Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË: GRUPI I KONTAKTIT DORËZON 13 PIKAT E STANDARDEVE PRIORITARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë, u kanë dorëzuar sot kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dokumentin prej 13 pikash, ku kërkohet përmbushja e standardeve prioritare, me theks të veçantë të atyre që kanë të bëjnë me pakicat dhe legjislacionin. Dokumenti 13 pikësh i ndan 5 standarde në përgjegjësi të qeverisë dhe 8 të tjera në përgjegjësi të Kuvendit. Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Golberg, tha se miratimi i legjislacionit paraqet një pjesë esenciale të punës së parlament dhe institucioneve të tjera për të lëvizur përpara drejt statusit përfundimtar.
“Kohët e fundit vërejmë një frymë të re në Kuvendin e Kosovës si në zbatimin e procedurave demokratike, ashtu dhe në debat parlamentar çka paraqet një një zhvillim të rëndësishëm dhe sikur kolegët e mi thanë, pasqyron ballafaqimin e Kosovës me demokracinë para botës," tha Golberg.
Ndërkohë, shefi i Zyrës Franceze në Prishtinë, Tiery Reinard tha se Grupi i Kontaktit është përqendruar në standardet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve dhe nevojat e pakicave. Plani prej 13 pikash, tha ai, ka të bëjnë me kthimin e të zhvendosurve, sigurinë, zgjidhjen e çështjeve pronësore që do të garantojë kthimin e pakicave në pronat e tyre, pastaj sanimin e plotë të dëmeve si pasojë e ngjarjeve të marsit të vitit 2004 si dhe me zbatimin e ligjit.
“Grupi i Kontaktit konsideron se zbatimi i këtyre standardeve është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe sjelljen e Kosovës më afër komunitetit euro-atlantik”, tha Reainard.
Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë u zotuan se do t’i përmbushin këto standarde gjatë këtij viti, siç ka kërkuar Grupi i Kontaktit. Kryeministri Agim Çeku, tha se këto standarde nuk janë diçka e re për qeverinë, e cila ka kohë që ka filluar në zbatimin e tyre:
“Qeveria do të jetë ajo e cila do t’i koordinojë të gjitha aktivitetet, përpjekjet e institucioneve për përmbushjen e këtyre standardeve. Bëhet fjalë për afatin kohor gjatë muajit të ardhshëm, disa gjatë tetorit, por kryesisht deri në fund të vitit duhet t’i përmbushim këto pika. Dhe, duhet të them se këto nuk janë të vetmet pika që ne duhet t’i mbushim, sepse aktiviteti ynë vazhdon edhe në përmbushjen e pikave të tjera të standardeve, por këto janë prioritet”, tha Çeku.
Pjesa më e madhe e këtyre standardeve bien në përgjegjësi të Kuvendit të Kosovës, Përfaqësuesit e zyrave të vendeve perëndimore takuan dhe kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, për t’u dorëzuar dokumentin. Aty mes tjerash kërkohet që Kuvendi të miratojë ligjin për religjionet, atë mbi trashëgiminë kulturore dhe Ligjin për gjuhët zyrtare. Kryeparlamentari kosovar, Kolë Berisha, tha se mund t’i siguronte përfaqësuesit ndërkombëtar se të gjitha kërkesat e Grupit të Kontaktit do të përmbushen sipas afateve të parapara:
“Natyrisht se premtuam që edhe shumë ligje që janë të nevojshme të aprovohen sa më parë në Kuvendin e Kosovës e që kanë peshën e madhe për plotësimin e standardeve, brenda afatit të caktuar kohorë do t’i kemi në parlament dhe do t’i kemi të aprovuara”, theksoi Berisha.
Në përkrahje të angazhimeve të institucioneve të Kosovës gjatë 4 deri në 6 muajt e ardhshëm, Grupi i Kontaktit në bashkëpunim me UNMIK-un do të zhvillojë takime të rregullta me institucionet vendore për të përcjellë përparimet në zbatimin e këtyre standardeve.

XS
SM
MD
LG