Ndërlidhjet

logo-print

KELMENDI: ME SERBINË MUND TË BISEDOHET VETËM PËR ÇËSHTJE TEKNIKE


Nekibe Kelmendi, deputete e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, këtë javë shefi i UNMIK-ut pritet që të raportojë para Këshillit të Sigurimit rreth përmbushjes së standardeve në Kosovë. S anë realitet Kosova i ka arritur standardet e kërkuara?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se Kosova pjesën më të madhe të standardeve tanimë e ka arritur. Por njëqind përqind nuk mund të mendojë askush se mund t'i arrijë Kosova standardet, sepse asnjë shtet i formuar, me traditë shekullore qoftë demokratike, qoftë si shtet, nuk mund t'i plotësojë për një kohë të shkurtër gjithë këto standarde, por edhe nuk i ka të plotësuara. Por sido që të jetë pjesa më e madhe e standardeve janë plotësuar dhe mendoj se raportimi i zotit Petersen lidhur me këtë do të jetë pozitiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni prej këtij raporti të zotit Petersen, i cili do të jetë edhe raporti i tij i fundit, meqënëse do të largohet nga posti?

NEKIBE KELMENDI
Zoti Petersen deri tani ka qenë mjaft objektiv, sado që nga pala serbe është akuzuar se është i njëanshëm, pra se ja mban krahun palës shqiptare. Mendoj se edhe ky raportim i tij do të jetë objektiv, por do të jetë gjithëpërfshirës sepse nuk do t 'i jepet më rasti të raportojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar është në kërkim të një koncesioni nga pala kosovare për të finalizuar bisedimet rreth decentralizimit. A mund të ofrojë pala kosovare më shumë sesa ka ofruar deri tani rreth këtij procesi?

NEKIBE KELMENDI
Unë me plot përgjegjësi mund të them se pala kosovare ka dhënë koncesione dhe koncesione dhe nuk mund të kalohet më mbi atë se çfarë ka ofruar. Mendoj se aty duhet të ndalet. Koncesione të reja nuk mund t'i bëhen palës serbe, sepse dihet prapavija e kërkesave të tyre për koncesione. Sido që të jetë koncesionet kërkohen edhe nga zoti Marti Ahtisari, por ato koncesione kërkohen për t'u lehtësuar çështja e negociatave, për asgjë tjetër. Përndryshe nuk kanë as bazë sipas ligjeve ndërkombëtare që të kërkojnë koncesione nga Kosova, sepse Kosova është në një proces të pavarësimit të saj, që nga koha kur formalisht dhe juridikisht është konstatuar që Jugosllavia është shpërbërë. Prandaj në këtë proces unë mendoj se Kosova e ka dëshmuar veten se ka bërë mjaft lëshime përkundër viktimave, përkundër gjenocidit, përkundër të gjithë atyre vuajtjeve që i ka përjetuar nga agresioni serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga vizita e fundit e zotit Ahtisari në Kosovë, u paralajmërua mundësia që në muajin korrik do të mund të mbahet një takim i nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë mund të sillte një takim i tillë?

NEKIBE KELMENDI
Unë së pari mendoj se takimi përsëri duhet të prekë ato pikat apo çështjet teknike, jo çështjen e statusit, sepse për ne çështja e statusit dihet me plebishit, është thënë njëherë, përsëritet vazhdimisht, do të përsëritet derisa të realizohet, se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë pavarësia e plotë, me sovranitet të plotë. Pra Kosova të fitojë subjektivitetin ndërkombëtar dhe të jetë e pranishme dhe e përfaqësuar në Kombet e Bashkuara. Kështu që ajo që duhet të fillohet të bisedohet, nëse do të fillohet të bisedohet në fund të korrikut, kurrsesi nuk mund të bisedohet për statusin, por mund të bisedohet për çështje teknike. Sepse meqë Kosovës i janë parashtruar si kusht për të biseduar për statusin, për të vendosur për statusin përfundimtar të saj, i janë caktuar pëmbushja e standardeve, unë mendoj se është edhe një barrë më tepër, ngarkesë tepër e madhe për Kosovën që të detyrohet tani të bisedojë për statusin me një partner të bisedimeve, natyrisht me ndërmjetësim ndërkombëtar, siç është Serbia. Dhe ne nuk na lidh më gjë me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni vendimet e fundit të Beogradit, përkatësisht të Kuvendit të Serbisë që Serbia të jetë trashëgimtare e Unionit Serbi Mali i Zi, por edhe e rezolutës 1244.

NEKIBE KELMENDI
Ajo është fontanë dëshirash e Serbisë, sepse me ligjet ndërkombëtare nuk është rregulluar që në rast të shpërbërjes së ndonjë federate apo konfederate, trashëgimtare të jetë njëra nga anëtaret e asaj ish federate, apo ish konfederate. Ajo ç'është e vërteta e ka paraparë në preambulën e vet dhe në kushtetutën që e pati hartuar kur u themelua Unioni Serbi Mali i Zi, se do të jetë trashëgimtare. Mirëpo ai është ligji i saj i brendshëm, të cilin nuk do duhej ta pranonte bashkësia ndërkombëtare. Për mendimin tim, pavarësimi i Malit të Zi është shpërbërja e Unionit Serbi Mali i Zi dhe jo e ish federatës jugosllave. Nga ky aspekt nuk mund të pretendojë Serbia se është trashëgimtare e ish federatës jugosllave. Hiq arsyet e tjera që thashë pak më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë rast kush mund ta trashëgojë rezolutën 1244?

NEKIBE KELMENDI
Rezoluta 1244 për mendimin tim e ka humbur tani kuptimin e vet, nuk i ka ato vlera që i kishte dikur, nuk ka atë rëndësi që kishte dikur, sepse po e përsërit, sepse rezoluta 1244 i referohet ish RFJ-së dhe jo Unionit Serbi Mali i Zi. Kështu që rezoluta 1244 nuk mund të trashëgohet, ajo do të arkivohet në arkivat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një dokument, që është marrë në kohë të caktuar, për nevoja të caktuara dhe për qëllime të caktuara. Qëllimi dhe nevoja për marrjen e asaj rezolute ka qenë që të shpëtohet populli shqiptar nga shfarrosja e tërë, e cila ishte bërë me paramendim nga pala serbe dhe nuk ka qenë qëllimi i saj ruajtja e ish Federatës jugosllave, apo prejudikimi i themelimit të Unionit Serbi Mali i Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet në Kosovë thonë se gjendja në veri nuk është jashtë kontrollit, megjithatë autoritetet e komunave veriore thonë se kanë shkëputur të gjitha lidhjet me institucionet kosovare. Sa mund të ndikojë një gjendje e tillë në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Kjo mund të ndikojë më tepër psikologjikisht, sesa do të ketë ndonjë efekt juridik, ose ndonjë efekt praktik ose faktik. Dihet që edhe veriu i Kosovës është pjesë e territorit të Kosovës dhe është qëndrim i të gjitha shteteve anëtare të Kuintit, por edhe shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare se nuk do të lejohet shkëputje apo ndarje e Kosovës, qoftë ajo dhe pjesa veriore e Kosovës dhe se pavarësia e Kosovës nuk do të shërbejë si shembull për rastet e ngjashme, apo të tjera, të cilat ekzistojnë në vendet e krizave.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG