Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË: KOMENTE TË NDRYSHME RRETH LARGIMIT TË PETERSENIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Largimi i zotit Jessen Petersen nga posti i shefit të UNMIK-ut dhe paralajmërimi i tij se do të zëvendësohet nga dikush tjetër në këtë post, nuk mund të ndikojë shumë mbi proceset aktuale në Kosovës dhe lidhur me statusin, pasi nuk janë administratorët ata që i përcaktojnë politikat lidhur me Kosovën, mendojnë analistët në Prishtinë.
Shkëlzen Maliqi, analist nga Prishtina, mendon se Petersen e ka kryer misionin e tij dhe puna ka mbetur tek instanca më të larta:
"Ai misionin e tij e ka kryer me sukses dhe ka qenë kryeadministratori më i zellshëm, më aktiv dhe më i popullarizuar ndër shqiptarët, ndër kosovarët. Puna tash ka kaluar në instancat e tjera, tek Ahtisari dhe ekipi i tij që udhëheqë negociatat, te Grupi i Kontaktit, te Këshilli i Sigurimit".
Mirëpo, Ibrahim Berisha, sociolog dhe analist mendon se Petersen ka qenë më i pranishëm sesa administratorët e tjerë, vetëm në mënyrë retorike:
"Peterseni në mënyrë retorike ka qenë më i pranishëm, më atraktiv vizualisht e medialisht, por në esencë nuk ka ndryshuar ato çështje për të cilat Kosova nuk ka marrë nota të mira edhe më herët, është fjala për zbatimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, plotësim të standardeve e të tjera".
Prandaj, zoti Ibrahim Berisha mendon se nuk do të ketë shumë ndryshime edhe pas shkuarjes së tij:
"Mbështetur në përvojat e mëhershme, përkatësisht në ndërrimin e përfaqësuesve specialë në këto vitet e fundit, mund të mbërrihet deri te një konstatim i përafërt, se nuk ka pasur shumë ndryshime në trendin thelbësor të procesit në Kosovë".
Në anën tjetër, Shkëlzen Maliqi mendon se është perceptim i gabuar të mendohet se politika varet nga një përfaqësues special:
"Është perceptim i gabueshëm jo vetëm për Petersenin, por edhe për kryeadministratorët e tjerë, se ata kanë mundur të realizojnë politikat në Kosovë krye më vete, ata kanë mundur të kenë disa pika subjektive të veprimit, vetëm në kornizat të mandatit dhe programit që ua kanë dhënë faktorët që edhe i kanë sjellë këtu."
Sipas zotit Maliqi, kryeadministratori tjetër do të mund të merret vetëm në punë teknike:
"Shumë shpejt pas raportit të Petersenit në Këshillin e Sigurimit, muajin tjetër besoj se do të adresohet edhe çështja kryesore e statusit dhe në këtë aspekt puna e tij është e kryer. Administratori tjetër më shumë do të ketë një detyrë teknike që ta përgatisë largimin e UNMIK-ut, ose ndryshimin e misionit të UNMIK-ut," tha zoti Maliqi, pasi sipas tij, Kombet e Bashkuara do të mbeten në Kosovë me një mision më të vogël dhe ky do të zëvendësohet me një tjetër, që beson se do të jetë i drejtuar nga BE.
Edhe zoti Ibrahim Berisha beson se procesi i përcaktimit të statusit do të vazhdojë sipas dinamikës së paraparë:
"Mendoj se pasi që ka ardhur në një proces e gjithë kjo gjendje kur duhet të merret një vendim, mbase kushdo që të jetë, ata që e përcaktojnë statusin kanë marrë disa vendime dhe ato vendime në një formë ose në një tjetër pritet të zbatohen".
Shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, i cili dje ka njoftuar se në fund të muajit do të largohet nga Kosova, ka thënë se pas qershorit do të emërohet edhe njeriu që do ta zëvendësojë në këtë post, ndërkohë që detyra e fundit e zotit Jessen Petersen, mbetet raportimi në Këshillin e Sigurimit më 20 qershor.

XS
SM
MD
LG