Ndërlidhjet

HUNTER:"SERBIA TË HARROJË LUFTRAT DHE DOMINIMIN NDAJ TË TJERËVE"


Robert HUNTER, ish ambasador i SHBA-ve në NATO dhe BE

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë efekti i pavarësimit të Malit të Zi në Kosovë, apo mbase kemi të bëjmë me dy raste krejtësisht të ndryshme?

ROBERT HUNTER
Kemi të bëjmë me dy raste të ndryshme. Por, kosovarët e shohin Malin e Zi si model që duhet pasuar. Pavarësimi i Malit të Zi gjithësesi do të intensifikojë përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar pavarësinë e plotë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni planin e qeverisë së Serbisë që parasheh periudhë kalimtare prej 20 vitesh, përkatësisht autonomi për Kosovën dhe patronat të Kombeve të Bashkuara?

ROBERT HUNTER
Kjo është një ofertë e vonuar për disa vite. Mendoj se më e rëndësishmja është që ata që e njohin gjendjen në terren, të fillojnë procesin e definimit të asaj që do të ishte më e mira për të ardhmen e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Ka shumë çështje serioze të historisë, religjionit, kulturës. Njëkohësisht kemi të bëjmë me njerëz konkretë, me shqiptarët që kanë vuajtur shumë gjatë sundimit të Millosheviqit. Nevojitet gatishmëri e ndërsjellë për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se Kosova fillimisht do të fitojë pavarësi të kushtëzuar dhe pastaj pavarësi të plotë. Si e shihni ju këtë çështje?

ROBERT HUNTER
Procesi është duke shkuar në këtë drejtim. Brenda një, dy apo tre vitesh Kosova do të jetë shtet i pavarur. Po të isha në pozitën e zyrtarëve të Serbisë, do të ndryshoja krejtësisht qëndrimin nga i cili do të përfitonte populli serb. Do të shqyrtoja se cila është forma më e mirë që Serbia të ndërtojë marrëdhënie të afërta me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kalojmë në një temë tjetër të ndërlidhur. Në ç'masë mendoni se Beogradi ka dorë në kërkesën e disave në Republikën serbe që të kërkojnë shkëputjen e saj (referendumin) dhe bashkimin me Serbinë. Mos Serbia synon të të kompensojë humbjen e Malit të Zi dhe të mëvonshme të Kosovës në Bosnjë, apo mbase këtë e shfrytëzon si akt për të penguar shqiptarët drejt pavarësimit të Kosovës?

ROBERT HUNTER
Një manovër e këtillë e Beogradit nuk do të më befasonte. Është e sigurtë se pushtetarët në Serbi qëndrojnë prapa aspiratave të tilla në Republikën serbe. Të ballafaquar me humbjen e Malit të Zi dhe me gjasa të mëdha që kjo të ndodhë edhe me Kosovën, zyrtarët në Serbi bëjnë manovrime për të zënë pozicione më të mira negociatore, por në fakt ata e komplikojnë situatën e tërësishme. Mendoj se ky është një orientim i gabuar, sepse do të ishte më mirë të fokusohen drejt asaj që ngre cilësinë e jetës së qytetarëve në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Vojislav Koshtunica dhe blloku i tij politik ende nuk kanë pranuar zëshën pavarësimin e Malit të Zi. A mund të pritet jostabilitet i ri, nëse Beogradi do të tentonte të përzihej në çështjet e brendshme të Malit të Zi përmes mbështetjes forcave pro-serbe atje?

ROBERT HUNTER
Ekziston rrezik real që kjo të ndodhë. Nëse Beogradi do të përzihet në punët e brendshme të Malit të Zi, kjo do të shkaktojë jo vetëm jostabilitet, por edhe konflikte serioze. Kjo nuk do të jetë në interesin e askujt. Nga vitet e 90-ta serbët kanë zhvilluar 5-6 luftra dhe të gjitha i kanë humbur. Mendoj se është çasti i fundit që të pushojnë së menduari për luftrat dhe për kohët kur nga Beogradi është dominuar mbi të tjerët në ish – Jugosllavi. Në vend të kësaj, liderët serbë duhet të mendojnë për cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre, që gradualisht do të duhej të integroheshin me botën perendimore.

Intervistoi: Dragan SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG