Ndërlidhjet

logo-print

NËNSHKRUHET PROTOKOLLI PËR KTHIM VULLNETAR TË TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Protokolli për kthimin vullnetar dhe të qëndrueshëm ka të bëjë me kthimin e të zhvendosurve që shprehin dëshirën për t’u kthyer para së gjithash në vendet e tyre të origjinës, thanë sot udhëheqësit e grupeve punuese të Kosovës dhe të Serbisë, Dardan Gashi e Milorad Todoroviq, pas nënshkrimit të protokollit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë lidhur me kthimin e të zhvendosurve.
Zoti Gashi dhe zoti Todoroviq e nënshkruan sot protokollin, në të cilin është punuar tash e një vit në zyrat e UNMIK-ut, në praninë e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës, Soren Jessen Petersen:
"Ne sapo kemi nënshkruar protokollin për kthim vullnetar dhe të qëndrueshëm dhe unë e mirëpres nënshkrimin e këtij protokolli," tha Petersen, duke e quajtur këtë një vendim, tepër të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ndërkaq, Dardan Gashi udhëheqës i grupit punues të Kosovës për kthim në dialogun teknik me Serbinë, tha se ky nënshkrim përmbush njëkohësisht dy obligime të Kosovës:
"Me këtë dokument besoj se këto dy obligimet që janë të rëndësishme, -obligimi ndaj qytetarëve tanë dhe obligimi ndaj konventave ndërkombëtare janë përmbushur në kuptim të nënshkrimit dhe tani presim edhe ndihmën e qytetarëve të Kosovës që t’i përmbushim këto obligime edhe në terren, në mënyrë që njerëzit që duan të kthehen të jenë të sigurt në vendbanimet e tyre".
Ndërkaq, nënkryetari i qendrës koordinuese të Serbisë për Kosovën Milorad Todoroviq, njëkohësisht kryesues i grupit punues të Serbisë për kthimin, tha se dokumenti ishte shpresëdhënës:
"Sot kam nënshkruar një dokument që ka të gjitha gjasat që të përmirësojë klimën dhe të sjellë rezultate më të mirë në një fushë kaq të rëndësishme si kthimi i të zhvendosurve," tha Todoroviq, duke shfaqur bindjen se rezultatet e këtij protokolli do të jenë më të mira sesa ato të deklaratave të deritashme politike siç u shpreh ai.
Zoti Todoroviq tha se dokumenti i nënshkruar sot, para së gjithash qartëson parimin për kthim vullnetar dhe për vendim individual të të zhvendosurve për t’u kthyer:
"Vendimi nëse dikush do të kthehet apo jo është individual dhe nëse vendimi do të merret nga një person apo më shumë persona, kjo është jorelevante, pasi protokolli ka të bëjë me shprehjen e vullnetit të personave dhe do të bëhet mbi bazat e një informimi relevant në bazë të vizitave shko dhe shih," tha zoti Todoroviq, ndërkohë që duke komentuar mundësinë e kthimit të të zhvendosurve edhe në vendbanime të tjera pos vendit të origjinës, përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës, Dardan Gashi tha:
"Është qartësuar se parimi themelor është kthimi në vendin e origjinës, por është edhe një parim tjetë,r që është e drejtë themelore njerëzore, që qytetarët e një shteti mund të vendosin vetë se ku do të jetojnë. Protokolli saktëson nëse do të obligohet qeveria që të ndihmojë dikë që kthehet nga një vend në Serbi në vendin ku dëshiron të vendoset dhe jo në vendin e origjinës".
Protokolli për kthimin vullnetar dhe të qëndrueshëm të të zhvendosurve që nuk u referohet vetëm serbëve të zhvendosur, por edhe shqiptarëve dhe të tjerëve, është përgatitur tash e gati një vit nga grupet punuese në kuadër të bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG