Ndërlidhjet

logo-print

ANDERSON: PROCESI I STATUSIT DO TË ECË PAVARËSISHT NGA ZHVILLIMET NË VERI TË KOSOVËS


Alex Anderson shef i zyrës së ICG në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson si i shihni zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas vendimit të tyre për të formuar Komitetin për emergjencë?

ALEX ANDERSON
Kjo jep shkak për brengosje dhe kjo është parë përmes mediave dje dhe sot dhe zhvillime relativisht brengosëse të situatës në terren në veri dhe kemi parë më shumë aktivitet të KFOR-it në ditët e fundit, si dhe plane për përforcime të policisë dhe kemi parë rrezikun që kjo nismë e serbëve në veri, mund të shkaktojë ndonjë kundërnismë nga shqiptarët. Kjo çështje është për t’u brengosur, nëse projektojmë situatën disa muaj më përpara, ky është fillimi i një ndryshimi në atmosferën psikologjike për diskutimet lidhur me mundësinë e ngritjes së ndonjë force vetëmbrojtëse për shembull, në kuptimin nëse serbët në veri do ta bëjnë këtë, a do të shohim njerëz që vijnë nga Serbia për ta sforcuar këtë deklaratë. Tani, do të jetë mjaft vështirë gjatë muajve të ardhshëm, pasi gjithmonë ka qenë e qartë se serbët në veri nuk do ta pranojnë thjesht cilindo status që do të përcaktohet për Kosovën, që do t’i subordinonte ata ndaj institucioneve të Prishtinës. Mendoj se në rastin më të mirë do të kemi serbët në veri që të kenë një qëndrim mospërfillës ndaj institucioneve të Kosovës kur statusi të vendose,t dhe në rastin më të mirë ndoshta do të kemi situatën kur Prishtina dhe veriu gradualisht do t’i rinegociojnë raportet e tyre pothuajse nga fillimi në një Kosovë të re. Në rastin më të keq ndërkaq do të mund të kemi ngjarje më dramatike në muajt e ardhshëm. Mendoj se është shumë e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të demonstrojë një vullnet mbi veriun, KFOR-i duke përforcuar bazat e tij në veri, pasi KFOR-i asnjëherë nuk duhet të tërhiqej nga veriu dhe tash po shohim, sidomos dje, që KFOR-i po nxiton për të kompletuar përgatitjet për këtë dhe shumë trupa po shkojnë atje, jo vetëm trupat franceze, por edhe trupa amerikane, austriake e të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojnë këto zhvillime në procesin e përcaktimit të statusit?

ALEX ANDERSON
Procesi i përcaktimit të statusit duket të jetë brenda një orari dhe agjende mjaft të qartë dhe do të shkojë më tutje, pavarësisht nga kjo. Natyrisht se kjo do të mund të reflektohet mbi atë që ndodh. Mendoj se çështja kryesore është se si do të luajë Beogradi gjatë disa muajve të ardhshëm, në mënyrën që bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta shtyjë Beogradin në qosh, kur ai do të jetë i obliguar të heqë dorë nga Kosova. Ka pasur shpresa se kjo do të bëhet në kushte më të mira sesa ato të tashmet, kur për shembull Beogradi do të ishte më thellë në bisedimet për stabilizim dhe asociim me BE-në, duke pasur një rrugë më të fortë të integrimit në BE, por tash kemi situatën me Mladiqin dhe pezullimin e bisedimeve, kemi posaçërisht nga qeveria e Serbisë, për dallim nga presidenti Tadiq, një qasje refuzuese dhe izoluese që erdhi nga ndarja e Malit të Zi përmes referendumit. Tani, duket se kemi një situatë kur qeveria e Serbisë po kalon në njëfarë situate të gjysmë tërheqjes, që mund të çojë kah një konflikt edhe më i madh me bashkësinë ndërkombëtare. Lëvizjet që kemi parë në ditët e fundit në veri duket se indikojnë se qeveria e Serbisë po përgatitet për të marrë një linjë më konfrontuese me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo është për brengosje. Për shembull kemi parë se deklarata është bërë nga Momir Kasaloviq, që është udhëheqës i qendrës koordinuese të qeverisë së Serbisë për veriun, kemi parë gjithë këto deklarata që kanë dalë në web-faqen e qendrës koordinuese të Serbisë për Kosovën dhe duket të jetë e koordinuar me letrën që zonja Rashkoviq-Iviq i ka dërguar shefit të UNMIK-ut zotit Petersen..

RADIO EVROPA E LIRË
Kur po flasim për statusin dhe ju e përmendët ndarjen e Malit të Zi, si do të ndikojë referendumi për pavarësinë i Malit të Zi mbi zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës?

ALEX ANDERSON
Formalisht nuk ka lidhje ndërmjet procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, pasi Mali i Zi ka procesin e vet dhe Kosova ka procesin e saj, që së paku për momentin është pranuar nga të gjitha palët. Sidoqoftë, kjo ka ndryshuar bazën psikologjike, duke e bërë çështjen më të ndjeshme për Serbinë e zvogëluar për të mbajtur këmbënguljen lidhur me Kosovën, kur unioni më i gjerë me Malin e Zi nuk ekziston dhe e bën më të vështirë këmbënguljen lidhur me Kosovën. Po ashtu procesi përmes të cilit do të shkojë Mali i Zi, që e ka shpallur pavarësinë dhe gradualisht është duke negociuar anëtarësinë në klubin e shteteve, mund të ofrojë njëfarë kursi të mësimit nga distanca për Kosovën dhe shumë njerëz do ta konsiderojnë këtë si një lloj precedenti, një lloj qasjeje që Kosova gjithashtu mund ta ndjekë, edhe pse formalisht situata në Kosovë është e ndarë nga ajo e Malit të Zi me ligjet ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, negociatat e deritashme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të qartë. Si do të reflektohet kjo në zgjidhjen e statusit?

ALEX ANDERSON
Ka ekzistuar një shpresë se kur janë ndarë disa çështje teknike në raundet e para të bisedimeve, një kornizë më e gjerë e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet, duke i mundësuar Ahtisarit dhe ekipit të tij që të fillojë menaxhimin e raundeve më vendimtare të muajve të verës që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me statusin. Madje edhe me pritjet mjaft të mëdha që Serbia mund të braktisë bisedimet në një fazë më vonë gjatë këtij viti, duke mos mundur të dakordohet me idenë e pavarësisë së Kosovës, atëherë së paku do të kishim rezultatet e raundeve të mëhershme për ta ndërtuar kornizën e shtetit të ri. Kjo ka qenë vetëm pjesërisht e suksesshme, pasi palët kanë qenë afër marrëveshjes vetëm për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe trashëgimisë kulturore, ndërkohë që për çështjet e tjera si decentralizimi dhe çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë, kanë qëndrime shumë, shumë të ndara, kështu që këto bisedime nuk e kanë kryer si duhet punën e tyre. Po ashtu, një fushë e tërë e rëndësishme është lënë krejtësisht anash, e gjithë çështja se si të strukturohen të drejtat e komuniteteve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me serbët. Kjo ka të bëjë me institucionet qendrore, jo vetëm me decentralizimin, për shembull, si t’i përfshijmë serbët më mirë në parlamentin e Kosovës. Tani kemi vendet e rezervuara për ta, mirëpo për ta përforcuar përfaqësimin e tyre do të ishte mirë të shqyrtohej mundësia e ndonjë lloj strukture dydhomëshe të parlamentit, ku komunitetet e ndryshme do të kishim përfaqësim më të mirë në ndonjërën nga dhomat. Asnjëra nga këto çështje nuk është diskutuar tërësisht dhe rreziku është që kur të vijmë në raundet më vendimtare të bisedimeve për vetë statusin, mund të mos ketë përparim dhe braktisje të bisedimeve nga ndonjëra palë, atëherë e gjithë fusha e të drejtave të bashkësive etnike dhe korniza kushtetuese do të mund të vendoset në mënyrë të njëanshme nga bashkësia ndërkombëtare, pa mjaft inpute nga pala serbe.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG