Ndërlidhjet

UNMIK-U HEZITON, SHPK-JA REAGON NDAJ GJENDJES NË VERI


Albana Isufi, Prishtinë

Shërbimi Policor i Kosovës ka thënë se nuk do zmbrapset nga deklaratat mbi vetë-organizimin dhe kontrollimin e sigurisë nga banorët e komunave veriore të Kosovës.
Përfaqësuesit e 4 komunave veriore të Kosovës, që qeverisen nga serbët, kanë paralajmëruar ndërprerjen e të gjitha lidhjeve me institucionet e Kosovës. Ata kanë paralajmëruar marrjen e masave të sigurisë nga vetë banorët, për shkak të, siç kanë thënë, sigurisë së pamjaftueshme të ofruar nga policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja.
Zëvendës-komisionari i policisë Sheremet Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se në veri do merren masa të shtuara të sigurisë dhe nuk do lejohet që sigurinë ta marrin në duar banorët.
“Ne kemi paraparë masa shtesë të sigurisë, nivel të lartë të gatishmërisë për t’iu ofruar siguri qytetarëve të Kosovës në tërë vendin. Kemi dërguar edhe një oficer të lartë të SHPK-së në rajonin e Mitrovicës, i cili do të përkujdeset që të zbatohen në përpikmëri veprimet policore në atë pjesë, por edhe do vendosim rendin e qetësinë edhe atje, dhe nuk presim që gjëra të tilla do të ndodhin”.
Përfaqësuesit e komunave serbe kanë krijuar një komitet për raste emergjente. Nënkryetari i komunës së Zveçanit Milan Ivanoviq, thotë se ky komitet do të kontrollojë sigurinë në pjesën veriore, për shkak se masat e sigurisë të ofruara nga KFOR-i, policia e UNMIK-ut, nuk konsiderohen të mjaftueshme. Ivanoviq ka paralajmëruar sot se serbët e veriut do të bllokojnë rrugët, do kontrollojnë qarkullimin, si dhe do kontrollojnë vetë situatën e sigurisë, sa herë që të vërrejnë lëvizje të dyshimta.
“Nëse pjesëtarët shqiptarë të Shërbimit Policor të Kosovës, edhe më tutje në mënyrë të sforcuar do jenë të pranishëm në vendkalimet administrative, sidomos në komunat Mitrovicë- Leposaviq, e ndërsa prania e tyre e sforcuar ka koinciduar me eskalimin e dhunës në pjesën veriore, kështu që ka shumë dyshime se ata janë logjistikë e tërë kësaj që po ndodh”, tha Milan Ivanoviq, për të shtuar se vetë-organizmi është i nevojshëm.
“Qytetarët do të detyrohen të organizohen vetë përmes bllokimit të rrugëve, vendosjes së punkteve dhe kontrollim të plotë të qarkullimit dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Ivanoviq.
Ky vetë-organizim, sipas Ivanoviqit, është pasojë e incidenteve të ditëve të fundit, përkatësisht vrasjes së një të riu serb në Zveçan dhe plagosjes së një gruaje serbe në Prilluzhë.
Komisionari i policisë Kai Vitrup ka deklaruar se këto incidente nuk kanë qenë të motivuara etnikisht.
Ndërkohë, administrata ndërkombëtare në Kosovë, që ende mban përgjegjësi të caktuara për sigurinë, nuk ka komentuar paralajmërimet e serbëve të pjesës veriore të Kosovës.
“Këtë e kemi parë vetëm në media dhe ne nuk e komentojmë atë”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh.
Ndërsa, koloneli Sheremet Ahmeti ka thënë se nuk do të lejohet bllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës.
“Ne u ofrojmë siguri të gjithëve dhe nuk është e pranueshme kurrfarë bllokimi, mbyllje dhe moslejimi të qarkullimit të lirë të qytetarëve në rrugët e Kosovës”.
Koloneli Ahmeti ka hedhur poshtë kërkesat e serbëve të pjesës veriore të Kosovës që në veri të patrullojnë vetëm pjesëtarët serbë të SHPK-së.
“Policia e Kosovës është një dhe ne nuk ndahemi sipas etnive. Puna dhe efektiviteti i policisë së vendit është në tërë territorin e saj dhe ne nuk kemi probleme në aspektin e punës tonë dhe besoj se as në të ardhmen nuk do kemi probleme”.
Ndërkohë, Partia Demokratike Serbe e Kosovës e udhëhequr nga Ministri i Kthimit Sllavisha Petkoviq, i ka quajtur veprimet e serbëve të pjesës veriore si të panevojshme dhe jo funksionale. Kjo parti në një komunikatë për media ka thënë se e vetmja rrugë për tejkalimin e çfarëdo situate mbetet dialogu dhe bisedat reciproke.


XS
SM
MD
LG