Ndërlidhjet

JIANG: AHTISARI SË SHPEJTI ME SUGJERIME PËR DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari do të bëjë dhe një përpjekje në vijim për të arritur deri te marrëveshja Prishtinë – Beograd për decentralizimin. Kështu ka thënë sot, zëdhënësja e Ahtisarit, Hua Jiang. Pas vizitës së kryenegociatorit, Marti Ahtisari në rajon, zëdhënësja Hua Jiang thotë se ekspertë nga ekipi i Ahtisarit kanë vizituar më pas Kosovën dhe tani po qëndrojnë në Beograd ku po diskutohen modele të ndryshme të organizimit të pushtetit lokal dhe formimit të komunave të reja.
“Pasi t’i kemi të dy pozicionet e qarta, si të Prishtinës ashtu edhe Beogradit, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të pranueshme”, thotë Jiang:
“Qëllimi ynë është që të arrijmë marrëveshje me të dy palët, por nëse kjo është e pamundshme atëherë ne do të dalim me disa sugjerime për të dy palët”, tha Jiang. Sipas saj, këto propozime do t’u dërgohen së shpejti palëve, nga të cilat Ahtisari më pas do të presë dhe përgjigje konkrete. Jiang thotë se ekipi i Vjenës është në kërkim të marrëveshjes dhe jo imponimit të ndonjë zgjidhje për palët në negociata:
“Ne nuk duam të përdorim fjalën imponim, por duam t’i vazhdojmë bisedimet me të dy palët dhe si thashë, së shpejti do të dalim me propozimet tona dhe më pas do të shohim nëse ato do të jenë të pranueshme apo jo”, tha Jiang.
Në anën tjetër, anëtari i ekipit kosovar, pjesëmarrës në takimet e Vjenës për decentralizimin, Fehmi Mujota thotë se pala kosovare duke ofruar formimin e tre komunave të reja dhe zgjerimin e kufijve të komunës së Novobërdës, ka ofruar optimumin e zgjidhjes së numrit dhe kompetencave komunale. Mirëpo, Mujota nuk e përjashton mundësinë që në takimet në nivelet më të larta politike pala kosovare të tregohet fleksibile në negociatat në vijim:
“Po thënë më së drejti do të ishte që në nivelin profesional dhe atë praktik çfarë i duhet Kosovës, çështja do të duhej konsideruar e mbyllur, ndërsa në nivelin politik dhe nivelin e vendimmarrjes në kuptim të zgjidhjes përfundimtare të statusit politik të Kosovës nuk e përjashtoj mundësinë që ekipi negociator të ketë një mundësi fleksibiliteti për të rritur konsensusin e duhur në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe statusin e Kosovës”, tha Mujota.
Mujota beson se pala kosovare, në takimet e Vjenës ka prezantuar një qasje dhe ofertë shumë më serioze sesa Beogradi dhe për këtë është e bindur tashmë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe kryenegociatori Ahtisari:
“Delegacioni i Kosovës ka arritur të shtrojë drejt parimet mbi bazat e dokumenteve të pranuara ndërkombëtarisht, mbi bazën e veçorive të zhvillimit të pushtetit lokal në Kosovë dhe natyrisht edhe mbi bazën e veçorive të përbërjes etnike në Kosovë”, theksoi Mujota.
Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar deri tash katër takime në Vjenë, ndërkohë që nuk është vërejtur asnjë lëvizje nga asnjëra palë nga pozicionet fillestare. Tani, kryenegociatori Ahtisari është në përpjekje të gjetjes së zgjidhjeve dhe për këtë qëllim ai ka angazhuar ekipe ekspertësh, të cilat po hulumtojnë zgjidhjet e mundshme në takimet e tyre në nivel ekspertësh si me Prishtinën, ashtu dhe me Beogradin.


XS
SM
MD
LG