Ndërlidhjet

MIRËBESIMI I NEVOJSHËM PËR HARMONINË NDËRETNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mirëbesimi ndërtohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata politike, thonë përfaqësues të serbëve të Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të institucioneve thonë se Kosova prin edhe në raport me vendet evropiane, sa i përket seriozitetit me të cilin i qaset çështjes së pakicave. Ernest Luma, këshilltar për marrëdhënie me opinionin i Ministrit për Kthim dhe Komunitete Slavisha Petkoviq, tha se kjo qasje e institucioneve është dëshmuar në vazhdimësi:
"Institucionet e Kosovës, spektri politik dhe të gjithë qytetarët e Kosovës e veçanërisht shumica shqiptare e ka dëshmuar në kontinuitet që prej përfundimit të luftës, shkallë-shkallë, gjithnjë e më shumë gatishmërinë për të rikthyer mirëbesimin ndërmjet komuniteteve dhe për të vendosur marrëdhënie të mira bashkëjetese me të gjithë në Kosovë".
Mirëpo, zoti Luma mendon se institucionet vendore në fakt, mund dhe duhet të bëjnë edhe më shumë për të jetësuar këtë vullnet:
"Është një çështje tjetër ndoshta që ne si vendorë duhet t’i implementojmë më tej ofertat tona konkrete në raport me komunitetet etnike, e veçanërisht me komunitetin e pakicës serbe, që të ndihet më i sigurt në kthimin e tij në Kosovë".
Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve mendojnë se mirëbesimi mund të ndërtohet duke qenë edhe serbët pjesë e institucioneve. Duke komentuar disa kërkesa që serbët mund të kthehen në institucione, nëse u ofrohen garanci kushtetuese se nuk do të jenë të mbivotuar për disa çështje të rëndësisë vitale, Dragisha Kërstoviq, nga Lista serbe tha:
"Kjo është një nga kërkesat e bashkësisë serbe, por tash nuk mund të them nëse kjo është e mjaftueshme për vendimin e serbëve për të hyrë në institucione, pasi ne edhe pa këtë parakusht kemi mjaft arsye për të hyrë në institucione," tha Dragisha Kërstoviq, sipas të cilit krijimi i mundësive që serbët të mos mbivotohen në Kuvend kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, do ta rriste edhe mirëbesimin ndërmjet komuniteteve, edhe besimin e serbëve në institucione. Sidoqoftë, zoti Kërstoviq tha se serbët nuk kërkojnë parakushte për hyrje në institucione:
"Tash për tash ne nuk e kemi asnjë kusht për të hyrë në institucione, por kemi disa mosmarrëveshje të natyrës tjetër që na pengojnë të hyjmë në institucione, pra kemi problem me Beogradin zyrtar që ende mendon se nuk është koha për të hyrë në institucione, që mendoj se është një vlerësim i gabuar politik," tha Dragisha Kërstoviq.
Sidoqoftë, zoti Ernest Luma nga Ministria për Kthim dhe Komunitete, tha se nuk mund të thuhet që mungon angazhimi i institucioneve të Kosovës, qoftë për t’i bindur serbët të jenë pjesë e institucioneve, qoftë për të siguruar kthimin dhe procese të tjera të lidhura me pakicat:
"Unë mund të them që institucionet e Kosovës janë në përparësi edhe ndaj institucionet e vendeve në Evropë dhe në BE, sa i përket seriozitetit të qasjes në këtë aspekt ndaj komuniteteve etnike e veçanërisht ndaj komunitetit serb", tha zoti Luma, sipas të cilit nëse ende nuk është ndërtuar infrastruktura e mirëfilltë në këtë aspekt, angazhimi, vullneti dhe përpjekjet nuk po mungojnë.
XS
SM
MD
LG