Ndërlidhjet

PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS, SHPRESË PËR PAVARËSI NGA SERBIA


New York Times

Shtatë vjet pas kontrollit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, gjasat që ky vend të ndahet edhe formalisht nga Serbia dhe të bëhet shtet i pavarur, duken relativisht të mëdha. Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë duke e lejuar Kosovën gjithnjë e më shumë që të ecë drejt rrugës së saj. Këshilli i Sigurimit pritet të votojë mbi fatin e ardhshëm të Kosovës nga fundi i këtij viti, nëse deri atëherë, serbët dhe shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë ndonjë marrëveshje. Megjithatë, disa nga fuqitë më të mëdha botërore, kanë frikë se një vendim i këtillë do të mund t’i trimëronte në njërën anë, lëvizjet separatiste në botë, në intensifikimin e betejave të tyre shpeshherë edhe të përgjakshme dhe në anën tjetër, grupet që ende nuk kanë filluar të luftojnë.
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit thonë se ata do të përpiqen që të hartojnë një marrëveshje shumë specifike për Kosovën, e cila do të paraqitet Këshillit të Sigurimit dhe e cila do të shmangë mundësitë që ajo të zbatohet si model për lëvizjet separatiste kudo në botë. Diplomatët që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe në bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës, thonë se zgjidhja e vetme që do të jetë e pranueshme për shqiptarët është pavarësia, por diplomatët gjithashtu insistojnë se ky shtet i ri duhet të ofrojë garanca për pakicën serbe. Edhe qeveritë e tjera perëndimore duan të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, mbi të gjitha për faktin se janë lodhur financiarisht nga angazhimi i forcave paqeruajtëse dhe zyrtarëve ndërkombëtarë që administrojnë aktualisht me Kosovën.
Por, disa nga udhëheqësit serbë, të lënduar nga ndarja e Malit të Zi prej Serbisë, thonë se pavarësia e Kosovës do të mund të trimëronte edhe ndarjen e Republikës Serbe nga Bosnja e Hercegovina. Kjo republikë vazhdon të jetë pjesë përbërëse e Bosnjës, megjithëse shumë politikanë serbë mbajnë shpresën se ajo do të bashkohet me Serbinë. Udhëheqësit e tjerë serbë ndërkaq kanë pohuar se edhe vetë Kosova do të duhej të ndahet, duke lejuar veriun e saj të bëhet pjesë e Serbisë. Pas kërcënimëve të udhëheqësve lokalë për formimin e grupeve të sigurisë në veri, administrata ndërkombëtare në Kosovë ka shtuar numrin e policëve në 500, kurse udhëheqësit shqiptarë kanë thënë se këto kërcënime sinjalizojnë synimet separatiste.
XS
SM
MD
LG