Ndërlidhjet

SOHLSTROM: PRANIA E BE-SË NË PARTNERITET ME KOSOVARËT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian është duke përgatitur misionin e ardhshëm që do të ketë në Kosovë, pas zgjidhjes së statusit. Përcaktimi i këtij misioni do të jetë i varur nga ajo se çfarë statusi do të ketë Kosova, thanë sot zyrtarët e BE-së në Prishtinë.
I dërguari, Havier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom tha se misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian do të mbështetet mbi parimet kryesore, të cilat në fakt do të përcaktojnë vetë rolin e BE-së në Kosovë pas statusit:
“Prania e ardhshme civile ndërkombëtare do të jetë ndryshe nga ajo që ishte këto 6 vitet e fundit”, tha Sohlstrom. Kjo prani, shtoi ai, do të zhvillohet në partneritet me autoritetet kosovare. Po ashtu, qëllimi i këtij misioni, sipas tij, është të ndihmojë Kosovën në ballafaqimin me sfidat e shumta, siç janë standardet dhe zbatimi i ligjit. Misioni i BE-së, tha i dërguari i Solanës, do të ketë si qëllim më vete edhe të ndihmojë Kosovën që të lëvizë sa më shpejt kah integrimi në BE.
Këto dy javët e fundit, në Kosovë ka mbërritur dhe një delegacion 45 anëtarësh nga BE-ja, që kryesohet nga danezi Casper Klynge. Ky delegacion ka për qëllim planifikimin e misionit të ardhshëm të BE-së, sidomos në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, prandaj si pjesë e tij janë oficerë të lartë të policisë ndërkombëtare, gjykatës dhe prokurorë.
Casper Klygne tha se planifikimi i misionit të BE-së po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet udhëheqëse kosovare.
“Mendoj se në drejtësi ka më shumë vështirësi krahasuar me policinë, ngase është një fushë më e komplikuar”, tha Klynge. Policia tha ai, ka shënuar një zhvillim të theksuar në Kosovë, përderisa asistenca në drejtësi, sipas tij do të jetë tejet e vështirë. Në vazhdim, Klynge tha se misioni i BE-së mbetet shumë i varur dhe me vetë atë se çfarë statusi do të ketë Kosova në fund të këtij viti:
“Çështja se a do të ketë apo jo autorizime ekzekutive misioni i ardhshëm i BE-së, varet shumë nga statusi i Kosovës”, tha Klynge. Ai tha po ashtu se në këtë fazë, përveç se nuk mund të dihen autorizimet, nuk mund të dihet as madhësia që do të ketë ky misioni i BE-së. Ekipi për planifikim do të qëndrojë edhe më në Kosovë, deri në përcaktimin e qartë se si do të duket misioni i BE-së pas statusit. Gjatë gjashtë viteve të fundit të administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, misioni i BE-së përfaqësonte një shtyllë përbërëse në kuadër të UNMIK-ut që ishte përqendruar kryesisht në ekonomi dhe rindërtim. Kurse pas statusit, interesimi i BE-së është kryesisht fushat e drejtësisë dhe atë të sigurisë.

XS
SM
MD
LG