Ndërlidhjet

logo-print

BERISHA: MBËSHTESIM PAVARËSINË DHE MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË PAKICAVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqipëria dhe Kosova të lira dhe demokratike po shkojnë kah Bashkimi Evropian, ndërkohë që Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet pavarësinë e Kosovës, si dhe garantimin e të drejtave për serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë, tha sot në Prishtinë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili sot ka nisur një vizitë treditëshe në Kosovë.
Zoti Berisha i bëri këto komente duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vinte në Kosovë vetëm tre ditë pas përvjetorit të shtatë të çlirimit të Kosovës dhe vetëm tre ditë pasi Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit:
"Kombi shqiptar ecën i lirë dhe i sigurt drejt të ardhmes që meriton. Kosova dhe Shqipëria si dy motra ecin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, drejt të ardhmes që meritojnë".
Kryeministri Sali Berisha ka takuar sot presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministrin Agim Çeku, kryeparlamentarin Kolë Berisha dhe shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, me ç’rast u tha se agjenda e përbashkët dhe më e rëndësishme e Kosovës dhe e Shqipërisë është integrimi në strukturat euroatlantike.
Kryeministri Berisha, ka ardhur sot për herë të parë në një vizitë zyrtare si kryeministër i Shqipërisë, ndërkohë që në Kosovë ka qenë edhe një herë, por për të marrë pjesë në varrimin e presidentit Rugova, në fillim të këtij viti. Pikërisht varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe homazhet e bëra, ishte ndalesa e parë e sotme e kryeministrit Berisha, i cili më pas ka takuar kryeministrin e Kosovës Agim Çeku:
"Kam ardhur këtu në vizitën më të mirëpritur të jetës sime, sepse unë vij në një vend të lirë, në një Kosovë të lirë, e cila ecën e sigurt drejt të ardhmes evropiane që e meriton", tha kryeministri Berisha, ndërsa mikpritësi i tij, kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se në këtë takim ishte biseduar për shumë çështje:
"Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një agjendë politike- integrimi i të dyja vendeve në strukturat euroatlantike. Në këtë drejtim, padyshim se do të përfitojmë nga praktikat, përvojat dhe standardet e Shqipërisë në përafrimin me këto struktura euroatlantike".
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha tha se mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës e ka bërë më të lehtë vetë puna e udhëheqjes kosovare:
"Shqipëria natyrisht e ka mbështetur dhe e mbështet të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje, e shprehur kjo në mënyrat më të ndryshme të përsëritura, pra për pavarësi, por Shqipëria mbështet edhe respektimin e të drejtave të pakicave dhe shtetin ligjor, si kushtin themelor për pavarësi", tha zoti Berisha.
Ndërsa presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e ka falënderuar kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në shumë plane, siç u shpreh presidenti Sejdiu:
"E falënderova nga zemra për gjithë atë angazhim që Shqipëria ka pasur dhe për Kosovën dhe mëvetësinë saj, konform vullnetit politik të popullit të Kosovës, pra pavarësimin e saj të plotë, duke pasur parasysh një ndihmë të madhe që bën për mbështetjen e fuqishme të diplomacisë shqiptare në gjithë spektrin e angazhimit të saj."
Kryeministri Berisha ka takuar sot edhe edhe shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen dhe zëvendësin e tij, Steven Shook. Zoti Jessen Petersen e ka lavdëruar zotin Berisha për qasjen konstruktive, ndërsa e ka quajtur atë shembull të mirë se si luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni:
"Unë e përgëzova kryeministrin për dinamikën me të cilën e luftoi krimin e organizuar dhe korrupsionin," tha zoti Petersen, sipas të cilit Kosova duhet të marrë shembull nga kryeministri Berisha për të lansuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si problem serioz në Kosovë
Kryeministri Berisha, sot do të shpallet qytetar nderi i Prishtinës e më pas do të takojë edhe zotin Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, që udhëheq koalicionin qeverisës, dhe kryetarin e PDK-së në opozitë, zotin Hashim Thaçi.



XS
SM
MD
LG