Ndërlidhjet

MUSTAFAJ: KOSHTUNICA TREGON DRITSHKURTËSI, POR EDHE MUNGESË NDJESHMËRIE PËR SERBËT E KOSOVËS


Besnik Mustafaj, Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafaj, nga 21 maji i këtij viti ka ndryshuar harta e Ballkanit. Çfarë do të thotë kjo për gjeopolitikën rajonale, përfshi këtu dhe ndikimin e pavarësimit të Malit të Zi në çështjen e Kosovës?

BESNIK MUSTAFAJ
Mendoj se për gjeopolitikën në Ballkan e ka një kuptim të dyfishtë. Së pari kemi një vend nga ish Jugosllavia, që ndahet në mënyrë paqësore me anë të referendumit të pakontestuar. Kjo tregon dhe një avancim të mentalitetit demokratik, e për pasojë dhe shanse më të mëdha për siguri dhe stabilitet.
Së dyti, vendet brenda rajonit tani kanë një partner të ri, një fqinj të ri, ndaj duhet të fillojnë rishikimin e të gjitha dokumentave dhe marrëveshjeve që rregullojnë marrëdhëniet. Njëherësh koha e avancuar në proceset integruese në nivel rajonal dhe evroatlantik, që kanë një numër vendesh ballkanike, nuk duhet t'i lihet Malit të Zi për ta përshkuar, por duhet të mbështetet që ai në proceset integruese të ketë një startim premtues.
Mendoj se pavarësimi i Malit të Zi nuk do ketë asnjë ndikim në Kosovë. Është një proces krejt tjetër, i filluar, i konceptuar dhe i zhvilluar në mënyrë të ndryshme nga ajo ç'ka po ndodh në Kosovë.
Megjithatë rezultati do të jetë i njëjtë dhe në Kosovë, ashtu si në Mal të Zi. Por derisa në demokraci, siç thotë Çërçilli, proçedurat janë një element jashtëzakonisht thelbësor, atëherë duhet menduar se këto procedura të ndryshme shkëputjeje që duhet të ndjekë Kosova krahasuar me Malin e Zi, bëjnë që proceset të mos jenë të ndërvarura.
Nga ana tjetër mua më inkurajon qëndrimi i pjekur i institucioneve dhe shoqërisë serbe përballë referendumit në Mal të Zi, për të besuar se në të njëjtën mënyrë do të sillen edhe në përfundim të statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndalesha pikërisht tek qëndrimi i diplomacisë serbe, kur dihet se së fundi ju dhe drejtues të ministrisë tuaj kanë pasur kontakte me zyrtarë të lartë serbë. Cili është pozicioni i tyre përballë Kosovës?

BESNIK MUSTAFAJ
Që nga krijimi i qeverisë ne kemi kontakte me qeverinë serbe. Ato datojnë së pari me kontaktet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar me Ministrin e Jashtëm Vuk Drashkoviç. Këto kontakte kanë vazhduar në nivel ekspertësh, por dhe në nivele politike.
Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit, duhet të jenë të pakushtëzuara nga qëndrimi respektiv i Tiranës dhe Beogradit ndaj të ardhmes së Kosovës. Nuk ka ndryshim qëndrimi të diplomacisë shqiptare përsa i përket zgjidhjes për statusin e Kosovës që do prodhonte stabilitet.
Njëherësh nuk shoh një përparim të dukshëm sa i përket diplomacisë serbe. Qëndrimi i diplomacisë serbe, me pozicione shumë të ngrira sa i përket pavarësisë së Kosovës, në të vërtetë është shqetësues vetëm në aspektin e mungesës së realizmit. Realizëm, që së paku në këto muaj të fundit të negociatave, duhej të zinte vend në palën serbe.
Mungesa e realizmit të diplomacisë serbe, jam i bindur se nuk do paraqesë pengesë të pakapërcyeshme për vendosjen e statusit të pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo pasi në dokumentat ndërkombëtare, si ato të zotit Ahtisari edhe në përpunimet e Grupit të Kontaktit, presupozohet edhe një vendim i imponuar, derisa do jetë vendim i Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju folët për qëndrimin e ngrirë të Beogradit rreth statusit të Kosovës. Por mes Prishtinës dhe Beogradit ka jo vetëm mospajtime të thella, por dhe tensione. Kam parasysh këtu vendimin e fundit të serbëve në veri të Kosovës për të prerë komunikimin me administratën ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë. Ky vendim nga ekspertët ndërkombëtarë është cilësuar si hap që ka mbështetjen e plotë të kryeministrit Koshtunica. Si do ta vlerësonit një gjë të tillë?

BESNIK MUSTAFAJ
Kur fola për mungesën e realizimit do të shtoja dhe atë se nuk është e drejtë nga Beogradi, e posaçërisht nga kryeministri Koshtunica dhe të tjerët që kanë qëndrim të njëjtë, që të përdoret pakica serbe në Kosovë. Në fund të fundit Kosova do jetë vendi i këtyre njerëzve dhe ata duhet të marrin pjesë në të gjithë jetën institucionale, si dhe në procesin e negociimit të fatit të Kosovës, pasi ata janë pjesë e atij fati.
Këshilla ime për serbët e Kosovës do të ishte të merrnin pjesë në këtë proces.
Sa i përket kryeministrit Koshtunica, nuk them diçka të re nëse theksoj se ai tregon dritshkurtës,i sa i përket rolit që Serbia duhet të luajë në rajon. Njëherësh ai tregon dhe mungesë ndjeshmërie ndaj fatit të mijëra serbëve të Kosovës. Ata kanë nevojë për mbështetje nga Beogradi dhe jo për t'u përdorur nga Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria pas referendumit të 21 Majit nuk ka kufij me Beogradin. A do t'i rivlerësoni në këtë prizëm dhe marrëdhëniet e mëtejshme me Serbinë, përfshi dhe problemet që ekzistojnë mes dy vendeve?

BESNIK MUSTAFAJ
Ka disa vite që Shqipëria de fakto nuk ka pasur kufij me Beogradin dhe kjo nuk e ka penguar vullnetin për bashkëpunim, të kemi më shumë marrëdhënie diplomatike, ekonomike, politike dhe konsullore. Pra kufiri nuk është as avantazh, as disavantazh në Ballkan për të pasur marrëdhënie intensive. Pra nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimet që ne kemi shprehur deri tani lidhur me këto marrëdhënie.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u larguar nga rajoni, do ndalesha tek debati mbi reformat në Kombet e Bashkuara, përfshi dhe Këshillin e Sigurimit. Cili propozim reformash do të marrë votën e Shqipërisë dhe përse?

BESNIK MUSTAFAJ
Ne nuk kemi ende në dorë variante të reja, veç atyre që janë paraqitur shtatorin e 2005-ës, kohë që përkonte me takimin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. As përfaqësuesit e Grupit G4, as italianët dhe as të tjerët, nuk kanë paraqitur dokumenta të reja.
Ne do ta merrnim vendimin bazuar në dy aspekte. Së pari aspekti parimor që ka të bëjë me rolin që ne duam të luajmë për reformimin e Këshillit të Sigurimit, si vend anëtar me të drejta të plota në OKB. Pra të luajmë rolin tonë, me fuqinë që ka një votë për reformimin e KS-së. Por do të shohim dhe rëndësinë strategjike që ka për interesat e Shqipërisë, mbështetja e një versioni apo një tjetri. Ne do të nisemi nga parimi i shprehur deri tani nga SHBA-të, se reforma në Këshillin e Sigurimit nuk duhet ta përçajë komunitetin ndërkombëtar. Versioni me konsensus është më i pëlqyeri për ne. Nëse nuk do arrihet mirëkuptimi do vendosim mbi parimet e përmendura më sipër.
Deri tani i përmbahemi parimit të kërkuar nga SHBA-të dhe shumë vende të tjera, që të gjendet një konsensus mbi të cilin të ndërtohet reforma.


Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG