Ndërlidhjet

EKSPERTËT: SITUATA NË VERI RREZIKON TË DALË JASHTË KONTROLLIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Analistë për çështje të sigurisë thonë se situata në veriun e Kosovës rrezikon të dalë jashtë kontrollit pas vendimeve të fundit të komunave veriore për t’u vetorganizuar, duke paraparë edhe mundësinë e ngritjes së postblloqeve dhe moslejimin e pjesëtarëve shqiptarë të Shërbimit Policor të Kosovës për të kryer detyrat zyrtare në atë pjesë.
Lulzim Peci, drejtor i institutit KIPRED që ka punuar në projektin për shqyrtimin e sigurisë së brendshme, tha se ky ashpërsim i diskursit dhe veprimeve në veri, është një taktikë që lidhet me afrimin e fundit të bisedimeve për statusin e Kosovës:
"Acarimi i situatës së tanishme është një përpjekje që të shfrytëzohet, për të krijuar një gjendje për të krijuar poena të situatës në terren, sa u përket negociatave për statusin e Kosovës dhe kjo i përngjan skenarit të krahinave serbe që kanë qenë në Kroaci para fillimit të luftës".
Ndërkaq, analisti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, tha se situata në veri në njëfarë mënyre ka nisur të dalë jashtë kontrollit:
"Situata në një mënyrë ka nisur të dalë jashtë kontrollit dhe tërë ky aktivitet destruktiv që është bërë atje tash e shtatë vjet, tani ka dalë në pah edhe më tej. Prandaj unë mendoj se duhet që me masa të rrepta, para së gjithash politike, por edhe policore dhe të sigurisë në përgjithësi, të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe të punohet përmes organeve të UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës".
Mirëpo, zoti Lulzim Peci mendon se institucionet e Kosovës kurrë nuk kanë gëzuar ndonjë kontroll efektiv në pjesën veriore, duke pasur lidhje të vetme pagesat që komunat veriore i kanë marrë nga qeveria e Kosovës, ndërkohë që shprehet skeptik se policia e UNMIK-ut mund të përballet me këtë situatë:
"Sa përket çështjes së policisë së UNMIK-ut, ajo nuk është e aftë të përballet me situatën dramatike atje, por KFOR-i ka kapacitet që ta mbajë situatën nën kontroll".
Në anën tjetër, nënkryetari i qendrës koordinuese të Serbisë për Kosovën, Milorad Todoroviq, tha dje në Prishtinë se përfaqësuesit e komunave veriore kanë të drejtë të ndërmarrin veprimet e paralajmëruara të vetorganizimit:
"Mendoj se njerëzit kompetentë në vetëqeverisjet lokale në veri, janë të autorizuar të marrin vendime të tilla, pasi kjo është ndoshta mënyra e vetme e mbetur për ta tërhequr vërejtjen për atë që po ndodh," tha Milorad Todoroviq, sipas të cilit, gabimi qëndron në deklaratat se do të shkëputen marrëdhëniet me UNMIK-un dhe institucionet e Kosovës.
Zoti Qehaja ndërkaq tha se askush nuk ka të drejtë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, pos organeve kompetente:
"Kjo ndërlikueshmëri tani ka ardhur në shprehje më të madhe dhe është një rrezikshmëri mjaft të madhe në këtë pjesë të Kosovës."
Në anën tjetër zoti Peci mendon se në raste të këtilla kur kërcënohet rendi, ekzistimi i infrastrukturës ligjore nuk mjafton, pasi duhet të jetë dikush për ta zbatuar ligjin, i cili është shkelur në veri tash e shtatë vjet, pasi siç u shpreh zoti Peci, atje kanë funksionuar strukturat paralele të sigurisë nën miratimin e heshtur të KFOR-it dhe UNMIK-ut, duke shkelur kështu edhe marrëveshjen e Kumanovës për largimin e gjithë personelit të ushtrisë, policisë dhe strukturave civile të sigurisë serbe nga Kosova. Për zotin Qehaja problemet në veri nuk kanë të bëjnë me pasigurinë e tyre, por janë të natyrës politike:
"Sa po vjen fundi i bisedave për statusin e Kosovës, tensionet po ngrihen në atë pjesë, pra fjala është për ndarjen e Kosovës, që do të ishte një rrezik i madh dhe precedent në përgjithësi," tha zoti Qehaja, sipas të cilit masat e ndërmarra në aspektin sigurisë, në kuptim të përforcimeve që do të bëhen, janë të nevojshme dhe dua të theksoj se rekrutimi i përshpejtuar i policëve nga ish-policia serbe nuk duhet të bëhet.
XS
SM
MD
LG