Ndërlidhjet

MILOVIQ: NDËRPRESIN TË GJITHA LIDHJET ME INSTITUCIONET E KOSOVËS


Katër komunat në veriun e Kosovës të cilat qeverisen nga serbët, do t'i ndërpresin të gjitha lidhjet me institucionet e përkohshme qeverisëse të Kosovës. Kështu ka deklaruar sot kryetari i komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq, në mitingun protestues të disa qindra serbëve në Zveçan, për shkak të vrasjes së të riut serb Milan Veskoviq, që ka ndodhur javën e kaluar, si dhe për nje varg incidentesh, ku siç thuhet, viktima kanë qenë serbët.
“Një nga përfundimet tona është që të ndërpriten të gjitha lidhjet me Institucionet e përkohshme të Kosovës në Prishtinë, deri sa të gjenden dhe gjykohen vrasësit e bashkqytetarit tonë Milan Veskoviq” tha zoti Miloviq, duke shtuar se policia e UNMIK-ut dhe pjestarët e Shërbimit Policor të Kosovës, nuk janë në gjendje që t'i mbrojnë qytetarët serbë. Ai me këtë rast ka kërkuar që forcat policore serbe të stacionohen në veriun e Kosovës.
“Kërkojmë urgjentisht që në përputhje me rezolutën 1244, disa qindra policë serb të stacionohen në veri, në Zveçan dhe në komunat ku jetojnë serbët, që t'i mbrojnë ata”, tha zoti Miloviq.
Incidenti i fundit, të cilin përfaqësuesit serb e kanë klasifikuar se ka prapavijë me motive etnike, ka ndodhur dje në Prilluzhë, kur në oborrin e shtëpisë së saj është plagosur Veselinka Dejanoviq.
Ndërkaq, komunën e Zveçanit sot e ka vizituar zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Steven Shook. Pas takimit me kryetarët e tri komunave të veriut të Kosovës, ai ka deklaruar se në këtë takim nuk është biseduar asgjw rreth vendimit të përfaqësuesve serb për ndërprerjen e lidhjeve me Institucionet e Kosovës dhe ato të UNMIK-ut.
“Absolutisht asgjë nuk është thënë. Prej nga i keni këto rrëfime të këqija. Kryesisht gjatë gjithë kohës kemi biseduar rreth asaj se si të krijojmë një mjedis më të sigurtë”, tha zoti Shook dhe shtoi:
“Ne kemi diskutuar lidhur me një program që ekziston dhe për të cilin na duhet mbështetja, për të sjellë më shumë serbë në stacionet e policisë dhe komandantë të stacioneve të policisë. Ekziston një mirëkuptim i qartë se si të bëhet kjo. Ata do të na ndihmojnë për të rekrutuar ish-pjesëtarë të MPB-së që të kalojnë nëpër kurse shumë të shpejta në mënyrë që të aftësohen”, tha zoti Shook.
Sidoqoftë, deri më tani, lidhur me incidentet e fundit në veriun e Kosovës i vetmi që i është përgjigjur në një formë akuzave se sulmet kanë motive ndëretnike është komisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuara, Kai Vitrrup. Në një komunikatë për opinion të lëshuar sot, zoti Vitrrup ka thënë se plagosja e djeshme e një gruaje serbe në Prilluzhë dhe vrasja e një serbi 23 vjecar javën e kaluar në Zveçan nuk duket të jenë krime të motivuara në baza etnike. Zoti Vittrup ka shpjeguar se gruaja serbe në Prilluzhë është plagosur nga të shtënat që kanë ardhur gjatë një dasme afër shtëpisë së saj, kurse hetimet e deritashme rreth vrasjes në Zveçan nuk kanë zbuluar ndonjë lidhshmëri ndëretnike.

Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG