Ndërlidhjet

logo-print

JANJIQ:"REFERENDUMI MALAZEZ NDËRLIKON ÇËSHTJEN E KOSOVËS"


Dushan JANJIQ,Kryetar i Forumit për Marrëdhënje Etnike/Beograd/

EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, si e shpjegoni raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të KB, Kofi Annan, në të cilin nga Prishtina dhe Beogradi kërkohet më shumë gatishmëri për kompromis në bisedimet në Vjenë?

D. JANJIQ
Mendoj se kjo porosi është shumë e mirëseardhur. Ajo në të vërtetë është jo vetëm një inkurajim, por edhe presion, jo vetëm për palët negociuese, por edhe ndaj vetë Ahtisaarit, për shkak se mund të thuhet që nuk është arritur përparim i pritur as edhe pas 6 raundesh të bisedimeve në Vjenë, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj se është një vlerësim shumë i mirë, por i nxjerrë nga një raport që e ka bërë UNMIK-u, i cili nuk e përshkruan si duhet situatën në Kosovë dhe nuk ka të dhëna konkrete. Pra, është një mesazh shumë i mirë politik, përkundër materialit konkret që gjendet në vetë raportin.

EVROPA E LIRË
Harta politike e Ballkanit ka ndryshuar me pavarësinë e Malit të Zi. Sa do të ndikojë kjo në qëndrimet e ardhshme të Beogradit në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

D. JANJIQ
Mendoj se nuk do të ndryshojë shumë. Sa i përket opinionit, pavarësia e Malit të Zi pritej. Sa për politikanët, ata e përjetuan si një befasi, sepse muajt e fundit në mënyrë të drejpërdrejtë e përkrahën bllokut pro unionit. Është e logjikshme që atyre u mbeti një shije e hidhur. Por jo të gjithë i përjetojnë proceset njëlloj.
Për shembull, për takimet e Vjenës kemi dallime të shumta të opinionit edhe në Kosovë. Shumica e shqiptarëve kryesisht janë të kënaqur me rezultatet e deritashme, ndërsa serbët shfaqin pakënaqësi.
Pra, të kthehem në pyetjen tuaj. Në aspektin politiko-psikologjik, referendumi ka një ndikim. Por sa i përket aspektit ligjor, referendumi në Mal të Zi sikur krijoi një kategori të re që do ta quaja referendum nën kontrollin e Bashkimit Evropian. Kjo tash është një mënyrë e re për fitimin e pavarësisë, dhe Mali i Zi është shteti i parë që lindi në këtë mënyrë. Në fakt, kishte referendume në Kroaci, Slloveni dhe Bosnje por ato u vlerësuan nga Komisioni i Badinterit, ndërsa shtetet e krijuan në bazë të Komisionit të Badinterit, e jo në bazë të referendumeve. Pra, referendumi në Mal të Zi solli një risi, e cila tash e ndërlikon situatën në Kosovë. Nuk mund të mohohet se shumica e shqiptarëve do ta dëshironin referendumin si mënyrë të shpejtë dhe efikase për të arritur pavarësinë, por këtu paraqitet edhe problemi i entitetit tjetër në Ballkan, i Republikës Serbe të Bosnjes, e cila gjithashtu kërkon referendum. Pra, ky është ai ndërlikim, për të cilin bashkësia ndërkombëtare duhet të gjejë zgjidhje.
Mendoj se ndikime tjera nuk do të ketë. Madje besoj që pavarësia e Malit të Zi do t'i relaksojë marrëdhënet shqiptare-malazeze dhe atë pjesë të rajonit.

EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, si i vlerësoni paralajmërimet e disa komunave në veri të Kosovës për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve me autoritetet në Prishtinë?

D. JANJIQ
Sipas meje, ky është një vlerësim shumë i keq por edhe në aspektin kohor. Mendoj se këto hapa nuk guxonin të ndodhnin në kohën e negociatave, sidomos kur tashmë janë paraqitur kërkesa shumë konkrete për decentralizmin, dhe duhej të priten qëndrimet e z. Albert Rohan. Por ka edhe mundësi që politikanët nga veriu të jenë përpjekur që në këtë mënyrë t'i forcojnë kërkesat e tyre, të cilat siç e dini nuk u përfillën nga ana e ekipit të Prishtinës.
Gjithashtu ka edhe mundësi tjetër, sepse komunat serbe në veri të Kosovës nga pikëpamja formalo-juridike janë të përfshira në sistemin e UNMIK-ut, por në fakt ato funksionojnë në mënyrë të pavarur.
Problemi i tretë është ai i financimit. UNMIK-u sikur u kujtua në kohë të gabuar. Në vend që ta përkrahë qetësimin e situatës, UNMIK-u vendosi ta shtrojë pyetjen e ndërprerjes së finansimit, dhe përmes mosfinansimit t'u bëjë shantazhe autoriteteve lokale në veri, të cilat kanë marrë mjete psh. për spitale dhe të tjera, që të kalojnë në ekipin negociator të Prishtinës. Mendoj se ky është një reagim shumë i keq ndaj provokimeve dhe problemeve reale që ekzistojnë. Ajo që është me rëndësi, është që UNMIK-u apo kushdo që do ta pasojë, por edhe shumica shqiptare në Kosovë, të kuptojnë se nevoitet marrëveshje e përbashkët me njerëzit në veri të Kosovës, me një program të ndershëm bashkëpunimi, i cili më pas do të çonte drejt integrimit të këtyre komunave në shoqërinë kosovare. Nëqoftëse insistohet vetëm në shpërbërjen e të ashtuquajturave institucione paralele, në thelb bëhet ajo që bënte Millosheviqi. Dhe, ashtu si Millosheviqi që i shtynte shqiptarët në një botë paralele, tash UNMIK-u dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës thjesht janë të kënaqur që serbët ndodhen në atë botë paralele.

EVROPA E LIRË
Soren Jessen-Petersen deklaruar se UNMIK-u do të jetë i pranishëm në Kosovë edhe 12 muaj, nga të cilët 6 do të nevoiten për largimin e administratës ndërkombëtare. A nënkupton kjo se statusi i Kosovës do të përcaktohet në 6 muajt e ardhshëm?

D. JANJIQ
Kjo nënkupton se ekipet e Bashkimit Evropian për planifikim, do ta përfundojnë punën e tyre dhe do të propozojnë formë të re të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare. Këtu ekziston konsenzus se ajo do të jetë një prani civile e Bashkimit Evropian, ndonëse nuk dihet qartë në cilat fusha. Kjo përfshin peridhën, të cilën para 2 vjetësh e planifikonte edhe vetë UNMIK-u, pra periudhën e mbylljes së zyrave të caktuara të cilat thjesht bëjnë punë burokratike duke shkruajtur raporte.
Unë besoj që statusi i ardhshëm politik do të përcaktohet ndërmjet dhjetorit dhe marsit të vitit të ardhshëm. Pra këtu ka përputhje. Megjithate, supozoj se vetë debati në Këshillin e Sigurimit dhe sjellja e rezolutës, nuk duhet patjetër të jetë edhe datë e fillimit të zbatimit të statusit të ardhshëm politik. Me siguri që Jessen-Petersen ka menduar për këtë. Por një gjë tjetër është më e rëndësishme. Mendoj se është mirë që ai largohet. Besoj që përfaqësuesi i ri do të mbështesë dialogun dhe marrëveshjet më efikase, e jo thjesht të rrijë mënjanë, dhe të nxitë njërën anë në kërkesat joreale. Sidoqoftë, mendoj se procesi për statusin duhet të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG