Ndërlidhjet

logo-print

JESSEN PETERSEN: NUK I KUPTOJ VEPRIMET E VETËVENDOSJES


Zijadin Gashi, Prishtinë

Të gjithë ata që përpiqen të pengojnë procesin aktual politik dhe atë të zgjidhjes së statusit nuk punojnë në interes të Kosovës, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto komente, Jessen Petersen i ka bërë pas takimeve që zhvilloi sot me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku dhe kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin. Ai tha se se nuk i kuptonte veprimet e organizatës "Vetëvendosje" për bllokimin e hyrjeve në selinë e administratës ndërkombëtare. Nuk i kuptoj këta djem se çka duan, por e di se veprime të tilla bien në kundërshtim me interesat e Kosovës, tha Petersen:
“Mendoj se armiqtë e pavarësisë së Kosovës, që frikësohen se ajo mund të jetë realitet, do t’u gëzohen veprimeve të tilla”, ka thënë Jessen Petersen, pas takimit me kryeministrin Çeku. Ai nuk ka dashur t’i komentojë spekulimet e ditëve të fundit në mediat vendore lidhur largimin e tij nga misioni në Kosovë. Petersen tha se aktualisht është i përqendruar në takimet që këto ditë do të zhvillohen në Prishtinë me kryenegociatorin Marti Ahtisari si dhe ne sesionin për Kosovën që do të mbahet më 20 qershor në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se ai kishte marrë sot edhe zyrtarisht ftesën që ta shoqëronte Jessen Petersenin në takimin e Këshillit të Sigurimit.
Kryeministri kosovar tha se e ka njoftuar shefin e UNMIK-ut me hapat e menjëhershëm që qeveria e tij do t’i ndërmarrë për plotësimin e 13 standardeve prioritare që Grupi i Kontaktit i ka caktuar Kosovës:
“Biseduam dhe për 13 prioritetet që i kemi marrë nga Grupi i Kontaktit. Në një bashkëpunim të aktiviteteve me UNMIK-un, ka shumë fusha që UNMIK-u duhet të na ndihmojë, sidomos në fushën e kthimit, rindërtimit të shtëpive, çështjes së zhdukurve, agjensionit të pronave, e shumë çështje të tjera ku është e domosdoshme edhe pjesëmarrja edhe kontributi i UNMIK-ut”, tha Çeku.
Më pas, Jessen Petersen ka takuar dhe liderin e partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Hashim Thaçin. Kryeadministratori ndërkombëtar tha se ndër tjera me Thaçin ka biseduar dhe për çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Petersen tha se pas konsultimeve që ka zhvilluar me lidershipin kosovar, vendimin përfundimtar për zgjedhjet do ta marrë pasi të jetë konsultuar dhe me presidentin, Ahtisari dhe instancat e tjera relevante ndërkombëtare. Kurse Hashim Thaçi tha se i kishte mirëpritur rekomandimet e Grupit të Kontaktit për 13 standardet prioritare, ndërkaq për zgjedhjet ai tha se besonte që vendimi i shefit të UNMIK-ut, do të jetë rezultat i konsensusit të përgjithshëm me spektrin politik kosovar:
“Ne i kemi mirëpritur të gjitha ato konsulta që janë zhvilluar edhe në nivel të gjerë edhe në nivelin e partive politike,si dhe në nivelin e partive politike me UNMIK-un dhe në këtë drejtim, mendoj që vendimi që duhet të zyrtarizohet nga zoti Petersen, do të jetë një vendim i vullnetit të spektrit politik kosovar, i një konsensusi të spektrit politik kosovar”, theksoi Thaçi.
Përndryshe, po sot, duke iu përgjigjur kërkesave të Grupit të Kontaktit, kryeministri Agim Çeku ka mbledhur grupet punuese për standardet, të cilave u ka kumtuar 13 rekomandimet dhe i ka rikujtuar ato për punën që duhet të bëjnë gjatë muajve të ardhshëm në plotësimin e standardeve të përcaktuara si prioritare.


XS
SM
MD
LG