Ndërlidhjet

TRASHËGIMI I REZOLUTËS 1244 NGA SERBIA NUK PRODHON ASNJË EFEKT JURIDIK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vendimi i parlamentit të Serbisë me të cilin pretendohet që Serbia është trashëgimtare e Unionit Serbi - Mali i Zi, dhe trashëgimtare e subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar dhe dokumenteve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Rezolutën 1244 për Kosovën, nuk mund të prodhojë efekte juridike, thonë përfaqësues politikë kosovarë. Deputeti i partisë më të madhe parlamentare, LDK-së, Alush Gashi, thotë se Prishtinën nuk e shqetësojnë vendime të tilla të Beogradit, duke besuar se Kosova ka nisur tashmë rrugën e saj të pavarësimit të përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare:
“Nostalgjia e Serbisë për vazhdimin e okupimit të Kosovës është kundër-produktive. Tani botërisht dihet se Kosova së shpejti do të jetë shtet i pavarur me sovranitet të plotë. Pas shpërbërjes së pjesës së fundit që ishte, raporti Serbi – Mali i Zi, ne nuk kemi asnjë obligim ndaj Beogradit kemi obligim ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe minoritetit serb”, thotë Gashi.
Ndërkohë, eksperti i çështjeve kushtetuese juridike dhe shefi i grupit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës në kuadër të delegacionit për statusin, Arsim Bajrami, vlerëson se vendimi i parlamentit serb nuk prodhon asfarë efektesh juridike, ngjashëm me miratimin e paradokohshëm të Kushtetutës serbe, ku Kosova ishte futur si pjesë përbërëse e Serbisë. Nisur nga kjo bindje, Bajrami beson se statusi i Kosovës do të vendoset përmes procesit të filluar ku janë të përfshira dhe strukturat relevante ndërkombëtare:
“Në aspektin kushtetues dhe legal ajo nuk do të prodhojë asnjë pasojë juridike, sepse tanimë çështja e statusit të Kosovës është plotësisht e ndarë dhe është çështje që po diskutohet në raportet me Kombet e Bashkuara dhe faktorin ndërkombëtar. Po të kishte ndonjë vlerë juridike ky përcaktim i Serbisë, atëherë bashkësia ndërkombëtare fare nuk do të merrej me Kosovën dhe në një mënyrë do të pajtohej me këtë qëndrim të Serbisë. Prandaj unë mendoj se nuk ka vend për asnjë shqetësim."
Vendimet e njëanshme të Serbisë dhe pretendimet e saj ndaj vendeve të tjera, kanë qenë të papranueshme edhe nga bashkësia ndërkombëtare, çka ka ndikuar që ky vend viteve të fundit të vijë në situata izolimi ndërkombëtar, thotë Skender Durmishi, këshilltar për media i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Ai thotë po ashtu se Kosova ndodhet në fazën kur pret njohjen e pavarësisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare:
“Edhe ky deklarim i djeshëm në pjesën që ka të bëjë me Kosovën është një deklaratë e njëanshme pa efekte juridike. Për Kosovën vendos vetëm populli i Kosovës. Kosova i ka institucionet e veta të zgjedhura, ka Kuvendin, qeverinë, ka territorin dhe me një fjalë, të gjitha ato që kërkohen për të qenë shtet dhe pas angazhimit maksimal të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, është në pritje të njohjes formale të pavarësisë e cila në formën e saj faktike ekziston që nga viti 1999”, tha Durmishi.
Vendimi i parlamentit serb nuk e shqetëson as partinë e dytë opozitare Ora. Deputeti i kësaj partie, Nazim Jashari thotë se kufijtë e Serbisë dhe trashëgimia e saj do të përcaktohen nga Kombet e Bashkuara dhe nuk mund të vendosen njëanshëm nga Beogradi:
“Ne si Kosovë nuk mendoj se duhet të preokupohemi shumë me qëndrimet e Beogradit të cilat pretendon t’i ndërtojë karshi Kosovës. Ne duhet të punojmë që vetë ta kemi idenë e qartë se çka duam nga shteti i Kosovës, si e duam atë dhe të përpiqemi që me të gjithë qytetarët e Kosovës ta gjejmë një unitet maksimal për të ardhmen”, theksoi Jashari.
Përndryshe përfaqësuesit kosovarë thanë po ashtu se me ndarjen e Malit të Zi dhe formimin e dy shteteve të reja, Serbisë dhe Malit të Zi, në rajon po krijohet një klimë e re, dhe se sipas tyre, Kosova si një shtet i pavarur, do të dëshmojë në të ardhmen se do të jetë e gatshme të ketë marrëdhënie shumë të mira me këto vende fqinjë, pra edhe me Serbinë.

XS
SM
MD
LG