Ndërlidhjet

ZUBIN POTOKU I BASHKOHET ZVEÇANIT PËR NDËRPRERJEN E KOMUNIKIMIT ME INSTITUCIONET E KOSOVËS


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Kuvendi komunal i Zubin Potokut, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur sot ka marrë vendim që të ndërpresë çdo formë të bashkëpunimit me institucionet vendore të Kosovës. Komuna e Zubin Potokut dhe ajo e Leposaviçit kanë përkrahur në parim vendimin e ngjashëm të kuvendit komunal të Zveçanit, të miratuar në 5 qershor, përmes së cilit është shpallur siç është thënë gjendja e jashtëzakonshme në veri dhe është ndërprerë komunikimi me administratën vendore dhe atë të Kombeve të Bashkuara.
Për dallim nga vendimi i 5 qershorit, në të cilin është përfshirë dhe mosbashkëpunimi me UNMIK-un. Në seancën e sotme përfaqësuesit serbë kanë debatuar gjatë nëse duhen ndërprerë kontaktet edhe me administratën ndërkombëtare, por në fund janë përmbajtur nga një vendim i këtillë.
Slavisha Ristiq, kryetar i kuvendit komunal të Zubin Potokut, shpjegon vendimin e miratuar sot.
"Vendimi ynë vlen jo vetëm deri në krijimin e një ambienti më të sigurt nga institucionet kosovare, apo deri në zbulimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e serbëve, por vlen derisa kohë që institucionet vendore insistojnë në projektin e tyre për pavarësinë e Kosovës," tha zoti Ristiq, duke shpjeguar se përderisa institucionet luftojnë për përmbushjen e këtij synimi, është e qartë se asnjë serb, përfshirë këtu edhe kuvendin komunal të Zubin Potokut, nuk do të bashkëpunojë me këto institucione.
Edhe në seancën e sotme ky kuvend ka miratuar masat për vetëorganizim, duke përkrahur komitetin për raste emergjente, i cili siç thuhet, do të mund të marrë vendim për bllokim rrugësh apo kontrollim të qarkullimit në rast të , siç është thënë, lëvizjeve të dyshimta.
Ndryshe të gjitha këto zhvillime kanë pasuar disa incidente në të cilat viktimat kanë qenë pjesëtarë të komunitetit serb. Autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe vendore kanë tërhequr vërejtjen se motivet e këtyre incidenteve, nuk duket të jenë me baza etnike. Policia e Kombeve të Bashkuara madje ka marrë vendim që numrin e forcave në veri ta ngrejë në 500 veta, për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të mundshëm të situatës.
Vendimi i sotëm i kuvendit komunal të Zubin Potokut pason dhe thirrjet që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari, u ka bërë serbëve të Kosovës për t'u përfshirë në të gjitha nivelet e institucioneve dhe kështu të shfrytëzojnë të drejtat që u takojnë.



XS
SM
MD
LG