Ndërlidhjet

ANIJET KOZMIKE VOYAGER PREKIN KUFIJTË E SISTEMIT DIELLOR


Jan Jun, korrespondent i RFE/RL

Rreth tre dekada më parë, dy anije kozmike të quajtura Vojëxhër u dërguan në hapësirë. Sot ato kanë bërë mbi 11.5 miliardë kilometra rreth Tokës, duke arritur në kufijtë e heliosferës, që sundohet nga dielli ynë dhe rrezatimi i tij.
Asnjë anije kozmike nuk ka shkuar më larg deri tani, derisa shkencëtari Endrju Kotez, nga Laboratori i hapësirës në Londër, thotë se anijet kozmike tashmë kanë hyrë në një zonë të dhunshme, ku rrezatimi diellor përplaset me rrezet kozmike.
"Dielli natyrisht është një yll dhe ka planetet, kometat dhe erën e vetë diellore. Por natyrisht është pjesë e galaktikës së njohur si rruga e qumështit dhe këto anije janë disi në mes të kësaj galaktike. Vojëxhër tani po provon pikërisht këtë territor dhe gjendet në mes të yjeve", thotë shkencëtari Kotez për Radion Evropa e Lirë.
Anijet kozmike në fjalë japin informacione të reja mbi atë se si duket rajoni i hapësirës i sunduar nga rrezatimi i diellit tonë.
Ka pasur dyshime se heliosfera nuk ka qenë sferike dhe informacionet më të fundit e vërtetojnë një gjë të tillë. Forma e heliosferës duket të jetë e çrregullt ngjashëm si e kometave.
Profesori Ed Stone, i cili ka drejtuar projektin e Vojëxhër për mbi dy dekada në NASA, agjencia amerikane e hapësirës, i shpjegon gjetjet e fundit në këtë mënyrë.
"E reja që kemi zbuluar nga dy anijet Vojëxhër, të cilat gjenden në veri dhe në jug të flluskës rreth diellit, është se kjo flluskë nuk ka një formë të këndshme sfere. Në fakt është e shtypur në jug, ndoshta nga një fushë manjetike, derisa në jug është më e vogël se në veri", thotë Stone.
Përveç informacioneve rreth formës së heliosferës, anijet kozmike në fjalë tregojnë se aty kemi zona manjetike me drejtime të kundërta.
Kjo, sipas shkencëtarit britanik Kotez, shpjegohet me përzierjen e fushës manjetike të diellit me atë të yjeve të tjera.
"Është një tërësi matjesh shumë interesante e padyshim këto janë matjet në distancën më të largët që ka bërë ndonjëherë njeriu", thotë Kotez për Evropën e Lirë.
Anijet kozmike Vojëxhër 1 dhe 2 do vazhdojnë të jenë në hapësirë edhe për 10 vitet e ardhshme, derisa kanë energji të vazhdojnë punën deri në vitin 2020.
E ajo që mbetet të shpresojmë është të mësojmë më shumë për hapësirën dhe origjinën tonë, thonë shkencëtarët.
XS
SM
MD
LG