Ndërlidhjet

logo-print

MASA TË ZBEHTA KUNDËR TRAFIKIMIT NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, thuhet se në Kosovë trafikimi i brendshëm vazhdon të rritet dhe të marrë përmasa të një problemi serioz. Sipas raportit ndërkaq thuhet se numri i trafikantëve të arrestuar gjatë vitit 2005 është vetëm 33, dhe ata kryesisht dënohen vetëm nga një deri në tre vjet heqje lirie.
Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, pohon se pikërisht shqiptimi i dobët i dënimit për trafikantët, është shkaktari kryesor që pengon parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore.
"Prej dënimeve të mëhershme është e vërtetë që nuk ka qenë niveli i duhur. Ndoshta është dashur të jetë më i ashpër, por shpresojmë që me planin e ri kombëtar për veprim për luftë kundër trafikimit, edhe në aspektin juridik do të forcohet diçka më tepër."
Imer Hurumlica, kryetar i Shoqatës së gjyqtarëve në Kosovë dhe kryetar i gjykatës komunale në Gjilan, pohon se çështjes së trafikimit me qënie njerëzore, i kushtohet një kujdes i veçantë nga organet kompetente, në mënyrë që procedura të përfundojë sa më shpejt. Zoti Hurumlica ndërkaq thotë se në komunën e Gjilanit, që prej vitit 2001 deri tani, janë dënuar vetëm 42 trafikantë.
"Kemi vetëm 3 raste dënimesh gjatë një viti. Të gjitha rastet i kemi 1-5 vjet."
Përderisa në Gjilan 42 është niveli i të arrestuarve për trafikim, të dhënat në nivel Kosove nuk dihen, meqë udhëheqës të prokurorisë dhe të gjyqësisë nuk dhanë hollësi.
Në raste të tilla, shpesh herë përfolet edhe mundësia e korrupsionit, tek ata që marrin vendimet për fajësinë apo pafajësinë e personave që dyshohen të jenë trafikantë.
"Unë nuk mund të them që kjo çështje është një çështje, që ka të bëjë me korrupsion dhe si pasojë e korrupsionit, mund të vijë deri tek ajo që dikush mos ta marrë dënimin e merituar. Çdo gjyqtar është i pavarur në vendosjen e çështjeve që ka para tij dhe caktimi i dënimit për çdo çështje është çështje e trupit gjykues, që e ka atë në ngarkim".
Por zonja Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, shpreh dyshimin se mund të ekzistojë korrupsioni në organet e drejtësisë.
"Mund të ekzistojë dhe ajo mundësi. Tani varet krej si i marrin vendimet gjyqtarët, megjithatë dënimi një deri në tre vjet, është dënimi minimal që duhet të merrnin trafikantët. Ndryshe nëse vazhdojnë me këtë trend, këto janë dënime minimale dhe nuk besoj se do i kontribuonin çështjes së luftimit të trafikimit."



XS
SM
MD
LG