa, largimi i Malit të Zi nga Unioni i Serbisë dhe Malit të Zi, tregon se Serbia po mbetet një vend i izoluar që nuk po mundet ta integrojë veten në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur parashihni zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës?

AHMET ISUFI
Sipas parametrave të deritanishme Kosova parashihet që në fund të këtij viti të fitojë pavarësinë d.m.th, ta krijojë atë përbrenda, por po ashtu të njihet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo zhagitje e këtij procesi sjell implikime të reja, që nuk do të ishin në favor as të Kosovës e as të bashkësisë ndërkombëtare. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që ta bindim bashkësinë ndërkombëtare se ne jemi të zotë të qeverisim, jemi të zotë të krijojmë shtetin, dhe jemi ata, të cilët vërtetë arsyetojmë pavarësinë tonë. Ndërsa, nga bashkësia ndërkombëtare sa më shpejt që të bëhet pranimi i Kosovës, do të jetë edhe një heqje e një pengese në Ballkan.

Intervistoi Albana Isufi

XS
SM
MD
LG