Ndërlidhjet

DREJTUES VENDORË E NDËRKOMBËTARË ÇMOJNË PUNËN E KFOR-IT


7 vjet nga hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë

Detyra e tashme e KFOR-it është që të ndihmojë dhe mbështesë politikanët në detyrën e vështirë të arritjes së zgjidhjes së drejtë dhe të qëndrueshme për statusin e Kosovës, tha sot në Prishtinë, komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Giusepe Valotto, në përvjetorin e shtatë të hyrjes së forcave të KFOR-it në Kosovë, pas fushatës 78 ditëshe të bormbardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe më 1999. Gjenerali Valotto ka folur sot në një ceremoni në këtë përvjetor, duke e vlerësuar të suksesshëm misionin e deritashëm të forcës paqeruajtëse:
"Toleranca dhe mirëkuptimi ndërmjet të gjitha palëve po rritet, ndërkohë që me më shumë 16 mijë trupa, KFOR-i paraqet një nga përkushtimet më të rëndësishme të NATO-s", tha gjenerali Valotto. Ai së bashku me shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen dhe presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, kanë përkujtuar 110 ushtarët e forcës paqeruajtëse KFOR që kanë humbur jetën gjatë misionit në Kosovë, në mënyra të ndryshme, por asnjë prej të cilëve nga ndonjë sulm armiqësor:
"Sot dua të kujtojë sakrficën sublime të 110 ushtarëve që kanë humbur jetën gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë", tha gjenerali Valotto, duke përkujtuar po ashtu edhe 23 ushtarët sllovakë të KFOR-it që humbën jetën në një fatkeqësi ajrore vitin e kaluar deri sa po ktheheshin në atdhe, pas kryerjes së misionit në Kosovë.
Gjenerali Valotto tha se KFOR-i aktualisht ka një mision tjetër po kaq të rëndësishëm sa ruajtja e paqes:
"Synimi ynë tash është që të ndihmojmë dhe mbështesim politikanët dhe bashkësinë ndërkombëtare në detyrën e tyre të vështirë për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të ketë parasysh interesat e popullit të Kosovës", tha gjenerali Giusepe Valotto.
Ndëkaq, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka falenderuar KFOR-in për misionin shtatvjeçar që e ka sjellë Kosovën deri në këtë pikë:
"Ky mision ka qenë i rëndësishëm para shtatë vjetësh, por është po kaq i rëndësishëm edhe sivjet kur po jemi në mesin e vitit që është vërtet historik për Kosovën dhe njerëzit e saj", tha Jessen Petersen, duke shfaqur falënderim ndaj NATO-s edhe për gatishmërinë për ta vazhduar misionin edhe pas zgjidhjes së statusit:
"Unë jam i ngazëllyer të dëgjojë se KFOR-i është këtu e do të jetë edhe në të ardhmen, për aq kohë sa autoritetet e këtushme do të duan ta kenë KFOR-in", tha Jessen Petersen.
Ushtarët që kanë humbur jetën gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë i ka nderuar edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke falënderuar NATO-n për angazhimin gjatë vitit 1999 dhe në misionin paqeruajtës:
"Falenderoj gjithë këtë angazhim që KFOR-i ka bërë në fazën e pasulftës në Kosovë dhe ne ashtu siç tha gjenerali Valotto duam dhe mundemi së bashku ta ndërtojmë të ardhmen e qytetarëve të Kosovës duke pasur një prezencë të nevojshme të mëtejshme të forcave të NATO-s në Kosovë", tha Sejdiu.
Forcat e KFOR-it në Kosovë kanë hyrë më 12 qershor të vitit 1999. Dy ditë më parë në Kumanovë të Maqedonisë, komandanti i parë i KFOR-it gjenerali britanik Michael Jackson kishte nënshkruar me ish-ushtrinë jugosllave marrëveshjen për tërheqjen e gjithë forcave të ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe nga Kosova. Kjo i dha fund fushatës 78 ditëshe të bombardimeve kundër forcave të Millosheviqit dhe mundësoi kthimin e qindra mijëra shqiptarëve që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG