Ndërlidhjet

logo-print

FESTOHET 12 QERSHORI, DITA E LIRISË


Albana Isufi, Prishtinë

Nga mesdita e sotme, sheshit para Fakultetit Filologjik i është shtuar shtatorja prej bronxi e akademikut të ndjerë Fehmi Agani.
Zbulimi i shtatores është bërë në 7 vjetorin e hyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, të cilat i dhanë fund dhunës së regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Duke folur në ceremoninë e zbulimit të bustit, presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se vepra e akademik Aganit ka lënë gjurmë nëpër të gjitha fazat e historisë moderne të Kosovës.
“Vrasja mizore e Prof. Fehmi Aganit në pranverën e vitit 1999, ishte vetëm një akt i tërbimit dhe i pafuqisë së Serbisë dhe gjithë establishmentit të saj policor e ushtarak, për t’u përballur me proceset e mëdha të lirisë nëpër të cilat kalonte Kosova. Me vrasjen e burrave të mëdhenj goditej palca e rezistencës dhe e luftës për liri të shqiptarëve. Ka qenë privilegj i madh i gjithë neve që e kemi pasur profesor, udhëheqës dhe kemi punuar me këtë burrë të madh të Kosovës, i cili u dekorua nga presidenti Rugova me Urdhërin më të lartë - Hero i Kosovës. Dhe kjo shtatore le të na e përjetësojë Profesor Aganin në mjedisin akademik!”
Motor të brezit, që po përhapte horizonte të dijes, hulumtimit dhe mendjes e ka quajtur akademik Aganin, kryetari i Akademisë së Shkencave edhe Arteve të Kosovës, Rexhep Ismajli.
Akademik Agani, sipas zotit Ismajli, qe bërë bartës i diskursit të vazhdueshëm për pavarësinë e Kosovës, si dhe figurë që simbolizonte unitetin.
“Prej veprës së tij del mësimi se çështja e Kosovës do zgjidhej patjetër dhe se kjo zgjidhje nuk mund të gjendet pa përfilljen e të drejtës për pavarësi dhe të drejtës për vetëvendosje. Duhet të nxirret mësimi se realizimi i këtyre të drejtave është i lidhur me orientimin tonë të vendosur për ndërtimin e shoqërisë funksionale dhe mbi të gjitha demokratike, se duhen intensifikuar proceset e mirëkuptimit dhe të jetës së mirëfilltë civile, se do shtuar ndjenja e përgjegjësië në funksionimin e mekanizmave të pushtetit dhe veprimtarisë shoqërore”.
Në emër të studentëve, që inicuan ngritjen e shtatores së akademik Fehmi Aganit, Shkëmb Manaj ka thënë se sot është më se e nevojshme, që të përçohet mesazhi i profesorit të ndjerë për unitet mes shqiptarëve.
“Fehmi Agani si simbol i unitetit ka ardhur në mesin tonë pikërisht në kohën kur Kosovës i duhet uniteti më shumë se buka e uji, ai sot na përcjellë dhe përkujton një mesazh përmes thënies së tij, citoj: "Uniteti nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë, ai duhet të mbahet e krijohet vazhdimisht, kultivohet fryma e bashkëpunimit, të zhvillohen mënyrat e urbanizuara të tij".
Bashkëshortja e akademikut të ndjerë, Sadije Agani ka falënderuar organizatorët e ngritjes së shtatores.
“Më lejoni ta shpreh kënaqësinë e jashtëzakonshme të familjes sonë për faktin se ne sot jemi të gjithë së bashku, po të ishte me ne Fehmiu do të ishte jashtëzakonisht i lumtur”.
Ngritja e shtatores së akademik Fehmi Aganit, i cili u vra nga forcat serbe me 6 maj të vitit 1999, ka qenë iniciativë e disa studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, e cila më pas është përkrahur nga institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG