Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT DISKUTON PËR KOSOVËN


Këshilli i Sigurimit ka dëgjuar pasditen e sotme raportin mbi zhvillimet në Kosovë të paraqitur nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe ka diskutuar rreth hapave të mëtejshme deri në përcaktimin e statusit.
"Shoqëria është e përgatitur dhe po tregon padurim që të ecë përpara. Në fakt do të ishte një rrezik shumë më i madh të mbahej Kosova pa zgjidhje për një kohë më të gjatë", tha zoti Jessen Petersen për të tërhequr vëmendjen se procesi i statusit nuk është pa rreziqe, veçanërisht duke pasur parasysh gjendjen në veri të Kosovës.
"Procesi i statusit mbart me vete rreziqe ashtu si dhe mundësi. Mund të shtohen tensionet ndërsa procesi po shkon drejt përfundimit të tij. Dhe jam thellësisht i shqetësuar të shoh se si krimet e dhunshme mund të politizohen shumë shpejt dhe të përdoren për të shkaktuar ndarje dhe tensione, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës".
Jessen Petersen ka çmuar përpjekjet e udhëheqësve të Kosovës për t'ia shtrirë dorën pakicave dhe për t'i krijuar atyre një mjedis sa më të sigurt. Të njëjtin mendim kanë ndarë dhe shumë nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
"Ne e mirëpresim përparimin që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara prezantoi në raportin e tij. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara përgëzojnë presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Agim Çeku, për thirrjet e tyre të fuqishme për pajtim ndëretnik", tha përfaqësuesi amerikan.
Nga ana tjetër edhe deklarata e Austrisë, në emër të Bashkimit Evropian, ka nënvizuar mbështetjen e Brukselit për Kosovën dhe popullin e saj.
Natyrisht gjendja e pakicave ka qenë në mesin e shqetësimeve të shumë nga folësve megjithë arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe.
Por përfaqësuesja e Britanisë ka nënvizuar rolin jokonstruktiv të Beogradit që ndikon në një pozitë të pafavorshme të serbëve të Kosovës.
"Është e vështirë të shihet se si këmbëngulja e Beogradit për dekurajimin aktiv të serbëve të Kosovës për mospjesëmarrjen e tyre në institucione dhe në jetën politike, i shërben interesave të tyre. Kjo nuk u shërben interesave të serbëve të Kosovës", tha përfaqësuesja britanike.
Por ndryshe e ka paraqitur gjendjen Sanda Rashkoviç Iviç, kryetare e qendrës koordinuese për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Sipas saj dhuna ndëretnike në Kosovës është shtuar dhe nuk ka kushte për komunitetet jo shqiptare. Por Jessen Petersen i ka hedhur poshtë akuzat e saj dhe solli fakte se si një numër sulmesh kundër serbevë të Kosovës kishin për autorë po serbë.
Duke folur për statusin Rashkoviç Iviç shprehu qëndrimin se pavarësia do ishte e papranueshme:
"Serbia është absolutisht e vendosur kundër ndaj çdo përpjekjeje për një zgjidhje të imponuar rreth Kosovës dhe Metohisë, meqënëse do të çonte në ndarjen e vendit dhe shkëputjen e një pjese të territorit të saj", tha përfaqësuesja serbe, Rashkoviç Iviç.
Përfaqësuesi i Rusisë gjithashtu ka theksuar se deklaratat për pavarësinë e Kosovës janë të nxituara.
Por nuk kanë qenë të këtij mendimi të tjerë folës. Shefi i UNMIK-ut duke folur për të ardhmen e Kosovës tha:
"Shpresa ime më e madhe, ndërsa lë postin është që marrëveshja për statusin përfundimtar të Kosovës do t'i lejojë viktimat e konfliktit të të gjitha palëve, që të përfitojnë nga një zgjidhje e qëndrueshme dhe paqësore, që do t'i çonte drejt një të ardhmeje më të mirë, të cilën e meritojnë kaq shumë," tha Jessen Petersen.
Derisa përfaqësuesja e Britanisë theksoi:
"Zgjidhja e statusit duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës."
Përfaqësuesi amerikan kërkoi zgjidhjen e statusit brenda vitit 2006.
"Duhen bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur një zgjidhje të negociuar dhe sipas këndvështrimit tonë brenda vitit 2006. Çdo shtyrje e mëtejme do të zgjaste mungesën e stabilitetit," tha diploamti amerikan.
Një numër vendesh anëtare të Bashkimit Evropian përfshi dhe Francën, anëtare e Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit, theksuan se prania ndërkombëtare është e nevojshme dhe pas statusit dhe premtuan se do vazhdojnë të jenë në Kosovë në kuadër të pranisë së re ndërkombëtare.
Pas përfundimit të mbedhjes së Këshillit të Sigurimit, kryeministri Agim Çeku dhe Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhanë një konferencë për shtyp.
Jam i kënaqur që jam pjesë e delegacionit i cili në Këshillin e Sigurimit përfaqësoi Kosovën. Shpresoj që së shpejti kryeministri i Kosovës do ta përfaqësojë Kosovën e pavarur në Këshillin e Sigurimit, tha Çeku.
Ai shprehu kënaqësinë për raportin e shefit të UNMIK Soren Jessen-Petersen, për të cilin tha se ka pasqyruar progresin e vërtetë dhe qenësor të bërë në Kosovë, dhe se ka njohur përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta bërë Kosovën një vend modern, stabil, demokratik dhe shumëetnik.
Çeku tha se edhe shumica e pjesëmarrësve në diskutim, e kanë njohur progresin qenësor të bërë në Kosovë, por u shpreh se duhet bërë më tepër për integrimin e pakicave, sidomos të serbëve të Kosovës.
Për Kosovën tash është më e qartë pas këtij takimi se çfarë duhet bërë në plotësimin e standardeve. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit folën edhe për statusin final të Kosovës, dhe më vjen mirë se të gjithë ata u thirrën në parimet bazë të Grupit të Kontaktit.
Në mbledhje u diskutua për pozitën e serbëve Edhe ne mendojmë se pozita e tyre nuk është aq e mirë, vahdoi Çeku.
Por gjithashtu, tha ai, përgjegjësia për pozitën e serbëve të Kosovës bie edhe tek qeveria në Beograd. Çeku i ftoi serbët e Kosovës që të angazhohen në institucionet e Kosovës, dhe tha se atyre u ofrohen të gjitha shpresat, ardhmërinë dhe garancat, të cilat një shtet modern ua ofron qytetarëve të tyre.
Beogradi e kuptoi mesazhin kur Këshilli i Sigurimit u tha atyre që t'i lënë serbët e Kosovës të angazhohen. Nëse do t'ua donin të mirën, ata do t'i lejonin të integrohen, tha Çeku.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen gjithashtu shprehu kënaqësi për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
"U bëj thirrje të gjithë akterëve që në këtë moment qenësor, të gjithë të përmbahen nga çdo masë që do të destabilizonte situatën në Kosovë", tha Petersen.
I bëra thirrje Këshillit të Sigurimit t'i mbështesë përpjekjet e Marti Ahtisarit që vendimi për statusin të arrihet gjatë vitit 2006, tha Petersen, duke përfunduar se Kosova nuk mund të mbahet më gjatë me këtë status.


XS
SM
MD
LG