Ndërlidhjet

logo-print

SHPK: LËVIZJE TË DYSHIMTA NË PJESËN VERIORE TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Një ditë pasi UNMIK-u tha se nuk ka fare dëshmi se në komunat veriore të Kosovës serbët po organizojnë Shërbimin për Mbrojtjen Civile, Shërbimi Policor i Kosovës pohon të kundërtën.
Zëvendëskomisari për operativë i SHPK-së, gjeneral major Reshat Maliqi, thotë se pjesëtarët e këtij shërbimi kanë vërejtur lëvizje të dyshimta në veri. Ai i tha radios Evropa e Lirë se policia ka njohuri se serbët tentojnë të krijojnë një shërbim të tillë.
“Ata dëshirojnë të krijojnë diçka që ka ekzistuar në ish-Jugosllavi, aktivizimin e mbrojtjes civile. Shihet një lëvizje më e shpeshtë e qytetarëve, për të cilët ne supozojmë se mund të jenë ata njerëz që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitete të ndryshme”.
Maliqi thotë se Shërbimi Policor i Kosovës është duke i mbikëqyrur këto lëvizje.
“Ne kemi parë lëvizje me vetura civile, që mund të jenë ata që dëshirojnë të krijojnë atë staf të mbrojtjes civile, ato vetura dhe ata njerëz janë në mbikëqyrjen e syve tanë dhe të kontrollit tonë”, thotë Maliqi.
Shërbimi për Mbrojtjen Civile, për të cilin zyrtarisht thuhet se do të jetë i paarmatosur, do të funksionojë në kuadër të Komitetit për Raste Emergjente, i cili është themeluar pas shpalljes, siç është thënë, të gjendjes së jashtëzakonshme në veri nga komunat e banuara me serbë. Kjo gjendje u shpall pasi komunat në veri ndërprenë bashkëpunimin me institucionet qendrore në Kosovë, për shkak të disa incidenteve, viktima të të cilave kanë qenë pjesëtarë të komunitetit serb. Por, zëvendëskomisari për operativë i SHPK-së Reshat Maliqi, thotë se ende nuk dihet se çfarë motivi kanë pasur incidentet. Ai kërkon që të mos paragjykohen krimet, për të cilat policia nuk e ka thënë fjalën e fundit.
“Është e vërtetë se çdo rast që ndodh në veri dhe kur viktimë është dikush nga nacionaliteti serb, për këtë akuzohen shqiptarët, por hetimet dëshmojnë diçka tjetër. Para disa ditësh kemi pasur një sulm ndaj një prifti serb dhe fillimisht mediat serbe deklaruan se këtë e kanë bërë shqiptarët, por hetimet dëshmuan se ai sulm është kryer nga 3 pjesëtarë të nacionalitetit serb e njëri nga ta pjesëtar i SHPK-së, i nacionaliteti serb”.
Sido që të jetë, gjenerali Maliqi konstaton se aktualisht gjendja në veri është nën kontroll. Por, ai nuk përjashton mundësinë e eskalimit, qoftë edhe nga një incident i vetëm.
“Unë i siguroj qytetarët dhe institucionet e Kosovës se ne e kemi situatën nën kontroll, kemi një numër të shtuar të pranisë tonë atje në të gjitha pikat e kontrollit. Ne mendojmë se me praninë e numrit të tillë të policëve ,kemi mundësi ta mbajmë situatën e qetë dhe stabile. Por, një rast i vetëm mund të përdoret si shkas që të dalë situata nga kontrolli dhe të organizohet ndonjë protestë apo diçka tjetër”, tha Maliqi.
Ndërkohë, Michael Page nga Sektori për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme të Kosovës, thotë se nëse forca të tilla ilegale veprojnë në të vërtetë në veri, ato paraqesin kërcënim për sigurinë e tërësishëm të Kosovës.
“Është fatkeqësi që të ketë çfarëdo force që nuk është në kontroll të autoriteteve ligjore. Nëse këto thashetheme rreth forcave ilegale në veri janë të vërteta, ato e minojnë sigurinë e Kosovës qoftë në planin afatshkurtë,r ashtu është në atë afatgjatë”, i tha radios Evropa e Lirë Michael Page.
Ndërkohë, gjenerali Reshat Maliqi thotë se UNMIK-u, por edhe Këshilli i Sigurimit, duhet të parandalojnë krijimin e një force të tillë ilegale.
“Nëse ato ndodhin, atëherë ka shkelje të Rezolutës 12 44 , dhe në atë rast UNMIK-u dhe Këshilli i Sigurimit duhet të reagojnë më ashpër që të mos lejohet shkelja e kësaj rezolute”.
Autoritetet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë, pas veprimeve të fundit të përfaqësuesve të komunave veriore të banuara me serbë, kanë reaguar duke dërguar forca shtesë në veri, megjithëse kanë sqaruar se shtimi i masave të sigurisë atje nuk është i ndërlidhur me përkeqësimin e situatës, por me keqkuptimin që është krijuar tek komuniteti serb mbi këtë situatë.
XS
SM
MD
LG