Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI BERISHA VAZHDON VIZITËN E TIJ NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në ditën e dytë të vizitës së tij të parë zyrtare Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka vizituar disa komuna të Kosovës dhe ka takuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit, përfaqësues të serbëve dhe të pakicave të tjera joserbe.
Kryeministri Berisha ka takuar sot edhe komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s, gjeneralin Giussepe Valotto dhe ka vizituar kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.
Më pas, kryeministri i Shqipërisë, Berisha ka vizituar disa mjedise në komunën e Fushë-Kosovës që ka popullatë të përzier. Ai tha se në asnjë vend tjetër të Ballkanit plagët nuk kanë qenë më të mëdha se këtu dhe këtu nuk është fjala për dhjetëra vite më parë:
"Këtu është fjala për plagë të freskëta, të 1998/99, të 2004-ës dhe këtu vjen e nuk gjen asgjë prej tyre – i keni shëruar i keni mbyllur në mënyrën më fisnike, duke dëshmuar se në shpirtin tuaj ka një kod të thellë njerëzor, mbi të gjitha kodet dhe kushtetutat".
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili dje i ka porositur udhëheqësit e Kosovës që të garantojnë liritë dhe të drejtat për serbët dhe pakicat e tjera, tha se sigurimi i të drejtave për serbët është me rëndësi edhe për përcaktimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan.
"E keni shndërruar Fushë-Kosovën në simbol të mirëkuptimit, harmonisë, bashkëjetesës njerëzore, të respektit të njëri-tjetrit, të gjuhës, besimit, identitetit kombëtar të gjithsecilit".
Ai tha se banorët e Fushë-Kosovës po i prijnë me këto qëndrime imazhit evropian të Kosovës dhe janë në lartësinë e të ardhmes që e meritojnë qytetarët e Kosovës.
Me rastin e vizitës në Kishën Ortodokse Serbe në Fushë-Kosovë, kryeministri Berisha ka premtuar ndihmë për restaurimin e kësaj kishe.
Ai pasdite ka takuar edhe njërin nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ky i fundit tha se bashkë me kryeministrin Berisha janë angazhuar për një proces paqësor dhe për nevojën që mundësisht të gjendet ndonjë zgjidhje kompromisi. Zgjidhja e njëanshme nuk do të sillte paqe dhe qetësi dhe këtë ia shpjeguam zotit Berisha, pasi pa paqe në rajon, sigurisht se nuk do të ketë as prosperitet e lëre më investime, tha Ivanoviq:
"Mendoj se është mirë që të gjithë angazhohen që marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve duhet të vihen ashtu si duhet, pasi problemet janë krijuar ndërmjet këtyre dy bashkësive etnike dhe ato duhen zgjidhur," tha Ivanoviq, sipas të cilit zgjidhja nuk guxon të jetë e njëanshme dhe në këtë kuadër ka përmendur Republikën serbe në Bosnjë, si dhe problemet ende të pazgjidhura në Maqedoni, siç u shpreh Ivanoviq.
Ivanoviq tha se Berisha ka mbështetur nismën për decentralizimin dhe është pajtuar se ky proces nuk bën të politizohet. Zoti Berisha ka takuar edhe përfaqësues të pakicave joserbe, si dhe përfaqësues të vendeve të Grupit të Kontaktit, por pa bërë deklarata për shtyp.
Ai gjatë ditës ka vizituar edhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku është pritur nga kryetari akademik Rexhep Ismajli.
Kryeministri Berisha nesër në ditën e tij të fundit të vizitës së parë zyrtare në Kosovë, viziton komunat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit. Kuvendi i Komunës së Gjakovës do ta shpallë kryeministrin Berisha qytetar nderi të Gjakovës, ashtu siç ka bërë dje edhe Kuvendi i Komunës së Prishtinës.
XS
SM
MD
LG