Ndërlidhjet

AHTISARI: JAM I IMPRESIONUAR ME UNANIMITETIN E GRUPIT TË KONTAKTIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, tha sonte në Prishtinë se është i impresionuar nga njëzëshmëria e qëndrimeve brenda Grupit të Kontaktit dhe më gjerë, lidhur me diskutimet për statusin e Kosovës dhe ka paralajmëruar një proces paralel të diskutimeve për statusin dhe të atyre për çështje teknike, që kanë filluar katër muaj më parë në Vjenë. Zoti Ahtisari i ka bërë këto komente sonte në Prishtinë, pas takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës Famir Sejdiu dhe me kryeministrin Agim Çeku.
"Unë jam jashtëzakonisht i impresionuar me gjithë atë unanimitet në Grupin e Kontaktit dhe kjo është shumë me rëndësi," tha Ahtisari, për të shtuar se një unanimitet i tillë ekziston edhe në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërkohë që vizitat në Kinë dhe në Rusi i ka vlerësuar si frytdhënëse.
Zoti Ahtisari tha se pas paraqitjes së raportit në Këshillin e Sigurimit në mesin e korrikut, mund të fillojë faza e diskutimeve për statusin e Kosovës:
"Ne ende nuk e kemi përfunduar fazën e parë, por kjo nuk do të thotë se kur të kalojmë në fazën e diskutimeve për statusin, të mos vazhdojmë diskutimet në nivel ekspertësh, si në fillim të kësaj jave në Prishtinë," tha Ahtisari. Ndërkohë që presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se Prishtina është e gatshme të përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, për ta bërë të suksesshme rrugën drejt përcaktimit të statusit.
"Shtrova të gjitha elementet e gatishmërisë sonë që të kontribuojmë në proces. Po ashtu duke patur parasysh se gjithë ky proces duhet të ketë finalen e vet të mirë dhe ajo është finalja e pavarësimit të plotë të Kosovës, duke patur po ashtu nevojën që të japim garancione të fuqishme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për minoritetet që janë në Kosovë", tha presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku tha se me zotin Ahtisari e kishin vlerësuar qasjen e Prishtinës konstruktive në bisedimet e deritashme dhe shpresohej të vazhdohej kjo rrugë:
" Ne nuk i përkrahim dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t'i përkrahë përpjekjet e Beogradit që të ndrohet procesi, të ndrohen kornizat e këtij procesi tanimë të vendosura. Besojmë gjithashtu dhe kërkojmë që ky proces të përfundojë gjatë këtij viti dhe rezultat i këtij procesi të jetë pavarësia e plotë e Kosovës dhe sovraniteti i plotë i Kosovës", tha kryeministri Çeku, duke premtuar se Ksoova do të jetë një vend i sigurt dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët e saj. Në këtë kuadër, zoti Ahtisari tha:
"Nëse do ta përshkruaja këtë proces, ajo është një përpjekje për të krijuar kushte që pakicat në Kosovë të mund të kenë jetë dinjitoze dhe një të ardhme të sigurt," tha Ahtisari, i cili sot më herët ka takuar shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ndërsa nesër do të takojë ekipin negociues në përbërje komplete.






XS
SM
MD
LG