Ndërlidhjet

logo-print

XHAFERRI: SHTETI NË MAQEDONI NUK KA OFERTË PËR ÇËSHTJET KOMBËTARE DHE EKONOMIKE


Arbën Xhaferri, kryetar i PDSH-së

RADIO EVROPA E LIRË
Faktori ndërkombëtar disa herë ka porositur partitë politike se kësaj rradhe nuk do të jetë e rëndësishme se kush do të fitojë, por forma se si do ta sigurojë këtë fitore. Zoti Arbër mendoni se partia juaj dhe të gjithë ata të cilët e përbëjnë spektrin politik dhe do të garojnë në zgjedhjet e kanë kuptuar mirëfilli këtë mesazh të ndërkombëtarëve?

ARBËN XHAFERRI
Kjo pyetje është e padrejtë sa i përket PDSH-së se PDSH-ja është mësuar me rezultatet e zgjedhjeve demokratike. Ajo ka fituar, ka humbur, prapë ka fituar, kështu që për ne nuk është një ngjarje shokante humbim ose fitojmë. Kjo pyetje duhet t'i bëhet BDI-së meqë ajo ka një koncept të fitoreve të pandërprera, por që arrihen me metoda jodemokratike. PDSH-ja i respekton dhe do i respektojë procedurat demokratike dhe nga kjo rrugë s'kemi si të largohemi, se kjo i takon qënies së angazhimit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Arbër, ku do të fokusohet fushata juaj zgjedhore dhe cilat do të jenë segmentet kyçe në të cilat do të përqëndroheni gjatë fushatës për të bindur elektoratin që të votojë pro PDSH-së.

ARBËN XHAFERRI
Një nga segmentet kryesore të fushatës sonë do të jetë natyrisht analiza e periudhës së kaluar, ku do të hidhen tezat lidhru me realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe segmenteve të tjera të angazhimit politik. Natyrisht, krahas kësaj ne do të ofrojmë projektin e daljes nga kriza, projektin e realizimit të disa prej aspiratave kryesore të popullit shqiptar në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbase në këto zgjedhje qytetarët si biletë shpresëdhënëse kanë integrimin e vendit në strukturat evropiane, por mbi të gjitha ekspertët vlerësojnë se do të thithin votat e elektoratit mbase ato parti politike që do të kenë program ekonomik. Çfarë do të ofrojë PDSH-ja në këtë drejtim?

ARBËN XHAFERRI
Në Maqedoni ky shtet, ashtu si nuk ka ofertë për çështjet kombëtare, po ashtu nuk ka ofertë për çështjet ekonomike. Hapni cilëndo temë që ka të bëjë me barazinë do të hasni në rezistencën difuze të burokracisë dhe të klasës politike. Unë kam bindjen e plotë se po ta hapim edhe çështjen ekonomike, do të shohim se nuk do të ketë ofertë për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve në shoqëri. Këto politika refraktare krijojnë sindromën e konfliktualitetit të interesave etnike, për shkak se eksploatimi, pabarazia fillon në fushën e ekonomiës dhe përfundon në fushën e kulturës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbase është krijuar një traditë që partitë politike shqiptare të kenë një partner maqedonas për krijimin e qeverisë. Cili është partneri juaj?

ARBËN XHAFERRI
Ne përpiqemi të jemi të jemi të ndërgjegjshëm dhe i përmbahemi skemës së respektimit të modelit të partive politike. Sipas modelit të partisë sonë, partneri jonë më i natyrshëm duhet të jetë VMRO-DPMNE-ja dhe variacionet e kësaj partie që ekzistojnë. Natyrisht që kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Duhet të hapet çështja e programit politik të koalicionimit. Nëse VMRO-ja do t'i pranojë kërkesat tona të arsyeshme, atëhere puna është e kryer, por nëse ato e refuzojnë, atëhere hapen diskutime dhe dialogje të natyrave të ndryshme.

Intervistoi Zërijeta Hajro Jahjaga

XS
SM
MD
LG